E Shtunë, 31 Tetor 2026

Topalli: “Politika jonë për arsimin, e njëjtë me idetë e Obamës”



Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, ka zhvilluar dje një vizitë në Universitetin “Aleksandër Xhuvani“ në Elbasan. Gjatë fjalës së mbajtur para studentëve Topalli premtoi rritjen e investimeve në fushën e arsimit gjatë mandatit të dytë qeverisës së PD-së. “Në mandatin e dytë investimet në arsim do të shkojnë në 6% të buxhetit të shtetit, nga 4% që janë aktualisht. Te mësuesi dhe nxënësi do të fokusohen politikat tona arsimore”, – është shprehur Topalli. Në takimin me të rinjtë, ku shumica ishin vajza, kryetarja e Kuvendit tha se ndihet krenare që gjatë këtij mandati, arsimi, shkolla dhe mësuesit janë trajtuar si prioritet. “Të përballemi me sfidën e arsimit, është absolutisht investimi me të cilin kurrë nuk humbet. Investimet në arsim shënojnë progresin më të madh të bërë në të gjitha fushat. Buxheti i arsimit është dyfishuar dhe po ashtu janë dyfishuar pagat e arsimtarëve”, – u shpreh ndër të tjera kryetarja e Kuvendit. Gjatë fjalës së saj kryetarja e Kuvendit theksoi se doktrina që e djathta në pushtet ka realizuar në sektorin e arsimit gjendet në të njëjtën sintoni me qëndrimet e presidentit amerikan Obama në këtë fushë.

Berisha, takime në Katar për zhvillimin e energjisë

Gjatë vizitës së tij në Katar, kryeministri Berisha zhvilloi një takim me ministrin e Energjisë dhe Industrisë së Katarit, Abdullah bin Hamada al-Attiyah. Ky takim u zhvillua për të diskutuar më hollësisht lidhur me bashkëpunimin në fushën e energjisë. Në takim, ku mori pjesë dhe shefi Ekzekutiv i Qatari Petroleum Company -QPC, u diskutua lidhur me realizimin e projektit “LNG” në zonën e Semanit, si projekti më i rëndësishëm në fushën e energjisë për vendin dhe për rajonin, një projekt me vlerë rreth 2,5 miliardë dollarë. Ministri i Energjisë shprehu gjithashtu interesimin që të studiojnë edhe mënyrat e shfrytëzimit të depozitave natyrore të gazit që ekzistojnë në Shqipëri, si dhe fusha të tjera bashkëpunimi në sektorin e energjisë nëpërmjet QPC. Një grup ekspertësh teknikë të kompanisë do të vijnë për të diskutuar me grupet e ekspertëve vendas për të konkretizuar idetë e diskutuara. Gjatë bisedës, ministri i Energjisë së Katarit shprehu vlerësimet më të larta për zhvillimet në Shqipëri duke u ndalur veçanërisht në kontributin e Kryeministrit Berisha në hartimin e politikave në përkrahje të investimeve të huaja dhe në suksesin e reformave e revolucionin fiskal.

12 Mars 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›