Importi i energjisë, Komisioni i Ekonomisë voton heqjen e taksës doganore 2%
Komisioni Parlamentar i Ekonomisë dhe Financave miratoi dje ndryshimet e propozuara në ligjin "Për miratimin e niveleve të tarifës doganore", të cilat parashikojnë heqjen e taksës doganore prej 2% për importin e energjisë elektrike. Sipas ekspertëve të Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave, heqja e kësaj takse erdhi në kuadër të traktatit të krijimit të komunitetit të energjisë, ndërmjet Komunitetit Europian dhe vendeve ballkanike, përfshirë edhe Shqipërinë, i cili përcakton një sërë masash të karakterit ligjor dhe ekonomiko-financiar, të cilat duhet të zbatohen nga shtetet anëtare. Konkretisht, në këtë traktat përcaktohet se, "palët do të eliminojnë taksat doganore dhe kufizimet sasiore mbi importin dhe eksportin e energjisë dhe të gjitha masat që kanë efekt të njëjtë. Ky ndalim do të zbatohet edhe për tarifat doganore me natyrë fiskale". Heqja e kësaj takse, sipas ekspertëve të doganave shqiptare, ka efekte financiare që rrjedhin nga pagesa e kësaj takse në buxhetin deficitar të KESH sh.a-së. Efekti financiar i pritshëm nga reduktimi i kësaj tarife doganore, i llogaritur në bazë të importit të bërë për vitin 2008, në sasi dhe në çmim, parashikohet të jetë rreth 488 milion lekë. Kuvendi i Shqipërisë ratifikoi në vitin 2006 traktatin e krijimit të komunitetit të energjisë ndërmjet Komunitetit Evropian dhe vendeve ballkanike, i cili pati për bazë procesin e Athinës dhe memorandumet e dala prej tij të viteve 2002-2003. Ky traktat ka për qëllim krijimin e një hapësire të vetme apo të një tregu të përbashkët, fleksibël, rregullues dhe të qëndrueshëm që të gjitha palët të kenë akses në furnizimin me energji elektrike, si dhe krijimin e kushteve lehtësuese për investime në sektorin e energjisë elektrike dhe përballimin e çdo krize të mundshme afatshkurtër apo afatgjatë, lidhur me to.
Dhomat tregtare të Ballkanit, sot në Tiranë për krizën financiare botërore
Efektet e krizës globale mbi ekonomitë e vendeve të rajonit dhe masat e marra nga biznesi për përballimin e saj, do të jenë sot në qendër të mbledhjes së Asamblesë së Përgjithshme të Dhomave të Tregtisë së Ballkanit, kryesinë e së cilës e mban Shqipëria.
Gjatë kësaj konference që do të zhvillojë punimet në Tiranë, synimi është “të dalim me masa konkrete si përfaqësues të bizneseve për përballimin e krizës, me aq sa shfaqet ajo në rajonin tonë". Sipas Ilir Zhillës, president i Asamblesë së Përgjithshme të Dhomave të Tregtisë së Ballkanit dhe i Unionit të Dhomave të Bizneseve Shqiptare, "kësaj situate duhet ti përgjigjemi shpejt dhe me vrull për ti qartësuar bizneset, duke i orientuar në tregjet e njëri tjetrit". Takimi mbështetet nga Dhoma e Tregtisë së Gjermanisë. Aty do të diskutohen masat që duhen marrë në sektorë të veçantë të ekspozuar nga kriza globale si industria, tregtia, sistemi bankar, ndërtimi, shërbimet etj. Ne këtë takim do të marrin pjesë përfaqësuesit e unionit të Dhomave të Tregtisë së Turqisë, Greqisë, Bullgarisë, Rumanisë, Serbisë, Malit të Zi dhe Maqedonisë.
12 Mars 2009