Bajden: “Administrata e re do të krijojë 3 milionë vende pune”
Nënpresidenti i zgjedhur Xhozef Bajden ka deklaruar se ekipi i ardhshëm ekonomik në Shtëpinë e Bardhë po përparon drejt një marrëveshjeje për hollësitë e një plani të stimulimit të ekonomisë. Pasi u takua me ekipin ekonomik, Bajden tha se në SHBA do të shkurtohen një numër më i madh vendesh pune nga sa prisnin ekspertët më parë, prandaj dhe nevojitet një paketë më e madhe stimujsh. “Përkeqësimi i tregut të punës në vend e ka detyruar presidentin e zgjedhur ta udhëzojë ekipin tonë ekonomik për ta rritur shifrën e synuar në planin e stimujve nga 2,5 milionë vende pune në 3 milionë gjatë dy vjetëve të ardhshme”,- tha ai.
Ish-sekretari i Thesarit gjatë presidencës së zotit Klinton, Lerri Samërs, që do të udhëheqë Këshillin Kombëtar të Ekonomisë në administratën e zotit Obama, u tha gazetarëve se duhet marrë një vendim i guximshëm pa humbur kohë. “Pa marrjen e një veprimi të rëndësishëm politik, ne ndoshta do të ndesheshim me krizën më të rëndë ekonomike që nga koha e Luftës së Dytë Botërore”,- tha ai. Ekipi ekonomik i zotit Obama dhe demokratët që kontrollojnë Kongresin po përpiqen të bien dakord lidhur me hollësitë e planit në kohë që ligjvënësit të votojnë për të në fillim të janarit. Ata shpresojnë që ta kenë planin gati në mënyrë që zoti Obama të marrë vendime sa më shpejt, pasi të fillojnë nga detyra më 20 janar.
25 Dhjetor 2008