E Diel, 1 Nëntor 2026

Vajza dhe tutori përballen në gjykatë

12/01/2005  TIRANË – Marsela Uku nga fshati Karbunarë e Lushnjës, përveçse ka dërguar në burg gjashtë të pandehur, me akuzën e trafikimit të femrave për prostitucion, është vënë në pranga me akuzën e ushtrimit të këtij profesioni. Por nuk përfundon me kaq. Marsela akuzon 60-vjeçarin Bujar Torozi, se gjatë kohës së qëndrimit të saj në shtëpinë e tij, e ka shfrytëzuar për qëllime përfitimi. Dje, ajo së bashku me të pandehurin u ulën në bankën e të akuzuarve, përpara gjyqtarit Sokol Tona.

Dëshmia

Vajza pranoi para gjykatës se e ka ushtruar profesionin e prostitutës. Madje, ajo ka shpjeguar se ka qëndruar për disa muaj në shtëpinë e Bujar Torozit, ku për çdo ditë sillte klientë. Nga secili klient merrte 1 mijë lekë të vjetra. Këtë profesion, vajza thotë se e ka ushtruar për t'u ushqyer, pasi familja e kishte braktisur që nga dita kur u largua me gjashtë djemtë nga Lushnja. Pas pranimit të akuzës nga vajza, gjyqtari Tona veçoi çështjen. Ndërsa i pandehuri i moshuar, ka mohuar dje në gjykatë gjithçka. Ai është shprehur se e ka strehuar vajzën, pasi i ka ardhur keq. Por vetë Uku ka treguar se një pjesë e parave shkonte në favor të të pandehurit, që ishte në seancë i pranishëm. Marsela, sipas gjyqtarit, do të gjykohet më vete dhe në seancën e radhës për të Prokuroria do të kërkojë masën e dënimit. Ngjarja ndodhi në fillim të vitit të kaluar, pak muaj pasi vajza ishte braktisur nga familja e saj.

Historia e Marselës

Bledar Ahmetaj e takon Marsela Ukun në stacionin e trenit në Lushnjë. E fton për kafe dhe më pas me makinën e tij me targa LU 5119 B, shkojnë në plazhin e Spillesë. Më pas, Ahmetaj lidhet me telefon me të pandehurin Luan Çela dhe lënë takim në Durrës te disko "Majami". Kanë qëndruar të tre për disa kohë në disko dhe më pas janë kthyer në Lushnjë. E dëmtuara Marsela Uku është shprehur në seancën e sigurimit të provës se, pas kontakteve të para, ka qenë e detyruar të kryej të gjitha veprimet që i diktonin të pandehurit.

Të pandehurit

Të pandehurit Bledar dhe Luan, i janë prezantuar të dëmtuarës si persona të fortë dhe që nuk kishin frikë nga policia e Lushnjës. Më pas i kanë thënë se, nëse njerëzit e shihnin, të tregonte se ishte e shoqëruar me të dashurin Bledar Ahmetaj. Pastaj e dëmtuara dërgohet për të fjetur në një banesë në fshatin Gradisht, e më pas në një apartament në lagjen "Xhevdet Nepravishta" në Lushnjë. Ky apartament, nga hetimet ka rezultuar se ishte i të pandehurit Luan Çela, i martuar. I pandehuri Çela i ka thënë të dëmtuarës se shtëpia ishte e tezes së tij, ndërsa gruan e kishte dërguar te prindërit, për të mos rënë në gjurmë. Po në këtë shtëpi të dëmtuarës i është prezantuar i pandehuri Bledar Lamçe. Ky i fundit është ngarkuar të mbajë nën vëzhgim vajzën, për aq kohë sa do të qëndronte në apartament. Ndërkohë që, Bledar Ahmetaj dhe Luan Çela mundoheshin të gjenin rrugët për ta trafikuar. Rreth datës 10 shtator, i pandehuri Bledar Ahmetaj ka komunikuar me të pandehurin Klodjan Çela, nga fshati Golem Lushnjë, për mundësinë e trafikimit. Ky i fundit ka gjetur të pandehurin Idriz Salla nga Elbasani, me të cilin ka lidhje familjare. Salla është i identifikuar si person me tendenca për trafikimin e femrave.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›