E Shtunë, 31 Tetor 2026

Parkimi i gabuar, ndëshkohen 120 shoferë

ELBASAN – Tashmë bllokazhet e makinave dhe gjobat për parkim të gabuar kanë filluar të aplikohen edhe në qytetin e Elbasanit, ku vetëm në pak ditë janë ndëshkuar mbi 120 drejtues makinash. Zëdhënësi i Bashkisë së Elbasanit, Orges Merko, tha dje se vetëm këtë javë në qytetin e Elbasanit janë ndëshkuar me gjoba 120 drejtues automjetesh, të cilët kanë parkuar në vende ku shkelen rregullat e parkimit. Gjoba e vendosur varion nga 500 deri në 3000 lekë të rinj dhe sipas Merkos, aksioni për mbrojtjen konform rregullave të lëvizjes urbane do të vazhdojë çdo ditë. Për drejtuesit, të cilët gjobiten dhe i vendoset ganxha bllokuese në dy rrotat e para të mjetit, në fletën e gjobës i është vënë në dispozicion edhe numri i telefonit, ku ata mund të kontaktojnë, në mënyrë që të bëhet e mundur heqja e ganxhës, si dhe pagesa e gjobës në vend.

Dallgët nxjerrin në breg minën detare të Luftës së Dytë Botërore

VLORË - Një minë detare, që dyshohet se i përket periudhës së Luftës së Dytë Botërore, u gjet në afërsi të bregdetit të Porto Palermos (Himarë), rreth 70 km larg qytetit të Vlorës. Burime të policisë lokale thanë se mina kishte dalë në sipërfaqe të detit, shumë pranë bregut. Për momentin nuk jepen të dhëna të tjera rreth saj, por mësohet se në drejtim të vendit të ngjarjes janë nisur ekspertët ushtarakë xhenierë. Ndërkohë, janë marrë masa që të sigurohet nga ana e policisë i gjithë territori ku ndodhet mina.

Aksidentoi për vdekje 70-vjeçaren, zhduket shoferi

LUSHNJË - Një 70-vjeçare është aksidentuar për vdekje mëngjesin e djeshëm, ndërsa shkaktari është zhdukur pas përplasjes me viktimën. Burime të policisë së Lushnjës thanë se rreth orës 04:20 të ditës së premte është gjetur e vdekur nga kalimtarët e rastit 70-vjeçarja Behije Rredhi. Sipas të njëjtit burim, mësohet se viktima është goditur nga një automjet ende i paidentifikuar në vendin e quajtur Savër. Drejtuesi i automjetit, pasi ka kryer aksidentin, është larguar nga vendi i ngjarjes. Policia e Lushnjës po punon për identifikimin e autorit të aksidentit të rëndë me pasojë vdekjen dhe ndalimin e tij.

23 Shkurt 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›