E Diel, 1 Nëntor 2026

Qeveria me Berishën, për integrimin evropian dhe zhvillimin ekonomik të Shqipërisë

Ilir Meta përforcon qëndrimin se qeveria PD-LSI, do të jetë e suksesshme

“Rama për interesa personale po cenon ato të vendit të tij. Mendoj se është shumë më mirë të bësh marrëveshje me kundërshtar shumë të fortë, të vështirë por serioz, sikurse është zoti Berisha, se sa të humbasësh kohë me njerëz që nuk merren vesh as me veten, as me partinë e tyre”

TIRANE – Qeveria do të jetë e suksesshme dhe do të realizojë dy nga objektivat më madhorë si integrimi evropian dhe zhvillimi ekonomik i Shqipërisë. Kështu u shpreh dje kreu i LSI-së Ilir Meta, duke iu referuar koalicionit të ri qeverisës me Partinë fituese të zgjedhjeve të 28 qershorit, PD-në. Pas zyrtarizimit të marrëveshjes për bashkëqeverisje me kryeministrin Sali Berisha, kryetari i LSI Ilir Meta nuk dyshon në suksesin e kësaj qeverie dhe prioritetet e forcës që përfaqëson.
“Marrëveshja me Partinë Demokratike ka për synim integrimin evropian të vendit. Është hera e parë që realizohet një marrëveshje që hedh themelet e një stabiliteti afatgjate në vend”, u shpreh Meta.
Nisur nga ky bashkëpunim, Meta nuk mohoi mundësinë e bashkëpunimit me Partinë Demokratike edhe pas vitit 2013, për të cilën theksoi se fjalën kryesore do ta thonë shqiptarët. “Ne nuk kemi përse të diskutojmë për çështje të cilat nuk janë të sotmet. Se sa e gjatë është kjo rrugë, unë këtë nuk mund ta them sot me bindje të plotë, pasi do të na duhet të dëgjojmë shqiptarët në vitin 2011 dhe në vitin 2013, sepse ata do të kenë fjalën kryesore”, u shpreh Meta.
Duke folur për fatin e së majtës, Ilir Meta akuzon Edi Ramën se për interesa personale po cënon ato të vendit të tij, duke e ftuar PS-në të bëjë detyrën, atë të opozitës së fortë dhe konstruktive. “Për fat të keq Edi Rama synon të cenojë imazhin e vendit, stabilitetin e tij. Sepse dihet që edhe ato mangësi që u vunë re në zgjedhje vijnë vetëm si rezultat i insistimit të tij për të bërë një Kod zgjedhor problematik. E majta ka dy detyra sot në Shqipëri, një përmes LSI për të kontribuar për qeverisjen e vendit, për integrimin evropian. Ka dhe një detyrë tjetër, që e ka PS për të realizuar një opozitë sa më të fuqishme”, theksoi kryetari i LSI.
I pyetur për zërat ndryshe në LSI, Ilir Meta shprehet se ka pritur të takohet me ata që janë shprehur kundër këtij koalicioni, por ftesës së tij për të dëgjuar alternativa të tjera, këta njerëz i janë përgjigjur në heshtje.
Dy ditë më parë kryeministri Berisha dhe kreu i LSI Ilir Meta zyrtarizuan marrëveshjen e tyre për qeverisjen e 4 viteve të ardhshme nga e cila LSI përfiton postin e Zëvendëskryeministrit dhe ministrit të Jashtëm, që do të mbahen nga vetë kryetari i saj, postin e ministrit të Ekonomisë dhe Energjetikës që do të mbahet nga Dritan Prifti dhe drejtimin e Ministrisë së Shëndetësisë nga Petrit Vasili.
Ndonëse mediat kanë përfolur rikthimin e Metës në drejtimin e Ministrisë së Jashtme, ndërsa ai vetë ka shpjeguar se prioritet mbetet integrimi dhe se drejtimi i diplomacisë nuk ka qenë qëllimi i tij kryesor.
“Ne nuk kemi synuar pozicione fikse në qeveri. Fikse kanë qenë prioritetet tona, që kanë të bëjnë me integrimin dhe Ministria e Jashtme ka një rol kyç për procesin integrues”, nënvizoi kreu i LSI.
Gjithashtu, Meta e vlerëson kryeministrin Berisha si kundërshtar të fortë dhe serioz. “Mendoj se është shumë më mirë të bësh marrëveshje me kundërshtar shumë të fortë, të vështirë por serioz, sikurse është zoti Berisha, se sa të humbasësh kohë me njerëz që nuk merren vesh as me veten, as me partinë e tyre”, u shpreh Meta.

Drejtoria e Burgjeve hedh poshtë alibitë e turpshme të Ramës

Një javë para zgjedhjeve të 28 qershorit, nuk janë dhënë leje për të dënuarit

TIRANE – Akuzat e kryetarit të Partisë Socialiste Edi Rama për lejet e të dënuarve që janë dhënë për fushatën zgjedhore si dhe gjatë ditëve të votimit kanë marrë përgjigje edhe nga drejtori i përgjithshëm i burgjeve Gazmend Dibra. Por duket se këtij zërit i shtohet edhe një tjetër. Burime të sigurta nga burgjet bëjnë të ditur se javën e fundit para ditës së votimit drejtoria e burgjeve i ka pezulluar të gjitha lejet për të dënuarit. Pikërisht arsyeja e pezullimit të këtyre lejeve sipas burimeve është që këta të dënuar mos të ndikonin në votim. Kështu akuzave që drejtoria e burgjeve u ka dhënë leje të dënuarve për fushatë dhe këta të dënuar kanë ndikuar në rezultatin e zgjedhjeve duket se po bien poshtë nga fakte dhe informacione të reja që po dalin çdo ditë.
Ndërkohë që në një intervistë ekskluzive për “Ora Neës”, drejtori i përgjithshëm i burgjeve Gazmend Dibra ka shpjeguar se çdo i dënuar ka marrë leje konform të gjitha rregullave si dhe ligjeve që janë në fuqi. Ku dosja e çdo të dënuari ka kaluar në komision dhe ai ka vendosur nëse duhet të lërë disa ditë të lirë këta të burgosur apo jo.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›