Altin Lamaj refuzon pjesëmarrjen në gjyq
12/01/2005 TIRANË – Ka vendosur të mos marrë pjesë në asnjë seancë gjyqësore. Ka ardhur në gjyq vetëm në dy seancat e para, kur shoku i tij Elidon Kotorri, ende nuk ishte dënuar. Pas dënimit të tij, Altin Lamaj refuzon të marrë pjesë në gjyq, duke dërguar herëpasherë copa letre për trupin gjykues. Në të gjitha rastet gjykata është detyruar të shtyjë seancat gjyqësore për t'i dhënë kohë të pandehurit të paraqitet në gjyq. Gjykata është shprehur se nuk mund të vazhdojë procesin pa praninë e të pandehurit. Madje, gjyqtarja i ka kërkuar avokatit të komunikojë me klientin për të sqaruar rrethanat. Altin Lamaj, pronari i lokal "Venecia", që prej katër seancash nuk pranon të paraqitet në gjykatë. Në një letër dore, shkruar dhe dorëzuar policëve të togës së shoqërimit, Lamaj është shprehur se nuk dëshiron të marrë pjesë në gjyq dhe se është dakord të përfaqësohet nga avokati i tij, Ferdinad Doja. Megjithë përgjigjen e dhënë, seanca e djeshme ndaj të pandehurit Lamaj ka dështuar. Gjykata është detyruar të caktojë një datë tjetër dhe të pezullojë afatet e paraburgimit. Altin Lamaj akuzohet se në bashkëpunim me Elidon Kotorrin ka kryer disa vepra penale në periudhën kohore 1999–2000. Bëhet fjalë për disa vrasje që ndodhën në zonën e Tiranës së Re, ku gjetën vdekjen pesë persona. Për të njëjtat akuza, Kotorri u dënua me burgim të përjetshëm pak kohë më parë nga Apeli. Altin Lamaj u ndalua dhe më pas u arrestua nga policia mesin e vitit të kaluar. Shkak u bë ardhja e aparatit të ri për zbulimin e gjurmëve të gishtave.