Sa do të ulen tarifat e celularëve në dy vitet e ardhshme
Tarifat mesatare për vitet 2009-2010 do të ulen me 15 për qind. Koha minimale e tarifimit të thirrjeve do të ulet nga 30 në 15 sekonda
Ervin Koçi
Enti Rregullator i Telekomunikacioneve ka gati metodologjinë që do të rregullojë tarifat e operatorëve të telefonisë së lëvizshme në Shqipëri. Sipas metodologjisë, tarifat e operatorëve celularë do të ulen mesatarisht me 15 për qind, minus normën e inflacionit çdo vit. Hyrja e operatorit të tretë të telefonisë së lëvizshme, “Eagle Mobile”, sipas specialistëve të ERT-së, “nuk pritet të ketë ndonjë ndikim shumë të madh në uljen e çmimeve të telefonisë celulare në vend”. Kështu, për vitin 2008 ulja mesatare e tarifave do të jetë 11.9 për qind (norma vjetore e inflacionit llogaritet ajo e vitit 2007, 3.1 për qind). Mirëpo metodologjia do të hyjë në fuqi sapo vendimi të miratohet nga Këshilli i Ministrave, ndërkohë që ndryshimi i tarifave të telefonisë së lëvizshme në përputhje me të parashikohet të bëhet në harkun e pak muajve, kohë e nevojshme për operatorët e telefonisë së lëvizshme për të dhënë mendimet e tyre për metodologjinë dhe për të propozuar tarifat e reja. Sipas ERT-së, kjo ulje e tarifave të përdoruesve, me efekt në kursime të shpenzimeve të konsumatorëve të telefonisë së lëvizshme në vitin 2009, do të jetë afërsisht me 2.5 miliardë lekë në krahasim me vitin 2007. Sipas specialistëve të Drejtorisë së Rregullimit të Tregut në ERT, “sipas metodologjisë, të gjitha shërbimet telefonike me parapagesë të operatorëve janë përfshirë në një shportë”. Ata shtojnë më tej se shporta ka katër shërbime kryesore, që janë: 1) thirrjet brenda rrjetit, 2) thirrjet drejt rrjeteve të tjerë, 3) thirrjet kombëtare 4) thirrjet ndërkombëtare. Secili prej këtyre shërbimeve ka disa nënshërbime, sipas përshkallëzimit të tarifave në kohën e kryerjes së thirrjes, të kohëzgjatjes së thirrjes etj. Më pas matet pesha specifike e çdo shërbimi ndaj të ardhurave totale të shportës. Duke u shumëzuar pesha specifike e shërbimit me normën e ndryshimit të tarifës, rezultati duhet të jetë i barabartë ose më i madh se 15 për qind (minus normën vjetore të inflacionit). Struktura e shportës e përjashton mundësinë që operatorët të ulin tarifat vetëm në ato shërbime që kanë më pak peshë në strukturën e të ardhurave.
Ulja e programeve me kontratë
Në shportë janë përfshirë programet me parapagesë të dy operatorëve të telefonisë së lëvizshme, por ERT-ja gjykon se reduktimi i tarifave për këto programe do të bëjë që operatorët të ulin tarifat edhe për programet me kontratë (që zakonisht janë më të lira). Deri tani specialistët kanë parë me prioritet programet me parapagesë, sepse ato përfshijnë mbi 90 për qind të përdoruesve dhe kanë tarifa më të shtrenjta. Por specialistët e ERT-së shtojnë se, “mospërfshirja e programeve me kontratë bëhet në mënyrë që metodologjia t’i lejojë operatorit një lloj hapësire në tarifim dhe, duke kontrolluar pjesën më të madhe të programeve dhe të tregut, krijohet stimul për operatorin që të reduktojë edhe tarifat e tjera”. Gjithnjë brenda shportës së mësipërme, për tarifat ndërmjet rrjeteve të ndryshme të telefonisë së lëvizshme dhe telefoni i lëvizshëm-fiks do të ketë një metodë të veçantë rregullimi, por që indirekt do të rezultojë në një ulje të tarifave për përdoruesit fundorë. Për këto thirrje do të ketë një reduktim me 20 për qind në vit për dy vitet e ardhshëm për vlerën e mbajtur nga operatori i telefonisë së lëvizshme. Vlera e mbajtur është e barabartë me tarifën e thirrjes minus tarifën e terminimit (tarifa e terminimit është detyrimi që ka operatori nga nis thirrja deri në terminim, në një rrjet tjetër). Për thirrjet drejt rrjeteve fiks, reduktimi i vlerës së mbajtur është afërsisht i njëjtë me vlerën e thirrjes, sepse tarifa e terminimit është shumë e ulët.
Tarifat me telefoninë fikse
Tarifat e terminimit (interkonjeksionit) në rrjetin e telefonisë së lëvizshme do të reduktohen me 9 për qind çdo 6 muaj për dy vitet e ardhshëm 2009-2010 dhe do të arrijnë në 10.28 lekë, nga 16 lekë që janë aktualisht. Edhe këto reduktime do të transmetohen automatikisht në ulje të tarifës për përdoruesit. Këto reduktime do të sjellin një ulje të shpenzimeve të thirrjeve të rrjeteve fiks drejt operatorëve të telefonisë së lëvizshme me rreth 465 milionë lekë në vitin 2009, në krahasim me shpenzimet në vitin 2006. Fillimisht, për hartimin e metodologjisë së rregullimit të tarifave të operatorëve të telefonisë së lëvizshme u kontraktua një firmë konsulence gjermane. Por, sipas ekspertëve të ERT-së, “ata nuk arritën të hartojnë një metodologji të mirëfilltë dhe rekomandimet e tyre ishin shumë të përgjithshme”. Shoqëria gjermane rekomandoi një ulje të tarifave me 5 për qind për çdo vit, minus normën e inflacionit, ulje fare e papërfillshme për kushtet e tregut të telefonisë së lëvizshme në Shqipëri. Por, pamundësia e shoqërisë së konsulencës për të hartuar një metodologji të mirëfilltë, solli edhe vonesa në përgatitjen e metodologjisë. Por specialistët e ERT-së kanë pohuar se, “ERT nuk ka ndërmend të kufizojë normën e fitimit të operatorëve të telefonisë së lëvizshme, por vetëm të reduktojë gradualisht tarifat për të paktën dy vjet”.
23 Shkurt 2008