E Diel, 1 Nëntor 2026

Rama e Gjinushi qyqarët humbës, mbështesin bojkotin e Parlamentit

Takimi dje në selinë e PS-së

Në kundërshtim edhe me vlerësimet e ndërkombëtarëve, Edi Rama dhe Skënder Gjinushi, dy më të humburit e zgjedhjeve të përgjithshme, tentojnë t’i japin frymë grahmës së fundit, asaj të bojkotit, përpara se të shënohet eliminimi përfundimtar i tyre. Bojkoti i parlamentit konsiderohet nga disa qarqe socialiste si jo i moralshëm dhe se PS nuk duhet të marrë vendime sipas interesave personale të Ramës

TIRANE - Dy humbësit, aleatë të ngushtë në zgjedhjet parlamentare të 28 qershorit, Edi Rama dhe Skënder Gjinushi, i dhanë frymë dje idesë së rëndomtë, për të bojkotuar parlamentin e ri. Nisur nga paralajmërimi fillestar i kryetarit në ikje, Edi Rama, ka mjaftuar dje një takim disa orësh me një nga xhaketat e vjetra dhe ish ministër i ish diktaturës, Skënder Gjinushi, i cili ka qenë i pari që e ka mbështetur, madje duke i dhënë kurajë, që të ndjekë politikën destruktive, në kuadër të mungesës së alternativave demokratike, për të protestuar për rezultatin zgjedhor.
Nisur nga kjo ambicie dashakeqe e dy hienave të konsumuara dhe të faktuar si dështakë politikë, parlamenti i ri që starton të hënën e ardhshme, mund të mos ketë në përbërje deputetët e opozitës, të cilët nën kërcënimin dhe diktatin e Ramës, janë të detyruar të vendosin të mos marrin pjesë në të. Kjo nuk është hera e parë, që qyqari i humbur aktivizon politikat e bojkotit, duke penalizuar kështu konsensusin dhe realizmin e reformave, të cilat konsiderohen si parakushte, për integrimin e vendit dhe arritjen e aspiratave në afrimitetin me vendet e perëndimit.
Edi Rama, po investohet dita- ditës si kundërshtari më i egër i integrimit të vendit dhe i lëvizjes së lirë të qytetarëve shqiptarë, dhe kjo vetëm për një aryse: se nuk arriti të fitojë zgjedhjet, zgjedhjet më të lira dhe demokratike qe janë zhvilluar ndonjëherë në historinë politike të Shqipërisë.  
Paçka se bojkoti i Ramës ishte bërë i ditur, i çuditshëm duket vendimi i Gjinushit, i cili edhe pse e akuzon kryesocialistin në ikje se i vodhi votat dhe se i faturoi skarcitetin politik, aktualisht që është pa reputacionin e duhur në fushën e politikës i jep grahmës së fundit të Ramës, “përkrahje” dhe “kurajë”, si shenjë proteste, për humbjen e zgjedhjeve! Koka dhe mendimet e lodhura të Edvinit, orvaten përditë e më tepër drejt antagonizmit të zgjedhjeve, me pretekstin absurd se u manipuluan, ndërkohë që ndërkombëtarët i vlerësuan ato si më të mirat në histori dhe njëherazi i kanë tërhequr vëmendjen Ramës, që të rishikojnë qëndrimin e tij.
Ndërkaq, pas takimit të zhvilluar në selinë e Partisë Socialiste, Gjinushi komentoi edhe marrëveshjen qeverisëse mes PD-së dhe LSI-së, duke e quajtur qeverinë si jolegjitime.
 Pas daljes nga selia rozë, Gjinushi theksoi për mediat se zgjedhjet parlamentare të 28 Qershorit nuk përmbushën standardet dhe se partia e tij (pa asnjë mandat) mbështeste vendimin për bojkot të Parlamentit nga ana e deputetëve socialist.
“Zgjedhjet e parakohshme do të ishin një zgjidhje për të kthyer vendin në normalitet. Unë mbështes bojkotin e opozitës për të mos hyrë në parlament”, u shpreh Gjinushi.
Bojkoti i parlamentit është kundërshtuar edhe nga deputetë të PS-së, të cilët e cilësuan këtë vendim si në interes personal të Ramës, i cili e ka kthyer PS-në sipas tekave të tij.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›