E Diel, 1 Nëntor 2026

Amaneti i gjimnazistit: “Po iki nga kjo jetë, me perjashtuan padrejtësisht”

Letra e lamtumirës zbardh motivin e vetëvarjes së Mikel Hajcës.Shokët e 17-vjeçarit: “Të largohet drejtori i shkollës”
BILISHT – “Po iki nga kjo botë sepse më kanë përjashtuar padrejtësisht nga shkolla dhe e kam të vështirë t’ua them prindërve këtë, prandaj kërkoj që në varrimin tim të mos më vijë asnjë nga mësuesit”. Ky ishte mesazhi i lamtumirës që la në letër e fundit Mikel Hajce, i cili u gjet i vetëvarur dy ditë më parë në qytetin e Bilishtit. Një akt i tillë ka rebeluar nxënësit e shkollës së mesme të qytetit, të cilët e kanë cilësuar si të padrejtë vendimin për përjashtimin nga shkolla të 17-vjeçarit Hajce dhe tre shokëve të tij, duke kërkuar largimin e drejtorit Alfred Mulla. Ndërkohë që familja Hajce dje është përfshirë në zi, ku në ceremoni, përveç familjarëve, kanë qenë të pranishëm edhe shokët e të vetëvarurit, ndërsa Mikeli ka lënë amanet që të mos varrosej nga stafi pedagogjik i shkollës. Policia e Korçës ka nisur hetimet për të zbardhur këtë ngjarje, ndërkohë që prindërit e 17-vjeçarit nuk kanë bërë akuza për mësuesit e djalit të tyre.
Letra
Babai i tij, Halimi, thotë se djali iku nga kjo jetë pa thënë se ishte ndëshkuar nga drejtori me pezullim të vitit shkollor. Ndërsa letra e lamtumirës që la pas adoleshenti ka qenë një bombë për familjen Hajce. Më në fund prindërit kanë mësuar të vërtetën e vetëvrasjes së djalit të tyre. “Ne mendonin se shkonte në shkollë. Ditën e ngjarjes nuk hëngri as bukë, por mori çantën dhe iku. Nga ora 9 më thanë se e kishin parë afër një dyqani, që do të thotë se nuk kishte shkuar në shkollë, por e kalonte ditën me shokët ose në punë”, - thotë i ati i gjimnazistit. Ai punonte në një lavazh, pasi donte të mblidhte lekë për të vazhduar shkollën e lartë. Por e kishte marrë vendimin shumë shpejt. Në mëngjes ai kishte shkuar te një tokë qe e kemi në pronësi larg shtëpisë dhe atje ishte varur në pemë. Më vjen keq se ka qëndruar shumë orë i varur aty dhe asnjë nuk e kishte gjetur. “Vetëm pasdite na njoftoi policia se e kishin gjetur të varur në litar, edhe pse na komunikuan se është vrarë që në mëngjes”, - thotë babai i djalit. Ai kërkon nga ana e drejtësisë të zbardhet e vërteta, edhe pse djali i tij ka lënë një letër. Madje, të vihen para drejtësisë ata që kanë qenë shkaktarë që e kanë detyruar vetëvrasjen. "Nuk dua të shprehem para kohe. Ia kam lënë prokurorisë të konkludojë për vdekjen e djalit tim”, - thotë babai i 17-vjeçarit. Letra e lamtumirës së Mikelit thuhet se është marrë në cilësinë e provës nga ana e prokurorisë, ku kishte edhe një amanet të fundit, që mësuesit të mos marrin pjesë në varrim.
Protesta
Një ditë pas vetëvarjes së 17-vjeçarit Mikel Hajce në qytetin e Bilishtit, nxënësit e gjimnazit ku ai mësonte kanë bojkotuar dje mësimin në shenjë proteste. Sipas tyre, “shkak për vendimin fatal që mori gjimnazisti është bërë drejtori i shkollës, Alfred Mulla, i cili dy ditë më parë e kishte përjashtuar Mikelin pa të drejtë”. Shokët e tij të klasës tregojnë se shkak për përjashtimin është bërë një motiv banal, pasi ai kishte fyer një nxënëse”. Bashkë me Mikel Hajcen, që vari veten në litar, ishin ndëshkuar edhe tre nxënës të tjerë, por për shkak të ndjeshmërisë dhe dëshirës për të vazhduar studimet e larta në Akademinë e Rendit, urdhri është pezulluar pas lajmit të hidhur për 17-vjeçarin. Shokët e tij të klasës thonë se Mikeli ishte i rregullt në mësime. “Ai ka lënë amanet të fundit që mësuesit të mos i vijnë fare në varrim. Ne nuk do të bëjmë mësim derisa drejtori të ikë nga kjo shkollë. Ai e përjashtoi se kishte ofenduar një nxënëse dhe ky nuk është shkak për ta hequr një njeri nga shkolla. Mikeli donte të vazhdonte shkollën e lartë, por iu pre shpresa në mes", - shprehet Rigelsi, shoku i klasës së Mikelit. Asnjë nga nxënësit nuk ka pranuar që të bëhet mësim kur shoku i tyre i shkollës do të përcillej për në banesën e fundit. Madje, gjatë protestave, kanë qëlluar me gurë në drejtim të shkollës. Pas 2 orësh refuzimi ndaj procesit mësimor, dyert e shkollës janë mbyllur me kyç, ndërsa të gjithë nxënësit janë zhvendosur në familjen e 17-vjeçarit të vetëvrarë. Shokët e Mikelit dhe gjithë gjimnazistët i besojnë një letre që ai ka lënë në momentet e fundit të jetës para vetëflijimit. Drejtori i shkollës, Alfred Mulla, është shprehur se vendimi për përjashtimin e Mikel Hajcës është bërë konform rregullave të shkollës. Edhe drejtori i Drejtorisë Arsimore të Korçës, Nazar Metolli, shprehet se drejtoria e shkollës ka vepruar konform ligjit për tre nxënësit e përjashtuar, midis të cilëve është edhe viktima.
Ndërsa protestat kanë vazhduar gjatë në ambientet e shkollës dhe para derës së mbyllur të saj, me tufa me lule nxënësit kanë shkuar në shtëpinë e tij, atje ku i kanë pritur prindërit dhe të afërmit e 17-vjeçarit.

23 Shkurt 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›