E Diel, 1 Nëntor 2026

Ambasadorja çeke: “Privatizimi i OSSH-së nuk nënkupton lehtësira për në BE”



“Privatizimi i OSSH-së nga kompania ‘CEZ’ është vazhdim i një historie të gjatë investimesh të Çekisë në Shqipëri, që nuk ka prapavijë politike”. Kështu u shpreh dje nga Elbasani ambasadorja çeke Marketa Fialkova, e cila hodhi poshtë çdo dyshim për favorizim të kompanisë nga qeveria shqiptare, në shkëmbim të lehtësirave për aplikimin në BE. “Ofertat e kompanisë çeke ishte më e mira. Ky privatizim nuk ka asnjë lidhje me lehtësirat ndaj Shqipërisë për aplikim në BE. Kompania ‘CEZ’ është një kompani serioze që ka investime në shumë vende të botës. Ne çekët kemi një histori të gjatë investimesh në Shqipëri, që nga investimet në hekurudhën shqiptare, në ish-kombinatin metalurgjik etj”, tha ambasadorja çeke Fialkova. Më tej ambasadorja çeke ka përforcuar deklaratat se aplikimi i Shqipërisë brenda presidencës çeke është i shpejtuar. Ajo theksoi se veç përmbushjes së standardeve, për pranimin e kërkesës duhen bindur të gjitha vendet anëtare. “Në radhë të parë Shqipëria duhet të përmbushë standardet dhe nëse i plotëson ato ka edhe shanse për aplikim. Vendimi për pranimin e kërkesës së Shqipërisë nuk varet vetëm nga presidenca çeke, por nga të gjitha vendet anëtare dhe të bindësh 27 shtete nuk është e lehtë. Pak kohë më parë ministri i Jashtëm i Çekisë i bëri të ditur qeverisë shqiptare se për momentin është i pamundur aplikimi”, - tha më tej ambasadorja. Këto deklarata ambasadorja çeke i bëri gjatë një takimi në Universitetin e Elbasanit lidhur me sfidat e presidencës çeke të bashkimit europian.

12 Mars 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›