E Shtunë, 31 Tetor 2026

Statistikat e ekipit pa humbje

Juventus, të shtunën u shpall kampion vjeshtor në Serie A. Një tjetër fakt që i bën të veçantë këtë sezon Bianconerët është ai se ata janë aktualisht skuadra e vetme ende e pamposhtur, nga ligat kryesore evropiane. Statistikat nga e kaluara shkojnë në favor të tyre. Në shumicën e rasteve, skuadra që del në krye pas përfundimit të pjesës së parë të sezonit, feston edhe në fund të tij.

Ishte sezoni 2006-2007, kur Juventus fitoi titullin e tij të fundit. Jo në Serie A por në B, pas përjashtimit nga liga elitare pas skandalit Calciopoli. Atë vit, Bianconerët ishin inkuadruar nga liga e dytë së bashku me Napolin dhe Genoan. Alessandro Del Piero ishte golashënuesi më i mirë kurse Juventus ishte shpallur kampion vjeshtor. Të tillë janë edhe këtë edicion.

Me fitoren ndaj Atalantas, skuadra e Antonio Contes mori këtë epitet, që në realitet nuk vlen shumë duke pasur parasysh se ende është gjysma e kampionatit dhe deri në fund zhvillohen 38 ndeshje. Por, krijimi i një bazë të këtillë, të sigurt, përgatit terrenin për një sukses të mundshëm në fund të sezonit. Në 68 për qind të rasteve kur Juventus ishte shpallur kampion vjeshtor, kishte triumfuar edhe në fund. Hera e fundit kur ishte i pari në gjysmën e sezonit por nuk festoi në fund ishte më 2000-2001 kur përfunduan prapa Romës.

Scudetto i fundit “zyrtar” është ai i 2002-2003. Në ndërkohë, Juventus është renditur i pari në vjeshtë edhe në dy herë tjera, më 2004-2005 dhe 2005-2006, por të dy këta tituj iu morën, kurse i pari iu dha Interit. Megjithatë, numrat janë në anën e Juventusit: prej kur Serie A formohet nga 20 skuadra, kampioni vjeshtor është shpallur edhe kampion i Italisë. Shtatë raste nga shtatë kampionate.

Për më tepër, Juventus është skuadra e vetme nga ligat kryesore evropiane, që ende nuk ka pësuar humbje. Trajneri Antonio Conte ka barazuar rekordin e ligës të Nereo Rocco dhe Niels Liedholm (të dy me Milanin) prej 19 ndeshjeve pa humbje. Juventusi i këtij viti mund të mos jetë i njëjti nga 2006-a. Në atë vit, skuadra pas përfundimit të pjesës së parë të sezonit kishte tubuar 52 pikë, kurse këtë edicion ka 41.

Një tjetër fakt që i shkon për shtati Bianconerëve është përqendrimi i plotë në Serie A dhe Coppa Italia pasi nuk bëjnë gara në Ligën e Kampionëve ose Europa League. Në përgjithësi, statistikat shkojnë në favor të klubit torinez: 16 herë nga 24, primati vjeshtor është edhe ai përfundimtar, një skuadër e cila që tani për tani funksionon dhe ende nuk ka humbur asnjë ndeshje kampionale, një kalendar më pak i ngjeshur se ai i rivalëve të tjerë janë të gjitha sinjale që ngjallin shpresa të mëdha te tifozët e Juventusit.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›