E Shtunë, 31 Tetor 2026

Alushi, i pavendosur për të ardhmen

Enis Alushi është i pavendosur për të ardhmen. Futbollisti kosovar ka kontratë me Paderbornin vetëm deri në fund të sezonit, kështu që ai pritet ta bëjë hapin e radhës në karrierë, duke mos e përjashtuar mundësinë që të luajë në elitën e futbollit gjerman.

Për shërbimet e futbollistit të krahut, interesim ka shfaqur Hannoveri, ku luan futbollisti tjetër shqiptar, Altin Lala. Menaxheri i 26 vjeçarit, disa herë është takuar me drejtuesit e klubit nga Bundesliga, kështu që kuqezinjtë mund të jenë e ardhmja e ish përfaqësuesit U-20 të Gjermanisë.

“Dëshiroj ta bëj hapin e radhës në karrierë. Por, njëherë po mendoj që ta ndihmoj Paderbornin këtë sezon. Do të mundohemi që t’i shmangemi rënies nga Bundesliga 2. Kështu që, pres një pranverë të suksesshme, si në nivelin individual, ashtu edhe në atë kolektiv”, deklaroi mesfushori kosovar, i cili aktualisht gjendet në Belek të Turqisë me ekipin e Paderbornit, në përgatitjet për sezonin pranveror.

- “Kam marrë disa oferta, por e kam ndërmend të bisedoj edhe me Paderbornin. Nuk ka asgjë konkrete për momentin. Por, duhet të jetë objektiv i secilit lojtar të luajë në ligën e parë. Nuk dëshiroj ta qaj më vonë mundësinë e lëshuar, kështu që, nëse arrin ndonjë mundësi, do ta shfrytëzoj”, theksoi futbollisti mitrovicas.

Drejtuesit e Paderbornit janë ndarë të kënaqur me formën që e shfaqi Alushi në përgatitje dhe do të tentojnë që ta bindin atë që të qëndrojë në ekipin nga liga e dytë gjermane.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›