E Shtunë, 31 Tetor 2026

Seria A rikthehet Milani

Milani rikthehet te fitoret, bën një shëtitje në fushën e Novarës dhe harron humbjen në derbin me Interin. Kuqezinjtë triumfojnë me rezultatin 3-0, falë një Zlatan Ibrahimoviç që tërheq të gjithë skuadrën.
“Djalli” merr tri pikë shumë të rëndësishme, pavarësisht mungesave të shumta, megjithatë treguan mjaft probleme në pjesën e parë e takimit. Në fakt, në përfundim të 45 minutave, më të mirët në fushë ishin portiere shqiptar, Samir Ujkani dhe sulmuesi i Novarës, Karaçolo.
Në fraksionin e dytë të lojës, gjithçka ndryshon, me Milanin që zhbllokon rezultatin në të 57-ën me Ibrahimoviç. Suedezi mposht me një goditje fluturimthi Ujkanin, por edhe pse aksioni nisi me një prekje të dukshme me dorë të Noçerinos, rrjeta u cilësua e rregullt.
Në të 74-ën miqtë dyfishuan shifrat me Robinjon, që ka detyrën vetëm ta shtyjë sferën në portë, pas një shpërthimi të italo-algjerianit, El Sharaui. Kur gjithçka kishte përfunduar, Milani realizoi edhe golin e tretë me Ibrahimoviç, në minutën e dytë shtesë të takimit.
Me këtë fitore, skuadra e Alegrit mban ritmin e Juventusit kryesues. Bardhezinjtë, që u shpallën kampionë të dimrit me 41 pikë, pas fitores në fushën e Atalantës, ndërsa Milani ka një pikë më pak.
Fiton edhe Udineze, që nuk shkëputet nga kryesueset me 38 pikë. Fruilianët mposhtën me rezultatin 2-1 Katanian, me golat e Armeros e Di Natales.
Në ndeshjet e tjera të javës së 19-të, Palermo mposhti 5-3 Xhenoan, ndërsa katër sfida të tjera u mbyllën në barazim. Napoli mori vetëm 1 pikë në fushën e Sienës, me takimin që u mbyll me rezultatin 1-1, Bolonja-Parma dhe Kaljari-Fiorentina përfunduan 0-0, ndërsa Leçe-Kievo 2-2.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›