Korçë, dyndje për pasaportat
KORÇE/ JORGJETA GJANÇI
Dyndje e madhe emigrantësh tek sportelet e shpërndarjes së pasaportave biometrike në Korçë. Sipas tyre marrja e këtij dokumenti identifikimi është kthyer në një torturë të vërtetë. Kjo për faktin se kompania "Aleat" nuk po i përgjigjet në kohë kërkesës së tyre për të marrë këtë dokument pas aplikimit. Ka emigrantë që kanë aplikuar prej dy muajsh dhe ende nuk u është bërë dokumenti, ndërkohë që edhe për të pyetur nëse e kanë gati apo jo pasaportën duhet të mbajnë radhë të gjatë. Një pjesë e madhe ishin mbledhur para zyrës së aplikimit, duke reaguar të revoltuar për vonesat. Asllan Guri, nga fshati Peshtan i Korçës, i revoltuar që kishte mbajtur radhë për rreth 4 orë dhe nuk e kishte marrë pasaportën mes të tjerash u shpreh: "Mbajta radhë, i bindur që pasaporta ime do të ishte gati. Kur aplikova më thanë se do të ma bënin për dy javë. Unë kam aplikuar më 7 korrik dhe sot jemi 2 shtator e nuk më kishte ardhur. Edhe tri ditë afat kam e pastaj më përfundon afati i kalimit në Greqi, por edhe leja. Nga t'ia mbaj unë, humbas jo vetëm vendin e punës, por edhe të drejtën për të kaluar në Greqi. Pse na mashtrojnë kështu?". Ndërsa emigrantë të tjerë kërkonin të dinin nëse u ishte përgatitur pasaporta biometrike apo jo. "Pse nuk bëjnë një listë me emrat e atyre që u ka ardhur pasaporta e ta varin tek xhami, po na torturojnë të gjithëve kështu?! Secili shkon shikon listën dhe nuk është nevoja të mbajë radhë. Pastaj edhe për të punuar punojnë ngadalë. Të gjithë jemi emigrantë dhe na duhet të ikim sa më parë se na humbet vendi i punës, se përfundon edhe afati i lejes që ka lëshuar Qeveria greke për t'u kthyer pas pushimeve". Në pritje për të marrë pasaportën biometrike ishin me dhjetëra emigrantë. Dikush kërkonte të merrte dokumentin e vet, por shumica ato të fëmijëve. Enkelejda, një grua që kishte me vete tre fëmijë të vegjël u ankua: "Kërkohet që të firmosim ne prindërit. Duhet të vijmë një herë tjetër enkas për të marrë pasaportat. Po ne jemi larg, deri në Kretë, dhe vijmë një herë në tre vjet me pushime".