E Shtunë, 31 Tetor 2026

Federata Shqiptare e Futbollit hedh poshte dyshimet per trukime

E vërtetë apo jo e vërtetë? Zyrtarisht, nga institucioni flitet me forcë se nuk ka bazë për dyshime, por pikërisht dyshimet janë tepër të forta. Përgjimet telefonike në Greqi kanë nxjerrë edhe dy ndeshje të Shqipërisë si të dyshuara, pikërisht miqësoren e luajtur në Argjentinë, humbur 0-4 në qershor të vitit të kaluar dhe miqësoren tjetër, fituar 3-2 në Shkodër ndaj Malit të Zi, po në gusht të 2011-ës.
Në një tabulat telefonik përmendet emri i ish-trajnerit të Shqipërisë, Josip Kuzhe, ndonëse jo fjalë të tijat. Sipas dy bashkëbiseduesve, është folur me kroatin për të, madje paska qenë vetë Kuzhe që e paska nisur lojën, duke telefonuar.
Sipas tyre, po Kuzhe ka propozuar dy ndeshjet e kombëtares në të cilat sipas tij mund të bëhet gjithçka.
Pra, dyshohet për manipulime, ndërsa vetë Federata Shqiptare e Futbollit (FSHF) doli me një deklaratë që shpreh besim të plotë tek Kuzhe dhe tek futbollistët e kombëtares.
Natyrisht, nuk pritej që Federata të kishte qëndrim tjetër, çdo institucion i mbron njerëzit e tij, ndërsa nga drejtuesit e futbollit shqiptar premtohet bashkëpunim dhe transparencë mbi bazën e ligjeve.
Veçse, në një klimë që rrethon Shqipërinë, me skandale trukimesh në Itali, Spanjë, Turqi apo Greqi, nuk të duket aspak e habitshme që ka shpërthyer një skandal që na përfshin. Nga e thëna në të bërë mbetet një det i tërë, por e rëndësishme është të hetohet. Dhe, na duket sikur jemi më të qetë tani, edhe pse kjo mund të jetë paradoksale.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›