Serbët të interesuar për konkursin në Policinë e Kosovës
Pjesëtarët e minoritetit serb duken të interesuar që të zënë vendet e punës të bashkëkombësve të tyre në Policinë e Kosovës, të cilët janë duke bojkotuar punën që në momentin që Kosova shpalli pavarësinë. Komandanti i stacionit policor në Graçanicë, Nebojsha Popoviç, ka bërë të ditur se “mbi 30 serbë janë paraqitur në këtë stacion për të kërkuar punë”. Popoviç e ka përshëndetur iniciativën e drejtorit të Policisë së Kosovës për të hapur konkurs të ri nëse policët serbë nuk kthehen në vendet e tyre të punës. Ditë më parë, drejtori i Policisë së Kosovës, Sheremet Ahmeti, ka paralajmëruar se nëse serbët nuk kthehen në vendet e tyre të punës atëherë do të hapet konkurs i ri, ku vendet vakante do të plotësohen me emra të rinj.
Piter Feith, sërish i dërguari i BE-së në Kosovë
Sipas të përditshmes kosovare “Zëri”, Piter Feith do të konfirmohet sërish si emisar special i Bashkimit Europian. Kjo gazetë u është referuar burimeve diplomatike të afërta me Brukselin. Feith, në pajtim me propozimin gjithëpërfshirës të Marti Ahtisarit, mban në Kosovë të dy postet dhe mandatet kryesore të përfaqësuesit civil ndërkombëtar: ICR dhe të Bashkimit Europian, EUSR. Në postin e EUSR, Feith është caktuar më 4 shkurt të vitit të kaluar me një mandat njëvjeçar.
Moska dhe Beogradi firmosën marrëveshjen energjetike
Presidenti i Rusisë Dmitry Medvedev dhe Presidenti i Serbisë, Boris Tadiç, nënshkruan dje në Moskë marrëveshjen për shitjen e industrisë së naftës së Serbisë kompanisë Gazprom dhe marrëveshjen për ndërtimin e gazsjellësit nëpër një pjesë të Serbisë. Beogradi dhe Moska, më 25 janar të vitit 2008, kishin nënshkruar ujdinë energjetike me të cilën parashihet që 51 për qind e industrisë së naftës të Serbisë t’i shitej kompanisë ruse Gazprom për 400 milionë euro dhe të ndërtohej gazsjellësi nëpër një pjesë të Serbisë.
25 Dhjetor 2008