E Diel, 1 Nëntor 2026

Van Gal kritikon FIFA-n: Është bërë një azil pleqsh!



Trajneri i Bajernit të Mynihut, Luis van Gal, bashkë me arbitrat e Bundesligës janë shprehur "pro" instalimit të teknologjisë në survejimin dhe gjykimin e ndeshjeve. Kjo mënyrë, sipas tyre është më efikase dhe e duhura për të përcaktuar saktësisht të vërtetën e golave apo episodeve të tjera gjatë një ndeshjeje. Në një intervistë të dhënë për të përditshmen gjermane "Kicker", trajneri holandez, Van Gal, ka kritikuar ashpër drejtuesit e institucionit më të lartë të futbollit, në veçanti kreun e saj, Sep Blater si dhe u ka kërkuar figurave të njohura të futbollit, si Franc Bekenbauerit dhe Johan Krojfit të angazhohen më shumë për këtë temë. Megjithëse, presidenti i FIFA-s, Blater, kishte deklaruar gjatë Botërorit të kaluar se do ta diskutojë këtë çështje, ai ka heshtur duke mos dhënë asnjë sqarim. "është e pabesueshme që institucioni më i lartë i futbollit të mos ketë asnjë reagim ndaj rregullatorëve të futbollit. Duhet të jenë vetë ata iniciatorët e kësaj nisme, për të përmirësuar shërbimet. Blateri ka dalë jashtë orbite, është vjetruar dhe komisioni i tij rregullator me të drejtë mund të quhet "kushtetuta e pleqve". E rëndësishme është që ata të reflektojnë, pasi përdorimi i mjeteve ndihmëse të teknologjisë do evoluojë çdo 'qelizë' të futbollit", ka nënvizuar trajneri i Bajernit të Mynihut, Luis van Gal, duke akuzuar edhe indikatorët e tjerë. "Si Bekenbauer ashtu dhe Krojf nuk duhet të qëndrojnë pasivë, përkundrazi, duhet të angazhohen më shumë, pasi vetëm ata mund të bëjnë që FIFA të reflektojë", përfundoi ai.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›