Sejdiu: “Nuk do të hyj në bisedime për kufijtë e Kosovës”
Blerina Olldashi
Presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu, ka shprehur gatishmërinë për t’u takuar me udhëheqësit e Serbisë pasi disa tema ende nuk kanë gjetur zgjidhje dhe janë në interes të dy vendeve sovrane. Megjithatë, ai ka shprehur bindjen se asnjëherë nuk do të hyjë në bisedime për tërësinë tokësore, statusin e Kosovës apo problemet e brendshme të saj. Një mbështetje të plotë Presidenti i Kosovës Sejdiu shprehu për praninë ndërkombëtare, e cila, sipas tij, nuk mund të jetë e paanshme ndaj statusit të vendit. Në një intervistë për mediat, Sejdiu tha se viti 2008 ishte viti i pavarësisë së Kosovës, përmbushje e aspiratave shekullore të shqiptarëve nëpërmjet një procesi të bashkërenduar me komunitetin ndërkombëtar. Ai u shpreh se pavarësia është njohur nga 53 vende dhe njohje të reja priten edhe për vitin që po vjen. Pjesa e dytë e këtij viti ishte edhe periudhë e sfidave të shumta, përfshirë edhe bashkëpunimin me praninë civile ndërkombëtarë në Kosovë. “Kishte dilema të veçanta në pjesën e dualizmave ekzistuese mes dy misioneve ndërkombëtare dhe një anashkalim i padrejtë i Kosovës në një proces të marrëveshjeve me Beogradin për Kosovën. Ne e kemi thënë se ajo marrëveshje është e papranueshme. Është shumë me rëndësi që kemi argumentuar në mënyrën më të mirë të mundshme qasjen e Kosovës për të mbështetur shtrirjen e EULEX-it në Kosovë, për t’i dhënë bashkëpunimin mekanizmave të EULEX-it por në të njëjtën kohë për të pasur po ashtu të pacënueshëm indin e saj themelor, flas shtetësinë e Kosovës, sovranitetin dhe integritetin e saj”. Ndërsa Beogradi ka bërë thirrje për zbatimin e një marrëveshjeje të arritur me Kombet e Bashkuara për shtrirjen e EULEX-it në Kosovë, Presidenti Sejdiu u shpreh se gjashtëpikëshi, i përfshirë në raportin e sekretarit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara bashkë me qëndrimet e Prishtinës, nuk është një dokument detyrues. Presidenti Sejdiu tërhoqi vërejtjen se EULEX-i nuk mund të jetë neutral ndaj zhvillimeve në Kosovë. Rezoluta 1244, sipas tij, mbetet në një simbolikë.
Vendosja e EULEX-it, serbët zhvillojnë protesta në Mitrovicë
Banorët serbë kanë protestar dje para ndërtesës së Gjykatës së Qarkut në veri të Mitrovicës, duke kërkuar kthimin e gjykatësve dhe prokurorëve serbë në ndërtesë para se aty të fillojnë punën zyrtarët e EULEX-it. Serbët u mblodhën para hyrjes kryesore të Gjykatës Komunale dhe të Qarkut në veri të Mitrovicës, për shkak se, siç thanë ata, përfaqësuesit e UNMIK-ut nuk kanë filluar realizimin e fazës së dytë të rifillimit të punës së gjykatës. Që nga shpallja e pavarësisë për Gjykatën, në veri të vendit ka pasur konflikte dhe protesta ndërsa situata u përkeqësua në muajin mars, kur UNMIK-u dhe KFOR-i ndërhynë për të liruar gjykatën nga pushtimi që i bënë ish-punëtorët serbë. Trazirat lanë të vdekur një polic ukrainas dhe shumë të lënduar në mesin e forcave ndërkombëtare. Më 3 tetor, gjykatësit dhe prokurorët e UNMIK-ut rifilluan punën në gjykatë, por jo edhe punonjësit serbë dhe shqiptarë. UNMIK-u është shprehur se aktualisht është në negociata për t’i transferuar përgjegjësitë te EULEX-i. Por ende nuk dihet se kur do të kthehen punonjësit shqiptarë dhe serbë në gjykatë. Serbët kanë paralajmëruar se do të pengojnë punën e gjykatës nëse nuk plotësohen disa kushte të parashtruara nga ta. Aktualisht, në Gjykatën e Qarkut në Mitrovicë, përveç gjyqtarëve të UNMIK-ut, janë vendosur edhe tre gjyqtarë dhe dy prokurorë të EULEX-it.
25 Dhjetor 2008