Cigaret, Krimet e Rënda vlerësojnë masën e arrestit
10/04/2005 TIRANË - Rishqyrtohet në Gjykatën e Krimeve të Rënda masa e arrestit, dhënë për ekuipazhin e anijes "Eni", në fillim të prillit. Rreth orës 10.00 të paradites së djeshme, dosja me emrat e marinarëve të anijes "Eni", u shqyrtua nga gjyqtari Idriz Mulkurti. Pasi dosja me emrat e të pandehurve i kaloi Prokurorisë për Krime të Rënda, i takonte gjykatës së kësaj kategorie të jepte vlerësimin e masës. Kështu dje, prokurorët e çështjes sollën në gjykatë dosjen dhe të pandehurit, duke i vënë në dijeni për veprën penale. Sipas akuzës, të pandehurit u njohën me faktin se, tashmë vepra e tyre do të gjykohet nga Krimet e Rënda. Kalimi te Krimet e Rënda u bë pas verifikimit se kontrabanda ishte bërë në bashkëpunim. Pra, vepra është kryer në grup. Dosja penale me emrat e personave që dyshohet se kanë kryer kontrabandë me mallra për të cilat paguhet akcizë, ka mbërritur në Gjykatën e Krimeve të Rënda. Kalimi i kësaj dosje te Krimet e Rënda është bërë për shkak se disa prej të pandehurve, kryesisht pronari i anijes, menaxheri i firmës, akuzohen edhe për ngritjen e një grupi kriminal. Ndërsa në pranga kanë rënë marinarët, nuk është arrestuar ende pronari i anijes "Eni", Fatmir Zotaj, i shpallur në kërkim. Për të, gjykata ka dhënë masën e arrestit në mungesë. Pasi është dhënë masa e arrestit nga Gjykata e Durrësit, dosja penale ka kaluar për hetim në Prokurorinë e Krimeve të Rënda, me kërkesë të prokurorit të Prokurorisë së rrethit Durrës. Menjëherë ishte kjo prokurori që ka depozituar në gjykatë dosjen për të bërë vlerësimin e masës së arrestit. Vlerësimi i masës u bë nga gjyqtari Idriz Mulkurti. Kontrabanda e cigareve kaloi te Krimet e Rënda, pasi u vërtetua se ai ishte një trafik i vazhdueshëm dhe numri i personave të përfshirë në këtë skandal ishte tepër i madh. Hetimet kanë nxjerrë emra personash të dyshuar për një trafik të lidhur midis dy vendeve, Italisë dhe Shqipërisë. Gjithsesi hetimet e mëtejshme do të vërtetojnë përfshirjen ose jo të personave me pushtet në këtë trafik të cigareve. Sasia e mallit të kapur arrin shifra të mëdha. Në magazinën e pronarit të anijes, Fatmir Zotaj, u sekuestruan 7 kontenierë me 7188 koli me 3.594.000 paketa gjithsej.