Altruizmi!
Adelina Marku-Ibrahimi
Si paralojë teksteve dhe analizave për këto lloj zgjedhjesh, të cilat, tani për tani, më dalin se do të mbeten pa president të zgjedhur dhe me turpërim të shqiptarëve në Strugë nga politikanët shqiptarë (qofsha e gabuar...), i ndjeva borxh lexuesit tim ta analizojmë fenomenin e shkëputjes së deputetëve ose funksionarëve nga partia(të) amë dhe krijimin e partive të reja ndër shqiptarë. E konsideroj të rëndësishme të analizoj këtë fenomen, sepse pluralizmi i organizimit politik ndërshqiptar tregon përmasa shqetësuese teksa e shoh të jetë më shumë pasojë e emocioneve, sesa e vizioneve. Por sidoqoftë, pyetja ime do të ishte: Këta të shkëputur ikin në kërkim të doktrinës së re partiake, të ideologjisë së re, apo në kërkim të lirisë? Ndoshta janë të pakta këto dy dilema që i ngrita para konspiracioneve që i dëgjoj lart e poshtë, e që me dorën në zemër janë të paverifikuara gjithmonë. Një terren i tillë politik, që përbëhet nga amalgamë llafesh e përfoljesh injorante, të bën t’i injorosh këto përdalje shfryrëse emocionesh. Preferoj vizionin më shumë.
Pastaj i parashtroj vetes sime një pyetje: Përse kërkoj fisnikëri!? Dhe për çudi e di edhe përgjigjen; e vetëdijshme se gabimi, megjithatë, qëndron tek unë, sepse ende nuk mund ta pranoj dyshimin nëse paraardhësit tanë, që bënin politikë kombëtare dhe ndërkombëtare, ishin hipokritë para fisnikërisë fanatike të shqiptarit ndaj shqiptarit! Ja se si e përshkruan fisnikërinë babai i diplomacisë shqiptare, Mithat Frashëri: “Kujdesi i çdoditshëm i shqiptarit është që të mos skuqet. Nga sedra i vjen madhështia. Për shkak të sedrës tek shqiptari spikat altruizmi, i cili është respekti i nevojave dhe i kërkesave të tjetrit, dashuri ndaj tjetrit, me gatishmërinë e flijimit të së mirës së vet për të mirën e tjetrit”. “Por, kjo sedër duhet të bëhet fisnike ndaj vetes mbi të gjitha, - thotë Frashëri, - e do të bëhet, se nuk i ikim dot pjekurisë kombëtare”.
E sotmja e shqiptarit në Maqedoni
Sa kanë ndryshuar vrojtimet e Frashërit ditëve të sodit? Jo shumë. Shqiptari i sotëm është ende altruist e kozmopolit, por se sa është fisnik ndaj shqiptarit, – më ndjeni, unë kam rezerva. Kohëve të fundit ai edhe nuk skuqet më! Sedrën e ka nxjerrë në treg... dhe asaj i ka vënë çmim. A shitet sedra!? Shqiptarët e ditëve të mia z. Frashëri, e shesin sedrën!
Por të mos shkëputem nga filli i dilemës që parashtrova. Pra, këta që lanë PDSH-në e që krijuan një grupim politik, e me organizim partiak, dhe një tjetrit, nga tabori tjetër, për të cilët u zhbë që do ta lërë BDI-në kësaj radhe, pretendojnë, me gjasë, të jenë protagonistët e rrugës së re në politikë. Çdo risi në politikë është interesante; por vetëm atëherë kur çdo gjë në politikë është baras me qelbosje nga brenda, për konsum banal të brendshëm e për fëlliqosje diplomatike megalomane përjashta.
Nuk do i jap të drejtë vetes të debatoj për “Demokracinë e Re”, jo që s’do të dija (të gjithë këta që u shkëputën dhe ata me tendenca shkëputjeje, janë njerëz që i njohim; quaji bashkudhëtarë të këtij brezi tranzicioni), por sepse ende e kam të padëgjuar ofertën e kësaj partie apo grupimi politik; ende e kam të pazëbërë për veshët e mi konceptin e veprimit të tyre politik. Nëse kjo parti do të ishte risia e radhës në skenën politike shqiptare këtu në Maqedoni, atëherë, me gjasë, kjo do të barazohej me Rrugën e Tretë ( Third Xay) të Europës; apo një filozofi veprimi kjo që do të nënkuptonte demokracinë sociale për ofertën e së cilës më qartë ka shkruar Anthony Giddens. Oferta e demokracisë sociale në Europë nuk ka vektorin e brengës kombëtare si prioritet, por ka të rëndësishme kategorinë e brengës sociale. Por, sa do të jetë kjo parti me gjuhën e Rrugës së Tretë dhe sa realisht opsionet e treta janë në kohë e të natyrshme për Maqedoninë, kjo mbetet ta komentojmë pasi të dëgjojmë për ofertën e saj dhe sfidën me votuesit.
Nëse ikin për të gjetur lirinë!
Në bisedë me ta, shumë nga të vetëshpallurit si në grupimin e ri, thonë se kanë ikur sepse kanë pasur nevojë të jenë të lirë. Ky lloj prononcimi ka një kontradiktë në vete: I lirë dhe në parti, nuk qëndron. Partia në parim është një organizatë politike, e cila të jep të lexosh për ta kuptuar hapësirën e veprimit të doktrinës dhe e jotja është të ndjekësh pas konturet e realizimit të asaj doktrine. Nëse zë besë të ndjekësh doktrinën e ndonjë partie, atëherë ti lirinë tënde të veprimit politik e përshtat me vetëdije, sipas doktrinës dhe rregullave ushtruese të saj. Por, vetëm i lirë më nuk mund të jesh. Të gjesh lirinë duke ikur nga një parti doktrinare së cilës i je betuar me vetëdije gjatë kohës dhe të ikësh nga ajo me një motiv të vetëm se je në kërkim të lirisë, të lë të kuptosh se partia amë, me kohë të ka degjeneruar në proces durimi e veprimi politik dhe ka rrezik që frustrimin e krijuar nga ky lloj degjenerimi ta reflektosh në partinë e re, duke mohuar çdo gjë, të cilën e ke jetuar në të vjetrën; përfshirë dhe ideologjinë. Doemos, që kjo parti e re duhet të tregojë një kujdes të veçantë nga ata që ikin nga frustrimi, e me pretekst, se janë në kërkim lirie, sepse nëse në të vjetrën kanë mbijetuar me vite, e të vetëdijshëm se kanë qenë të shtypur, e nën diktat, (siç thonë vetë!), atëherë është e nevojshme faza e pajtimit me formën e të vepruarit në partinë e re, në krijim e sipër. Pastaj, nëse diktati i partisë së vjetër paska depersonalizuar moralin e veprimit tënd politik, ripersonalizimi në petk të ri partiak doemos që kërkon shumë më shumë dijeni, origjinalitet dhe shkathtësi organizative; e për më tepër, vështirë se ofron garanci për një ngjitje të plotë besimi. Nëse mentaliteti i partisë së vjetër njihet si kombëtar, në partinë e re ky kërkon të zëvendësohet me një mentalitet të ri, doktrinë të re politike apo veprim ndryshe, e mentalitet(ideologji) të së vjetrës. Pyetja është e thjeshtë: Çfarë do ta shtynte votuesin të mendonte se je më i mirë në partinë e re, kur paske lejuar të të frustrojnë në të vjetrën? Sidoqoftë, si rregull, në të tilla faza kalojnë këto parti, paçka se çdo rregull ka përjashtim.
Nëse rendin në kërkim të ideologjisë së re!
Nëse parashtrojmë dilemën e shkëputjes nga partitë amë të këtyre njerëzve me ambicie politike, si rrjedhojë e kërkimit të ideologjisë së re, atëherë unë me të drejtë pyes se për cilën ideologji flitet?! Beteja në një proces rafinimi të ideologjive në këtë shtet, për aq kohë sa është fillestare, për aq sa është edhe e koklavitur, madje për aq herë sa është e rrënuar, e zmbrapsur, e bllokuar në proces zgjedhjesh, në komplote në formë konfliktesh ndëretnike e në komplote në formë gjetjesh konsensusi ndëretnik, në radhë të koalicioneve të ndryshme, është vështirë të besosh se partitë e reja kanë ofertë reale përkapëse. Partitë pa doktrina vështirë se mbeten gjallë. Për më tepër, kur doktrinat ndërtohen me vite për një parti politike, e cila funksionon në një shtet multietnik e në fazë tranzicioni. Nëse PDSH arriti të ndërtojë një doktrinë partiake me orientim kombëtar të qendrës së djathtë pas një dekade të tërë veprimi – e nëse këtë vit do të shohim se a do ta kalojë testin e pjekurisë së vet me sukses ose dështim; nëse BDI-ja hyri në skenë politike pa doktrinë të ndërtuar e si një parti e orientimit qytetar multietnik, mbeti të veprojë vetëm me një stigmë kujtese për të si parti e ish-luftës, me pak luftëtarë e me shumë integristë (pa kuptuar qartë cilësinë e qëllimit integrist), nëse PPD-së, konceptin kombëtar ia dërmuan “petkat” e ndryshme të liderëvë të shpeshëndërruar; atëherë cila do të ishte doktrina e re që synon PDR-ja? Doemos që kjo parti do të zbulojë tezën e doktrinës së vet; ndoshta, së shpejti dhe nëse ajo kërkon parrezikun e për t’u pozicionuar si centriste, atëherë asaj vërtet i duhen shumë vite për të ndikuar në skenën politike, përderisa realisht ky shtet nuk sfidohet ende nga gara e ideologjive në mungesë të një skeleti juridik të shtetit funksional multietnik. Një sfond të ideologjisë së kësaj partie e përkapa vizualisht më shumë nga spoti i tyre i kompozicionit multietnik, aty ku ata flasin jo vetëm shqip, por altruist; d.m.th., edhe serbisht, edhe maqedonisht, edhe turqisht, edhe romisht... A është kjo gjetje origjinale? Përgjigjja ime është: “JO”! A jam e dëshpëruar? Përgjigjja ime është: “JO”! Çfarë më ka mësuar realiteti? Përgjigjja ime është: Mësimin e moskapërcimit në altruizëm e shndërrimit të të njëjtit në virtyt, pa e përcaktuar kornizën ligjore të mbajtjes gjallë e vertikalisht të origjinës.
Prurjet e reja, hallet e vjetra
Votuesi shqiptar ka një ves simptomatik: “dashuron shumë dhe urren shumë”. Nuk ka mes ende te votuesi shqiptar, sepse është i ushqyer nga mendësia absolutiste dhe dyshimin si fenomen e ka vlerë të vonuar. I paedukuar të dyshojë, ai e ka më lehtë të hidhërohet nëse lidhja fillestare nuk i funksionon sipas prirjeve të anatomisë së tij mendore për bërje politike dhe mbyllet në strofkën e veprimit politik; ose ik, por asesi nuk mundohet të bëjë ndryshimin nga brenda. Bajraktarizëm, apo mungesë guximi? Kjo simfoni dëgjohet prej sa vitesh, që nga pavarësimi i këtij shteti; krijohen parti, përçahen në fraksione, krijojnë të rejat, etablohen, zhbëhen …ka një vazhdimësi jete politike; por me ndërprerje të veprimit e ndikimit politik. Këto çrregullime në Maqedoni i shoh se vijnë më shumë si rezultat i kompromiseve joetike që bëhen në nivel koalicioni ose premtim koalicionesh në të ardhmen; prandaj them se në Maqedoni, pa u filtruar qartë doktrinat e ideologjive partiake për t’u shndërruar në të qëndrueshme, zgjedhjet presidenciale mund të mbarojnë pa President të zgjedhur, por edhe me komuna të shitura pabesisht nga liderët e shqiptarëve tek ato parti politike, të cilat janë më pak të përfaqësuara me votues joshqiptarë. A është altruizmi në politikë ndoshta i ngjashëm me homoseksualizmin te njeriu si vetëdije? Ndoshta edhe po. Them se shqiptari lind si shqiptar dhe guxon gjatë tërë jetës të mbajë fillimisht brengën, të sfidojë për veten e pastaj të tjerët. Kësisoj, ai, asnjëherë nuk asimilohet si njeri shqiptar. Ai përcakton aurën e guximit të tij shqiptar. Lind dhe vdes i tillë. “Njeriu nuk lind homoseksual; ai bëhet i tillë, si rezultat i mosguximit për të njohur veten thellësisht”, - dëgjova të deklarojë Mirushe Hoxha në Alsat; Ose atë që Albin Kurti u tha studentëve të Universitetit Europian në Tiranë: Ne krijuam shtet të ri për kombin shqiptar e jo komb të ri për shtetin e Kosovës”. Pse duhet xhanëm ne shqiptarët të epshohemi përmes rrahjes “t’faleminderimit” në shpinë nga një joshqiptar? A ka emër kjo harbutëri? Kujtohuni, kujtohuni…është dekada e shqiptarëve ky fillimshekulli, e shqiptarëve për shqiptarët; i të gjithë atyre që lindin shqiptarë dhe duan të vdesin shqiptarë.
12 Mars 2009