Shfrytëzoi gruan e vëllait, sëmuret në burg nga turbekulozi
12/01/2005 TIRANË – Stefan Sula, në mesin e muajit tetor 2004, u vu në pranga me akuzën e shfrytëzimit të prostitucionit. Por nuk kaloi shumë kohë dhe gjendja e tij shëndetësore u paraqit e rëndë nga avokati mbrojtës. Vladimir Meçe solli dje para gjyqtares Flora Hajredinaj një raport mjekësor, me anë të të cilit pretendon se klienti që mbron, Stefan Sula, është i sëmurë me turbekuloz. Me raportin e paraqitur avokati kërkon të ndryshojë masën e sigurimit për të pandehurin, nga ajo e burgut pa afat në një masë më të butë. Stefan Sula njihet edhe si pronar i një skaneri të vendosur në qytetin e Fierit. Skaneri, sipas prokurorit Etjen Kapo është sekuestruar, pasi mendohet se është blerë me paratë e fituara nga shfrytëzimi i kunatës. Vajza e trafikuar njihet me emrin Elizabeta Shpati. Gjyqtarja që ka dhënë masën e arrestit për të pandehurin mori në dorë raportin mjekësor të siguruar nga avokati dhe vendosi të shtyjë seancën për të shqyrtuar materialet. Vendimi nëse Stefan Sula do të lirohet ose jo, do të jepet të premten në datën 14 janar. Elizabeta Shpati, që nga viti 1997 deri në 2003, është trafikuar nga ish-bashkëshorti i saj, Meritan Sula dhe vëllai i tij, Stefan Sula. Arrestohet në Belgjikë dhe me t'u riatdhesuar, vendoset në qendrën e rehabilitimit në Fier. Merret në pyetje nga organi i Prokurorisë dhe në fillim të vitit 2004 bën kallëzim penal për dy vëllezërit Sula. Procedimi penal për dy vëllezërit, akuzuar si trafikantë, u regjistrua në 16 shkurt 2004. Por, gjithsesi, dy vëllezërit nuk u arrestuan. Prokuroria e Krimeve të Rënda priste ardhjen e një letërporosie nga Belgjika, vendi ku është ushtruar edhe aktiviteti i prostitutës. Ndërsa pritej letërporosia, vajza nga fshati Drizë i Fierit merret në pyetje nga prokurorët. Ajo arrin të implikojë në trafikim edhe shtetasin Besjan Rama, po nga ky fshat. Vajza është shprehur se, Besjani i ka nxjerrë pasaportën në vitin 1999 deri në 2003-shin, pasaportë që e ka ndihmuar të bëjë prostitutën. Veç kësaj, vajza është shprehur se, Besjan Rama ka trafikuar në Belgjikë edhe një vajzë tjetër, identiteti i së cilës nuk bëhet i ditur. Me këto deklarime, Besjan Rama vihet në pranga dhe në datën 28 korrik 2004, gjyqtarja Flora Hajredinaj, vendos masën e sigurimit burg pa afat. Ndërkohë, dy vëllezërit Sula vazhdonin të prisnin të lirë provat nga Belgjika. Për ta kishte filluar procedimi penal, por masa e arrestit u mor në mungesë në mesin e muajit shtator. Në fund të këtij muaji arrestohen dhe në datë 31 tetor dy vëllezërve u komunikohet masa nga gjyqtarja Flora Hajredinaj.