E Shtunë, 31 Tetor 2026

Transparenca me buxhetin, ligji i ri gati për miratim në qeveri

Buxheti i shtetit do të ketë më transparencë në lidhje me të gjitha investimet publike që do të kryhen me paratë e taksapaguesve shqiptarë. Kjo skemë e re, e kërkuar me forcë nga opozita, duket se është realizuar dhe është gati për t’u vënë në zbatim nga Ministria e Financave, e cila ka punuar mbi projektligjin e ri. Burime pranë kësaj ministrie bëjnë të ditur për gazetën “Albania” se, “maratona gati 6-vjeçare për hartimin e një ligji të ri, mbi të cilin do të mund të hartohet buxheti i shtetit, ka marrë fund”. Sipas të njëjtave burime, “Ministria e Financave ka bërë gati projektligjin Organik të Buxhetit të Shtetit, që përfaqëson një nga ligjet më të rëndësishme që rrjedhin nga Kushtetuta”. Ndërkohë, burime zyrtare nga dikasteri i Financave, të cilat e kanë konfirmuar një gjë të tillë, shtuan se “shumë shpejt ligji do të depozitohet në qeveri”. Në themel të bazës së re ligjore janë rritja e përgjegjësive për zbatimin e buxhetit dhe një transparencë më e madhe që e shoqëron këtë proces. Të gjithë aktorët që zbatojnë buxhetin marrin ndëshkime deri në ndjekje penale, në rast se nuk përmbushin detyrimet që rrjedhin nga hartimi i buxheteve vjetore. Shpërndarja e investimeve do të bëhet jo sipas dikastereve, por sipas projekteve. Përmirësimet në ligjin organik të buxhetit të shtetit, synojnë më tepër transparencë në shpenzimet me fondet publike për të luftuar korrupsionin dhe rritjen e eficiencës së përdorimit të këtyre fondeve. Me këto ndryshime, Financat detyrohen të raportojnë së paku dy herë në vit në lidhje me ecurinë e shpenzimeve publike. Ligji i ri organik parashikon që buxheti i shtetit të ndërtohet në tre variante. Kjo praktikë synon të parandalojë të gjitha anomalitë që mund të lindin nga mosrealizimi, ose realizimi i tepërt i të ardhurave. Ekspertët në Ministrinë e Financave thanë se variantet do të bazohen mbi situatën pesimiste, realiste dhe optimiste. Për shkak të mungesës së praktikave ligjore të buxhetimit, ka ndodhur që në mes të vitit buxheti i shtetit të ndryshojë për të rialokuar fondet, ose duke riprogramuar burimet shtesë të të ardhurave buxhetore. Ligji i ri organik, mbi të cilin do të hartohet buxheti i shtetit gjatë viteve në vazhdim, tashmë ka marrë formën e projektit final, por për miratim të mëtejshëm kërkon edhe konsensusin e opozitës. Sipas detyrimeve kushtetuese, ligji kërkon 2/3 e votave të Parlamentit, nga 3/4 që kërkon zgjedhja e Presidentit të Republikës. Ndryshimet në ligjin organik të buxhetit të shtetit janë kërkuar që në vitin 2002, pasi ligji ekzistues nuk reflekton standardet ndërkombëtare. Po kështu, në projektin e ri, që pritet të reflektojë ndryshime rrënjësore në procesin e hartimit të buxhetit, është përfshirë strategjia e planit të integruar, që unifikon një sërë procedurash që kanë të bëjnë me shpenzimet e fondeve publike apo ato të huaja, si dhe bëhen përmirësime në shpërndarjen e fondeve për strukturat lokale.

23 Shkurt 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›