Policia ndalon katër të kërkuar, ishin dënuar me burg nga gjykata
Tiranë - Katër persona të shpallur në kërkim për vepra të ndryshme penale u ndaluan gjatë 24 orëve të fundit në Tiranë. Policia e Tiranës bëri të ditur dje emrat e katër të ndaluarve, tre prej të cilëve të dënuar me vendim gjykate. Kështu, Mariglen Kora, 18 vjeç, është dënuar me 2 muaj burg për “vjedhje”; Asllan Demirxhiu, 53 vjeç, dënuar me 3 vjet e 4 muaj burg për “prodhim e shitje të lëndëve narkotike” e “armëmbajtje pa leje”; ndërsa Myftar Muçalia, 60 vjeç, është dënuar me 6 muaj burg për “kalim të paligjshëm të kufirit shtetëror”. Personi i katërt i ndaluar, sipas Policisë, është Ferdis Hasa, 44 vjeç, i cili akuzohet për “vjedhje në bashkëpunim”, pasi dyshohet se është autor në vjedhjen e ish-Fabrikës së Qelqit, në Lagjen Nr. 5 në Kavajë.
E denoncoi bashkëshortja për kërcënim, arrestohet 54 -vjeçari
Tiranë – Ushtronte dhunë periodike mbi bashkëshorten, kjo e fundit e denoncon në polici. Burimet të sigurta thanë për gazetën se uniformat blu arrestuan në flagrancë për “kanosje”, “dëmtime të tjera me dashje” si dhe “armëmbajtjes pa leje” Fatmir Dedjen, 54 vjeç, lindur dhe banues në Ndroq. Ndaj këtij të fundit është bërë një kallëzim penal nga bashkëshortja e tij, Shaje Dedja, 53 vjeçe, e cila deklaron se është rrahur dhe kanosur për jetën nga bashkëshorti i saj për motive të dobëta. Menjëherë u kryen veprimet hetimore dhe procedurale, ku gjatë kontrollit të banesës iu gjet një automatik model 56, dy arka me fishekë, dy thika si dhe 6 krehra me fishekë, të cilat u sekuestruan të gjitha në cilësinë e provës materiale. Materialet hetimore i kaluan prokurorisë.
Sherr me pronarin e bilardos, i thyejnë orenditë
Tiranë – Policia ka arrestuar në flagrancë Gëzim Mendilin, 36 vjeç dhe Tor Karamuçën, 31 vjeç, të dy lindur dhe banues në Vorë. Të sipërcituarit dyshohen se pas një konflikti me shtetasin Briken Tereziu (pronar i një bilardoje), kanë thyer dhe dëmtuar disa pajisje dhe orendi të kësaj bilardoje. Po ashtu, gjatë momentit të shoqërimit për në komisariat të dy shtetasit kanë fyer, ofenduar dhe goditur punonjësit e policisë së Komisariatit Nr. 6 Tiranë. U kryen veprimet procedurale, ndërsa materialet i kaluan prokurorisë për veprat penale të “shkatërrimit të pronës”, “kundërshtimit të punonjësit të Policisë së Rendit Publik” dhe “prishjes së rendit e qetësisë publike”, parashikuar nga nenet 150, 236 dhe 274 të Kodit Penal.
Aksidentoi me automjet një shtetas, ndalohet
Tiranë - Policia Rrugore arrestoi në flagrancë Shpend Ymerin, 20 vjeç, lindur në Kukës dhe banues në Tiranë. Arrestimi i tij u krye sepse dy ditë më parë, rreth orës 07:15, në segmentin rrugor në Unazë të Re, duke qarkulluar me automjetin tip “Volkswagen Golf”, me targë GEE 12738, ka aksidentuar Luan Vathin, 51 vjeç, banues në Tiranë, i cili u dërgua menjëherë në Spitalin Ushtarak Tiranë jashtë rrezikut për jetën.
U kryen veprimet hetimore procedurale, ndërsa materialet i kaluan Prokurorisë së Tiranës për veprat penale të “shkeljes së rregullave të qarkullimit rrugor”, “drejtimit të automjetit pa leje drejtimi” dhe të “largimit nga vendi i aksidentit”, parashikuar nga nenet 290, 291 dhe 273 të Kodit Penal.
23 Shkurt 2008