E Shtunë, 31 Tetor 2026

Krasniqi: Protestën nuk do e quaja të dështuar

Kryeparlamentari Jakup Krasniqi dhe zyrtarë nga partitë opozitare, LDK-ja e AAK-ja e kanë mirëpritur vendimin e Lëvizjes Vetëvendosje për të ndërprerë protestën e djeshme dhe sugjeruan që zgjidhjet të kërkohen brenda institucioneve.

Ata vlerësuan si shumë të rëndësishëm faktin se kjo protestë ka përfunduar e qetë dhe pa ndonjë incident, ndërsa i kanë Qeverisë së Kosovës që të angazhohet në zbatimin e reciprocitetit.

Këto vlerësime janë dhënë të hënën pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit, me me ç’rast kryetari Krasniqi ka informuar se me datën 26 janar do të mbahet edhe seanca së radhës, ku do të procedohen disa ligje në lexim të parë.

I pyetur nga mediat lidhur me protestën e djeshme, kryekuvendari tha se i vjen mirë që Vetëvendosje ka ndërprerë protestën dhe tash duhet shikuar për të gjetur zgjidhje institucionale.

“Jo. Nuk do ta quaja të dështuar. Mua më vjen mirë që ata kanë marrë vendim për ta ndërprerë. Por konsideroj që edhe mocioni që është votuar në seancën e kaluar e lenë në obligim Qeverinë për të respektuar reciprocitetin. Kështu që konsideroj se vendimi për ta ndërprerë protestën dhe për t’iu kthyer punës në institucione e vlerësoj si një mendim dhe vendim shumë të arsyeshëm”, ka thënë Krasniqi.

Nga ana tjetër shefi i Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Ismet Beqiri nuk ka dashur të jap ndonjë vlerësim se ishte apo jo e drejtë protesta e Vetëvendosjes, por ka thënë se zgjidhjet duhet të kërkohen brenda institucioneve.

“Sigurisht ne e kemi thënë se e drejt demokratike është protesta, por e kemi thënë edhe si Lidhje Demokratike për ne zgjidhjet e vetme janë brenda institucioneve, janë zgjidhjet institucionale dhe kjo mundësi ekziston. Disa herë e kemi thënë dhe asnjëherë nuk është e mjaftueshme me përsërit që sado që kjo Qeveri nuk po e bënë punën siç duhet, që ka shumë lëshime, shumë papërgjegjësi, megjithatë është Qeveri dhe përderisa qytetarët me votë nuk e qojnë në shtëpi mendoj që këta duhet kryer punën sikundër edhe institucionet e tjera që është edhe Kuvendi si organi më i lartë ligjvënës”, ka theksuar ai.

Në këtë rast, Beqiri ka kujtuar ekzekutivin se ka për obligim që marrëveshjet të cilat arrihen mes Kosovës dhe Serbisë në Bruksel të ratifikohen në Kuvend.

Beqiri nuk ka dhënë edhe një përgjigje të prerë nëse LDK-ja do të përkrahë Vetëvendosjen, për të dërguar në Kushtetuese mocionin e fundit që u nxor në Kuvendin e Kosovës.

Ndërsa, shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Ardian Gjini ka thënë se protestat e një partie politike mund të jenë mjet për ndryshuar pushtetin, por nuk janë alternativë në vetvete.

“Protestat qoftë ato të një partie politike apo popullore, aq me tepër të një partie politike mund të jenë një mjet pune për ta ndryshuar pushtetin e keq, i cili ekziston në Kosovë, por nuk janë alternativë në vetvete. Do të thotë për popullin e Kosovës, protestat, bllokimi i rrugëve nuk janë alternativë, ato mund të jenë një mjet për të ardhur në pushtet, për partitë politike mund të jenë një mjet për të ushtruar presion. Mirëpo. Kosovës i duhet një alternativë politike, evropiane, demokratike, e cila do ta ndryshojë pushtetin aktual në Kosovë, i cili është skajshëm abuzues qoftë me paranë publike, qoftë me ndjenjat e njerëzve, dhe liritë e tyre në Kosovë”, ka thënë Gjini.

Në mbledhjen e sotme është vendosur Kryesia e Kuvendit të mbajë mbledhjet e saj të hënave, për shkak të seancave të cilat duhet të organizohen të enjteve dhe të premteve. /Kosovapress/

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›