E Diel, 1 Nëntor 2026

Doganat raportojnë nivel të ulët të zhdoganimit të cigareve

Doganat shqiptare kanë raportuar kohët e fundit rezultate mjaft të ulëta në zhdoganimin e mallrave të akcizës dhe më kryesisht, cigareve. Ndalimi i reklamës për cigaren dhe rritja e çmimit të saj si rezultat i rritjes së akcizës, ka frenuar konsumin e këtij artikulli në treg e për pasojë ka sjellë edhe rënien e ritmeve të zhdoganimeve. Sqarimet në lidhje me rënien e importeve të cigareve në vitin 2007 në raport me vitin 2006 i ka dhënë nëndrejtori i Përgjithshëm i Doganave, Bujar Vukaj. Sipas tij, nga studimet e kryera në operatorët e ndryshëm importues të cigares rezulton se efekti reklamë në suksesin e bizneseve të tyre luhatet nga 5 deri në 10 për qind. Ky ndikim është shumë më i lartë për një markë të re që hidhet rishtazi në treg. Zyrtari i lartë i Doganave tha se, ligji antiduhan jo vetëm ka ndaluar reklamën për cigaren, në të gjitha llojet e mediave, por ka tejçuar pranë çdo konsumatori antireklamën, duke detyruar prodhuesit dhe importuesit që në çdo paketë të reklamojnë, dukshëm, citime të tilla si: “Duhani dëmton rëndë shëndetin”. Gjithashtu ligji, duke përcaktuar kufizime të ambienteve për konsum të këtij artikulli, ka ndikuar në kufizimin e konsumit të tij. Të gjitha këtyre efekteve të tejçuara nga ligjvënësi nëpërmjet këtij ligji, duke u shtuar edhe efektin e rritjes së çmimit me 13 lekë të rinj për paketë, i ndikuar nga rritja e akcizës, nga 27 lekë për paketë në 40 lekë për paketë, kanë ndikuar në uljen e konsumit të cigares dhe për pasojë dhe zhdoganimit. Për të gjithë vitin 2007 janë zhdoganuar 3467 tonë cigare, nga 4220 tonë cigare të zhdoganuara në vitin 2006. Pra bëhet fjalë për ulje të zhdoganimit të këtij artikulli në masën e 753 tonëve, duke krijuar kështu një diferencë prej 30 milionë eurosh në të ardhurat doganore.

23 Shkurt 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›