Amauri-Kasano-Baloteli bindin Çezare Prandelin
Kasano, Baloteli dhe Amauri janë konfirmuar titullarë nga ana e trajnerit çezare Prandeli për miqësoren e mbrëmjes së sotme kundër Bregut të Fildishtë. Kjo është kryefjala e stërvitjes së fundit të zhvilluar nga Kombëtarja italiane në Londër. "Në këto dy ditë stërvitje kam parë një dëshirë të madhe për të qenë protagonistë me fanellën e Italisë nga ana e Balotelit, Kasanos dhe Amaurit. Pikërisht dëshira është ajo që shërben për të ndërtuar një rrugë të gjatë dhe të suksesshme për të ardhmen. Përsa i përket pjesës tjetër kam ende disa dyshime, që lidhen kryesisht me rolin e portierit dhe sulmuesin e tërhequr që do të formojë katërshen e sulmit përkrah Balotelit, Amaurit dhe Kasanos, - vazhdon Prandeli. - Ideja për ta nisur ndeshjen me Balotelin titullar lind nga fakti se tani e tutje është e kotë të mbrohemi apo të trembemi për të sulmuar. Italia duhet të shfrytëzojë të gjithë potencialin e saj në sulm në të ardhmen, cilësitë e mrekullueshme të talenteve tanë. Pikërisht këtë gjë dua të shoh kundër Bregut të Fildishtë, një Itali që sulmon në çdo moment dhe me forca të shumta. Baloteli gjatë këtyre ditëve më ka mahnitur për vlerën si lojtar që lidhen ngushtë me cilësitë e tij fantastike. Unë dua që të shoh cilësitë e tij më të mira në këtë ndeshje, por kur "benzina" ta lërë në fushë, atëherë do ta zëvendësoj atë. Kasano? Ai dhe Baloteli e gjejnë njëri-tjetrin me sy mbyllur në fushën e lojës, por shumë shpejt ata do të jenë edhe më frytdhënës. Ata të dy përfaqësojnë një potencial gjigand sulmues në skuadrën tonë, por mbi të gjitha, si nga ata ashtu sikurse nga e gjithë pjesa tjetër e ekipit, ajo që nuk dua të mungojë është ekuilibri në fushë mes reparteve".
Mosha e re - Trajneri i Italisë sheh drejt së ardhmes me këtë grup lojtarësh që ka në dispozicion, ndaj është e pamundur për të, të mos evidentojë faktorin moshë. "Një kombëtare duhet të ketë vazhdimësi. Lojtarët do të ndiqen me vëmendje çdo javë me fillimin e sezonit të rregullt, sepse Italia ka nevojë për një rigjenerim dhe një rinovim të sajin, lidhur edhe me moshën. Në grupin tim dua lojtarë që të mund t'i japin vazhdimësinë lojës sonë, pra dua një skuadër mesatarisht të re, e cila në fushë do të pasqyrojë freski fizike dhe talent të madh, - nënvizon Prandeli, nga fjalët e të cilit kuptohet se në skuadrën e tij nuk ka vend për lojtarët mbi 30 vjeç, edhe pse emri i Totit nuk mund të lihet pa përmendur nga gazetarët. - Fillimisht unë dua të krijoj një grup solid me të rinjtë, pastaj 30-vjeçarët apo Toti mund të presin, duke parë nëse për ta do të ketë vend".
Bregu i Fildishtë - "Bregu është një skuadër shumë e fortë fizikisht, e balancuar në fushë dhe me lojtarë me personalitet të lartë. Për këtë arsye dua që kjo sfidë të vlerësohet maksimalisht, pasi është një test i rëndësishëm për ne. Nga lojtarët e mi pres sakrificë dhe përqendrim total në fushën e lojës. Skema? Besoj se do luajmë me 4-2-3-1, edhe pse në ditët e fundit kemi provuar edhe me 4-3-3. Emocionet e para? Nuk e di, por në ditën e parë që kalova kangjellat e Koverçanos isha i mallëngjyer, por kam bindjen se përpara fillimit të ndeshjes do jem edhe më shumë. Nëse do këndoj himnin? Padyshim që po", përfundoi trajneri i Italisë.