E Diel, 1 Nëntor 2026

Zona muzeale mes ndërtimeve pa leje

 

GJIROKASTER - Godinat pa leje që i kanë zënë "frymën" zonës muzeale të Gjirokastrës, në pritje të legalizimit. Janë afro 170 ndërtime pa leje, të cilat gjenden në zonën historike të Gjirokastrës. Konstatimi është kryer nga ana e punonjësve të ALUIZNI-t në Qarkun e Gjirokastrës. Sipas kreut të kësaj agjencie Daut Mezini, shumica e ndërtimeve pa leje për specialistët që i kanë parë në terren gjatë kohëve të fundit, i plotësojnë kriteret e vendosura pasi janë me dritare druri, me çati me tjegulla ngjyrë gri ashtu siç janë të gjitha ndërtimet e vjetra muzeale, duke mos prishur koloritin tradicional, si dhe brenda kritereve të kërkuara. Sipas Mezinit është hartuar një dosje e plotë me të gjitha ndërtimet e reja në zonën historike të qytetit kryesisht në lagjen "Palorto", si dhe në pjesën e Pazarit Karakteristik. Të gjitha vlerësimet janë hedhur të përpiluara në dosje, e cila do të çohet në Ministrinë e Kulturës dhe Turizmit, pasi është ky dikaster që do t'i vërë vulën përfundimtare nëse ato duhet të legalizohen apo prishen. Ministria do të japë vendimet përkatëse ndërkohë që autoritetet lokale janë në pritje për ndërhyrje në zonën më të bukur të qytetit të gurtë. p.n

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›