Nishani në Konferencën për Sigurinë Kufitare në Europën Juglindore
Tiranë - Në Budva të Malit të Zi nisi dje punimet Konferenca e Pestë ministerale e bashkëpunimit në fushën e sigurisë kufitare në Europën Juglindore, me pjesëmarrjen e ministrave të Brendshëm të vendeve të rajonit, ku ishin të pranishëm edhe ministri i Brendshëm, Bujar Nishani, drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ahmet Prençi, si dhe zëvendësdrejtori i Përgjithshëm, Pëllumb Nako. Në seancën e hapjes të kësaj konference ishte i pranishëm edhe zëvendëspresidenti i Komisionit Europian, Franko Frattini. Në njoftimin për shtyp të Ministrisë së Brendshme, konferencën e përshëndeti kryeministri i Malit të Zi, Zeljko Sturanoviç, i cili theksoi nevojën e bashkëpunimit rajonal për përmbushjen e standardeve të kërkuara nga Bashkimi Europian. Sesionin e parë të konferencës, ku u diskutua mbi procesin e implementimit të Konventës së Vjenës për Bashkëpunim Policor në Europën Juglindore, e moderoi ministri i Brendshëm Bujar Nishani. Në cilësinë e përfaqësuesit të vendit depozitues të Konventës së Vjenës, ministri Nishani informoi mbi ecurinë e ratifikimit të saj nga vendet anëtare.
23 Shkurt 2008