E Diel, 1 Nëntor 2026

“S`e dinim se kishte drogë në maunen tonë”

12/01/2005  TIRANË -Të dyshuarit si pronarë të 312 kileve hashash, të cilat u kapën katër ditë më parë në një maune në qytetin e Vlorës, mohojnë akuzën dhe ngrenë alibinë e parë, në përpjekje për t'i shpëtuar akuzës. “Ne nuk e dinim se në maunen e fabrikës tonë ndodhej ngarkesa e drogës. Nuk kishim dijeni për të çarën nga e cila besojmë se është futur droga në tavanin e maunes”. Kështu janë shprehur thuajse me një zë, tre personat e dyshuar si pronarë të drogës dhe shoferi i maunes në të cilën u gjet ngarkesa narkotike katër ditë më parë, në qytetin e Vlorës. Edhe dy persona të tjerë janë arrestuar dje, me urdhër të Prokurorisë së Krimeve të Rënda, për trafikimin e 312 kileve hashash me anë të një mauneje, e cila u kap nga policia në portin e qytetit të Vlorës, teksa përpiqej të udhëtonte drejt Italisë me tragetin e linjës.

Dëshmitë

Edmond Papa, 36 vjeç, banues në Vlorë, shofer i maunes, Ilia Simoni nga Vlora dhe Roberto Altobeli, 33 vjeç, me kombësi italiane, të dy bashkëpronarë të maunes dhe të fabrikës së prodhimit të qeseve plastike “ROAL”, e kanë mohuar akuzën ndaj tyre dhe kanë ngritur para hetuesve alibinë e tyre. Sipas deklarimeve të dhëna nga të dyshuarit, shoferi dhe pronarët e maunes, nuk kishin dijeni se në mjetin e tonazhit të lartë ndodhej ngarkesa me 312 kile hashash. Ata kanë pohuar se maunia e tyre nuk e ka patur më parë të çarën në tavanin e saj dhe kanë hedhur dyshimin se, sasia e drogës është futur në maune nëpërmjet kësaj vrime. Fillimisht, një version i tillë është besuar nga policia dhe hetuesit e Prokurorisë, por një ekspertizë e thjeshtë ka hedhur poshtë alibinë e parë të personave të arrestuar si përgjegjës për pronësinë dhe trafikimin e 312 kileve hashash. Hetuesit kanë marrë qeset në të cilat ishte paketuar droga dhe kanë provuar t'i hedhin në maune, me anë të vrimës që ishte hapur në tavanin e saj. Por qeset ishin më të mëdha se vrima në tavan. Ky është argumenti me të cilin Prokuroria mbron tezën se droga është ngarkuar në maune nga të arrestuarit.

Arrestimet

Ernis Ismaili, 21 vjeç dhe Artan Sadiku, 30 vjeç, janë arrestuar dje nga policia e Vlorës me urdhër të Prokurorisë së Krimeve të Rënda. Edhe pse dje, numri i arrestimeve zyrtare ka mbërritur në pesë, asnjëri prej të dyshuarve nuk ka pranuar të dëshmojë. Secili nga të prangosurit e kanë “mbyllur gojën” para hetuesve, duke pohuar se ngarkesa e drogës, ishte një gjë për të cilën nuk dinin asgjë. 21-vjeçari Ernis Ismaili është personi që ka kryer ngarkimin e maunes me qese plastike, mes të cilave u gjet droga. Ai është cilësuar nga Prokuroria jo vetëm si dëshmitar i mundshëm, por edhe si bashkëpunëtor në trafikimin e 312 kileve hashash. Ndërsa Artan Sadiku, 30 vjeç, është roja i fabrikës së prodhimit të qeseve plastike, të cilat do të importoheshin për në Itali me maunen në të cilën u gjet sasia e drogës.

Të arrestuarit

Edmond Papa, shofer

Ilia Simoni, bashkëpronar

Roberto Altobeli, bashkëpronar

Ernis Ismaili, ngarkues

Artan Sadiku, roja

Fabrikë, maune firmë dhe hashash

Të dyshuarit si pronarë të 312 kileve hashash, që u kapën tri ditë më parë në qytetin e Vlorës, janë dy bashkëpronarët e një fabrike, e cila prodhon qese plastike dhe përpunon lëndë të ngjashme. Maunia në të cilën u gjet droga në portin e qytetit të Vlorës, është pronë e një firme të regjistruar në Gjykatën e qytetit si firma “ROAL”. Në pronësi të kësaj firme rezulton të jetë edhe fabrika e prodhimit të qeseve plastike, mes të cilave ishte fshehur droga në ngarkesën e maunes. Mjeti u kap në pikën e kontrollit teknik të portit të Vlorës, pasi i kishte shpëtuar policisë. Gjatë verifikimeve teknike, ekspertët kanë mundur të bien e gjurmët e ngarkesës narkotike.

Kronologjia

8 dhjetor 2004

Kapen në kufirin shqiptaro-maqedonas në Dibër dy makina me një ngarkesë 303 kile marijuanë. Makinat tentuan të kalonin në Maqedoni. Arrestohen me akuzën e trafikut Adrian Nasi, 33 vjeç, pilot dhe komandant ekuipazhi në Repartin 3340 të Farkës dhe Xhevdet Rrokaj nga Vlora, i cili ka krushqi me të arrestuarin e parë

9 dhjetor 2004

Sapo kalon pikën kufitare të Qafë-Thanës dhe hyn në tokën maqedonase, ndalohet dhe kontrollohet maunia e një firme private të bimëve medicinale nga Tirana. Gjenden 100 kile marijuanë, por largohet trafikanti që drejtonte mjetin e tonazhit të madh, i cili ishte pronë e firmës së medikamenteve mjekësore “Mirel”

13 dhjetor 2004

Policia maqedonase deklaron se trafiku i drogës me Maqedoninë, kryhet nga klane të Ministrisë së Rendit dhe të Mbrojtjes në Tiranë. Sipas deklaratës, policia e Shkupit ka siguruar prova operative për implikimin në trafik të strukturave “të larta” të Tiranës në narkotrafik

9 janar 2004

Kapet në portin e Vlorës një maune italiane, në të cilën ishin ngarkuar 312 kile hashash. Arrestohet drejtuesi i mjetit, Edmond Papa, 36 vjeç dhe dy pronarët e maunes, shqiptari Ilia Simoni nga Vlora dhe italiani 33-vjeçar, Roberto Altobeli

“Shqiptarët janë aktivë në trafikun e drogës”

ROMË –Prokurori i Përgjithshëm i Kasacionit në Itali, Francesco Favara, e ka cilësuar dje, në analizën vjetore të drejtësisë, kriminalitetin shqiptar atje si mjaft aktiv në trafikimin e narkotikëve. Në konferencën me titull “Viti i Drejtësisë”, teksa analizonte veprimtarinë e vitit 2004 në fushën e drejtësisë, prokurori italian ka shkruajtur në raportin e tij se, kriminaliteti shqiptar në Itali gjatë vitit të shkuar është shfaqur aktiv në trafikun ndërkombëtar të narkotikëve. Sipas prokurorit italian, keqbërësit shqiptarë organizohen në grupime nacionale të së njëjtës kombësi, ndërsa kanë arritur të integrohen me sukses në brendësi të organizatave kriminale autoktone. Sipas raportit të Prokurorit të Përgjithshëm të Kasacionit italian, kriminelët ukrainas kanë marrë vendin e parë për trafikun e klandestinëve. Ai tha se shumë shqiptarë të kërkuar, i kanë shpëtuar aksioneve të mirorganizuara të policisë vendase për arrestimin e tyre. Kjo, sipas prokurorit, në sajë të guximit që kanë këta persona. Prokurori Favara e ka cilësuar të rrezikshëm kriminalitetin kinez dhe konfrontimet e tij vdekjeprurëse me atë italian. Për Favara-n, drejtësisë italiane i paraqitet një emergjencë. Minimizimi i kriminalitetit rumun dhe turk. Grupimet e këtyre dy kombësive, sipas kreut të hetimeve të Kasacionit në Romë, përbëjnë urën lidhëse të rrugëve nga e cila drogat kalojnë, rrugët ballkanike drejt Italisë e më pas nisen për në Francë e Gjermani. “AGI Online”

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›