Tregu celular në vend pas hyrjes së operatorit të tretë
Sipas studimeve të ERT-së, hyrja e operatorit të tretë të telefonisë së lëvizshme nuk pritet të ketë ndonjë ndikim shumë të madh. “Duke u bazuar edhe në eksperiencat e vendeve të tjera, kur një operator hyn në treg pas shumë vitesh krahasuar me operatorët e tjerë, nuk besojmë se Eagle Mobile do të ketë ndonjë ndikim shumë të madh në përcaktimin e çmimeve”, - deklaroi Altin Rrapaj, drejtor i Drejtorisë së Rregullimit të Tregut në ERT. Sipas tij, “në përgjithësi, hyrjet sekuenciale në treg kanë më pak efekt në konkurrencë se hyrjet e menjëhershme. Nuk përjashtohet që Eagle Mobile të hyjë në treg me tarifa shumë të ulëta, por është për t’u parë sa pjesë tregu do të përfitojë”. Ai shton më tej se ka edhe raste kur operatorë të hyrë vonë në treg kanë një pjesë tregu shumë të vogël, por i detyrojnë operatorët e tjerë që kanë pjesë tregu shumë të madhe, të bëjnë ulje drastike të tarifave apo të mbajnë tarifa të ulëta. Siç është shprehur zyrtarisht në analizën e fundit të tregut të telefonisë fikse, ERT-ja shumë shpejt do të bëjë edhe një rregullim të tarifave të Albtelekomit, për të bërë një ribalancim mes llojeve të ndryshme të thirrjeve. Nga kjo pritet që të rritet vlera e tarifës së pajtimit mujor dhe thirrjeve brenda vendit, ndërkohë që do të ulen tarifat e thirrjeve kombëtare (përfshi telefonat e lëvizshëm) dhe ndërkombëtarë. Edhe pas ribalancimit të tarifave parashikohet që norma e fitimit e Albtelekomit do të mbetet afërsisht e njëjtë, sepse ajo vlerësohet e pranueshme edhe sipas standardeve të Europës dhe rajonit. Sipas ERT-së, ndryshimet do të rrisin stimujt për të investuar në rrjetin vendas dhe për të rritur numrin e përdoruesve. Niveli i ulët i depërtimit, më pak se 10 për qind, është një nga problemet kryesore të telefonisë fikse në Shqipëri.
23 Shkurt 2008