E Shtunë, 31 Tetor 2026

Lufte civile tek Reali

Kur e thotë edhe vetë madrilenia, gazeta “Marka”, atëherë normalisht që duhet të jetë e vërtetë. Ose, më qartë, është e vërtetë. Është tensionuar tej mase klima në skuadrën e Realit, pas humbjes së fundit në “El Klasiko” ndaj Barcelonës në “Bernabeu” dhe bëhet fjalë për debate mes Zhoze Murinjos në një anë dhe Sergio Ramosit e Iker Kasijasit në krahun tjetër.
Gazeta boton debatin të cilin e nis pikërisht trajneri duke iu drejtuar Ramosit, por edhe të tjerëve.
“Ju të gjithë më vratë para gazetarëve”, ishin fjalët e Murinjos së acaruar, ndërsa Ramos iu përgjigj më i përmbajtur duke i thënë se “jo, mister, ju keni lexuar vetëm ato që kanë shkruar gazetat, jo gjithçka që kemi thënë ne”.
Murinjo vazhdon me sulmin e tij duke shtuar se “kjo është e qartë, ju spanjollët keni dalë kampionë të botës dhe miqtë tuaj të medias ju mbrojnë, siç ndodhi me portierin”.
Murinjo i referohej Kasijasit, ndërsa kapiteni ndodhej 30 metra larg duke vazhduar stërvitjen, por duke e dëgjuar atë që tha portugezi. Dhe Murinjo lëshoi një thirrje që 30 metra larg: “Mister, këtu gjërat thuhen në fytyrë, apo jo”.
Murinjo nuk preferoi t’i përgjigjej kapitenit, por iu vërsul edhe një herë Sergio Ramosit, duke i kërkuar llogari: “Kë po markoje në rastin e golit të parë?” duke marrë përgjigjen “po markoja Pikenë”. “Por duhej të markoje Pujolin”, - vazhdoi Zhoze.
Ramos u përgjigj duke i thënë se kishin vendosur të ndërronin mbulimin, për shkak se po bëheshin gabime ndaj Pikesë dhe Murinjo vazhdon me ironi “aha, tani po bën edhe rolin e trajnerit”.
Përgjigja e fundit e mbrojtësit ishte tepër e ashpër dhe qartësisht ofenduese për trajnerin e tij.
“Nuk po bëj rolin e trajnerit, por gjithçka varet nga situata e ndeshjes, - tha ai, - ka raste që duhen ndërruar rolet, por meqë ju nuk keni qenë kurrë futbollist, nuk mund ta kuptoni se këto gjëra ndodhin ndonjëherë”.
Vështirë se ky debat ka nevojë për koment, por pritet të shihet se çfarë do të ndodhë. Pasi, nëse të sulmon “Marka”, kjo nuk është shenjë e mirë për një trajner të Realit.
 

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›