E Shtunë, 31 Tetor 2026

Oto Bariç, 15 pikët e premtuara dhe realiteti i post-24 marsit

Albania-Sport - Jo thjesht humbja me Maqedoninë, por problemet që shfaqi ajo për skuadrën tonë kombëtare, krijojnë shqetësimin e madh: ku do të arrijmë? Natyrisht nuk jemi euforikë utopistë për të thënë se "duam kualifikimin në finalet e "Euro 2008", nuk jemi edhe me optimizmin e para pak kohe të Oto Baricit se "do të arrijmë në vendin e tretë në grup" apo me matematikën e rëndomtë se "do të marrim 15 pikë". Pamë ndeshjen në "Loro Borici" të Shkodrës dhe evidentuam shumë: I përmbledhim në një skuadër pa ide, të vjetër, por dhe një drejtim aspak profesional, edhe pse Barici ka një përvojë që shtyhet deri në moshën 74-vjecare.
Gjithcka është mbyllur dhe një analizë e plotë zbërthyese, mungoi. Ajo që u bë "flakë për flakë", la shije të keqe, ishte nervoze, pa bosht. Në disa raste të tjera, me gjuhën e kompromisit: "kundërshtari luajti në pjesën e parë, ne të dytën: rezultantja, ndeshja duhet të përfundonte në barazim". Heshtja e pasndeshjes, jo vetëm zhgënjyese, por dhe shqetësuese për të ardhmen, u prish nga kërkesa e Baricit: "Dua Rustemajn për ndeshjen me Slloveninë" apo "tërmet" në FSHF, për të plotësuar atë që dëshiron trajneri kroat. Këtu përfundon gjithcka dhe do të fillojmë të shkruajmë kur të afrohet ndeshja me Slloveninë, duke pritur se cfarë do të thotë Barici.
Po ne, cfarë duhet të themi deri në ndeshjen me Slloveninë, nëse jemi profesionistë? Le të mësojmë duke shikuar dhe dëgjuar. Anglia ka kryqëzuar trajnerin Siv MekKlaren, pas humbjes me Spanjën. Dhe MekLareni kërkon vetëm kohë dhe thotë: "Më gjykoni pas ndeshjes me Izraelin, më 24 shkurt 2007, në Tel Aviv". Kritika nuk ndalon edhe ndaj apelit të MekKlarenit. Ajo nuk e pranon mbrojtjen që i bën vetes MekKlareni "më munguan shtatë titullarë": I zbret ata në tre-katër (Xhon Terri, Ouen Hargrivs, Uejn Runi, Aron Lenon). Për të argumentuar se "gjendja e Anglisë, për gjashtë javë dhe me titullarët e rikthyer nuk mund të tregojë kthesën e madhe".
Në vlera loje, ne nuk mund të krahasohemi me Anglinë, por trajneri me përvojë, Oto Baric na befason kur shikon te "Rustemaj (i panjohur), kthesën e skuadrës sonë kombëtare". Larg nuk jemi vetëm ne si kritikë, por dhe Baric, me kërkesa të tilla. Megjithatë pa mohuar se trajneri kroat, me përvojën që ka, njeh dhe amatorizmin e drejtuesit të futbollit tonë. Të besojmë te ripërtëritja e kombëtares sonë, kur asgjë nuk është bërë deri tani, duke përjashtuar Jahmir Hykën? Nuk jemi bindës. Të besojmë për vendin e tretë? Akoma edhe më pak bindës.
Atëherë? MekKlaren "kryqëzohet" dhe ne duhet ta "kryqëzojmë", jo me fjalë, por me profesionalizëm, Baricin dhe pse ai tani pushon, nuk e dimë se ku. T'i themi Baricit, "ju premtuat përtëritjen", atë po e bën gjermani Topmëler me Gjeorgjinë. T'u themi drejtuesve të futbollit tonë se, "nëse mendoni për largimin e Baricit pas ndeshjeve të marsit, fajtor është edhe kroati, por më shumë jeni ju". Kemi humbur edhe një herë tjetër kohë, kemi humbur jo pak dhe në investime.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›