E Diel, 1 Nëntor 2026

BSH miraton rregulloren për monitorimin e bankave të huaja në Shqipëri

Këshilli Mbikëqyrës vendosi funksionimin e kësaj rregulloreje. Nën kontroll do të jenë edhe degët e bankave të huaja

Ervin KOÇI

Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë miratoi dje rregulloren "Për licencimin dhe ushtrimin e veprimtarisë së bankave dhe të degëve të bankave të huaja në Republikën e Shqipërisë". Sipas burimeve zyrtare të Bankës Qendrore, rregullorja e re parashikon forcimin e masave të kontrollit dhe monitorimit për veprimtaritë e bankave tregtare, një pjesë e të cilave janë me kapital të huaj, duke rregulluar mbikëqyrjen përballë krizës financiare ndërkombëtare. Një nga risitë që sjell rregullorja është procesi i riorganizimit të bankës, ndarja e bashkimi), i cili trajtohet së fundi në ligjin “Për tregtarët dhe shoqëritë tregtare”. Rregullorja bën përshtatjen e këtij procesi edhe për bankat që veprojnë në Shqipëri, duke përcaktuar format e ndryshme të riorganizimit të një banke, si dhe kërkesat e dokumentacionin e nevojshëm për t’u paraqitur në BSH për shqyrtimin e kërkesës për miratim për secilin rast në veçanti”. Po kështu, rregullorja parashikon kërkesa të reja lidhur me dokumentacionin, kryesisht në përshtatje të kërkesave të ligjit “Për tregtarët dhe shoqëritë tregtare”, “Për bankat në Republikën e Shqipërisë” dhe “Për Qendrën Kombëtare të Regjistrimit”, të cilat paraqiten si të dhëna që vërtetojnë natyrën dhe burimet financiare të mjaftueshme për fillimin dhe vazhdimësinë e biznesit.

Hartimi i rregullores

Rregullorja “Për dhënien e licencës për të ushtruar veprimtari bankare në Republikën e Shqipërisë” është hartuar në përputhje dhe në zbatim të dispozitave të ligjit “Për bankat në Republikën e Shqipërisë”, të ligjit “Për tregtarët dhe shoqëritë tregtare” dhe të ligjit “Për Qendrën Kombëtare të Regjistrimit”, si dhe duke konsideruar eksperiencat e vendeve të tjera. Kjo rregullore hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në Fletoren Zyrtare të Republikës së Shqipërisë dhe me hyrjen në fuqi të kësaj rregulloreje, shfuqizohet rregullorja ekzistuese “Për dhënien e licencës për të ushtruar veprimtari bankare në Republikën e Shqipërisë”. Në këtë mbledhje, Këshilli Mbikëqyrës shqyrtoi edhe disa materiale të tjera që kanë të bëjnë me aktivitetin e brendshëm të Bankës së Shqipërisë.

Veprimi i rregullores

Rregullorja parashikon kërkesa të reja lidhur me dokumentacionin, kryesisht në përshtatje të kërkesave të ligjit “Për tregtarët dhe shoqëritë tregtare”, “Për banka në Republikën e Shqipërisë” dhe “Për Qendrën Kombëtare të Regjistrimit” të cilat paraqiten si: 1. Të dhëna që vërtetojnë natyrën dhe burimet financiare të mjaftueshme për fillimin dhe vazhdimësinë e biznesit. 2. Komisioni i vlefshmërisë së licencës sipas kërkesës së ligjit “Për bankat në Republikën e Shqipërisë”. 3. Trajtimi i miratimit të veprimtarisë shtesë dhe rasteve të miratimeve të tjera paraprake sipas kërkesave të ligjit “Për bankat në Republikën e Shqipërisë”. 4. Rastet e detyrimeve për njoftim sipas kërkesave të ligjit “Për bankat në Republikën e Shqipërisë”. 5. Kërkesa të tjera që lidhen me biznes-planin duke e synuar këtë si një dokument efektiv për zbatim, të shoqëruar me argumentet e aplikantit për krijimin e bankës, strategjinë për të arritur suksesin, marrjen në konsideratë të kufijve të treguesve prudencialë sipas kërkesave të ligjit “Për bankat në Republikën e Shqipërisë” dhe akteve të tjera normative.

12 Mars 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›