E Shtunë, 31 Tetor 2026

Privatizimi i OSSH-së i mbetet kompetencë Parlamentit të ri, pas zgjedhjeve

Kontrata do të zhbllokohet vetëm nga Parlamenti i ri . Qeveria luan blofin me privatizimin e 76% të aksioneve

Ervin KOÇI

Edhe pse nga ekspertët e ekonomisë (ndërkombëtar dhe vendas), bërja e privatizimeve strategjike para fushatave elektorale është konsideruar si e gabuar, qeveria shqiptare ka rendur që ta shesë sa më parë OSSH-në. Nevoja për para dhe për bërjen e investimeve elektorale ka detyruar qeverinë që të luaj hapur blofin me shitjen 76 për qind të aksioneve të OSSH-së, kompanisë çeke “CEZ”. Kjo e fundit, edhe pse “de jure” e ka fituar tenderin e privatizimit, “de fakto” do t’i duhet akoma kohë për ta marrë nën administrim sektorin e shpërndarjes së energjisë. Por deri atëherë duhet të rrjedhin akoma sa e sa ujëra, pasi formalizimi i privatizimit do t’i mbesë vetëm Parlamentit të ri që do të dalë nga zgjedhjet elektorale të 28 qershorit 2009. Vetëm Parlamenti është organi legjislativ që do të vendosë në mënyrë përfundimtare me votë privatizimin e këtij sektori dhe për pasojë do të legjitimojë edhe kontratën e shitjes. Që të realizohet kjo duhet të pritet patjetër Parlamenti i ri pasi i vjetri nuk ka mundësinë për ta votuar këtë kontratë sepse afati i shtyrjes nga palët është bërë për 90 ditë, kohë e cila do të përkojë me mbajtjen e zgjedhjeve elektorale dhe humbjen e çdo funksioni legjislativ të Parlamentit të vjetër. Për pasojë, fati i përfundimit të shitjes së OSSH-së mund të vendoset pas zgjedhjeve parlamentare të qershorit, pasi mbyllja në maj e aktivitetit parlamentar, nuk garanton kohën e nevojshme për miratim të kontratës. Por mbi të gjitha asnjë investitor serioz nuk mund të blejë një aset publik përpara zgjedhjeve, kur pushteti mund të pësojë rrotacion.

Kontrata formale

I ndodhur përpara një presioni të fortë politik e mediatik, ministri i Ekonomisë, Genc Ruli, nxitoi dje të informonte publikun se privatizimi i Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes konsiderohet përfundimisht i mbyllur. Për të konfirmuar këtë veprim, ministri Ruli nënshkroi së bashku me përfaqësuesin e kompanisë ceke “CEZ”, Vladimir Skmalz, kontratën e shitjes së 76 për qind të aksioneve të kompanisë. Por firmosja duket se ka qenë vetëm një akt formal, pasi mes qeverisë dhe blerësit nuk është arritur ende një marrëveshje. Përfaqësuesi i kompanisë çeke gjatë një prononcimi për mediat u shpreh se, “negociatat mund të mbyllen pas 90 ditësh”, gjë që në fakt përkon me fushatën e zgjedhjeve, për pasojë shpërndarjen e parlamentit që duhet ta ratifikojë marrëveshjen. Duket se një nga pikat e errëta që ka çuar në shtyrjen e saj është çmimi i energjisë elektrike. Lidhur me këtë të fundit ministri Ruli ka theksuar se, “çmimi nuk do të rritet gjatë këtij viti”, por blerësi, nuk ka të njëjtin mendim. Kjo gjë tregon qartë se kontrata e shitjes së OSSH-së, e trumbetuar me të madhe nga qeveria, përbën në fakt vetëm një akt dhe një dokument formal që mund të shfuqizohet nga Parlamenti i ri.

Rezervat e BB-së

Përfaqësuesja e Bankës Botërore, Camila Naumah, tërhoqi dje vëmendjen se “ky është vetëm fillimi i një rruge të gjatë me sfida mjaft të mëdha për disiplinimin e sektorit energjetik shqiptar, që konsiderohet si një nga më problematiket në Europë”. Në emër të BB-së, Naumah tha se “duhet të përmirësohet performanca e OSSH-së pasi shpërndarja e energjisë ka qenë problem në shumë vite”. BB shprehet se për OSSH-në mbetet sfidë e së ardhmes rritja e të ardhurave dhe ulja e humbjeve. BB-ja dhe IFC-ja kanë këshilluar qeverinë shqiptare në ndarjen e kompanisë, ristrukturimin e transaksionit dhe në mbarëvajtjen dhe realizimin e një procesi tenderimi të hapur, transparent dhe konkurrues. Në tetor të vitit 2008, “CEZ” u zgjodh si kompania fituese e tenderit, vendim që u konfirmua nga qeveria. Vlera e kontratës është 102 milionë euro.

Reagimi i IFC-së

Drejtori për Departamentin e Europës Jugore dhe Azisë Qendrore në IFC, Shahbaz Mavaddat, nënvizoi se "privatizimi i OSSH-së është rezultat i përpjekjeve këshillimore për të siguruar një proces të drejtë, të hapur dhe transparent, duke u mbështetur edhe në bashkëpunimin e mëparshëm konstruktiv që kemi pasur me qeverinë shqiptare. Qeveria shqiptare dhe IFC-ja kanë punuar së bashku në përmirësimin e infrastrukturës së vendit që nga viti 2006, duke filluar me përgatitjen dhe aprovimin e ligjit të ri të koncesionit. Më pas, IFC-ja ka këshilluar qeverinë për dhënien me koncesion të Hidrocentralit të Ashtës, i pari në rajon që ndoqi praktikat më të mira për një proces tenderimi të hapur konkurrues, duke trajtuar me kujdes çështjet sociale dhe mjedisore. Zyra e BB bën të ditur se, shërbimi këshillimor në infrastrukturë i IFC-së në Europën Juglindore është pjesë e programit të përbashkët financuar nga qeveritë e Austrisë, Italisë, Holandës, Norvegjisë, Zvicrës dhe Shteteve të Bashkuara. IFC është pjesë e Grupit të Bankës Botërore, që ndihmon në përmirësimin e jetës së njerëzve dhe ul varfërinë, i cili synon një zhvillim ekonomik të qëndrueshëm në vendet në zhvillim, duke mbështetur sektorin privat, mobilizuar kapitale private dhe duke ofruar shërbime këshillimore dhe shërbime për zvogëlimin e riskut për bizneset dhe qeveritë.

Çmimi i energjisë

Ministri i Ekonomisë, Genc Ruli, ka garantuar dje se çmimi i energjisë nuk do ndryshojë. Pas nënshkrimit të kontratës për privatizimin e 76 për qind të aksioneve të OSSH-së, në një konferencë për shtyp, Ministri i Ekonomisë, Genc Ruli garantoi se “çmimi i energjisë do të mbetet i pandryshuar për qytetarët”. Gjatë ceremonisë së nënshkrimit të kontratës, ministri i Ekonomisë, Ruli, tha se "jemi të sigurt që CEZ do të përmirësojë ndjeshëm furnizimin me energji elektrike në Shqipëri, duke përmbushur në këtë mënyrë kërkesat e klientëve". Sipas tij, "zgjedhja e CEZ-it dhe procesi i tenderimit u zhvillua bazuar në praktikat më të mira ndërkombëtare dhe në këtë drejtim, ne jemi shumë të kënaqur me bashkëpunimin tonë me IFC-në".

CEZ premton fushatë “agresive” investimesh në energji

Vladimir Skmalz, drejtor në CEZ, theksoi dje se "grupi CEZ ka një eksperiencë të gjatë dhe të madhe në ristrukturimin e kompanive të shpërndarjes në Republikën Çeke, Bullgari dhe Rumani. Ne jemi shumë të kënaqur që të ofrojmë këtë përvojë në të mirë të sektorit shqiptar të shpërndarjes të energjisë elektrike". Ai deklaroi se çekët janë gati të nisin punën në OSSH-ë dhe do të operojnë kryesisht në Europën Juglindore. Shkmalz tha se çeket do të sjellin eksperiencën e tyre për të rritur performancën e OSSH-së. CEZ është një ndër kompanitë energjetike, që udhëheq në Evropën Qendrore, me 7 milionë klientë dhe me një kapacitet të instaluar për prodhimin e energjisë, energjisë nukleare, nga qymyri dhe hidrocentraleve prej 14 300 MW. Grupi CEZ renditet ndër dhjetë kompanitë energjetike më të mëdha në Evropë. Përveçse në Republikën Çeke, Grupi “CEZ” operon në më shumë së dhjetë vende të Europës Qendrore dhe Juglindore.

12 Mars 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›