E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ambasada Amerikane, Bastija e Tiranës

Nga Kastriot Myftaraj
Është një reagim që e kanë të gjithë të huajt me të cilët kam udhëtuar me makinë në Rrugën e Elbasanit, kur kalojmë para selisë së Ambasadës Amerikane. Duke parë muret masive prej betoni të ambasadës, të rrethuara me karakolle rojesh, vizitorët e huaj të gjithë pa përjashtim kanë pyetur: Çfarë është kjo? Disa kanë bërë një hipotezë, duke thënë: Çfarë është kjo, një burg?. Kur kanë dëgjuar përgjigjen time Ambasada Amerikane, të gjithë pa përjashtim kanë reaguar: Ah, ambasada amerikane! Tek toni i këtyre fjalëve Ah, ambasada amerikane! ka diçka sikur përgjigja për pyetjen e tyre të ketë qenë: Një burg.
Që ambasada amerikane ka pamjen e një burgu të sigurisë së lartë, kjo mund të justifikohet me rrezikun e terrorizmit që i kërcënon selitë diplomatike amerikane në botë. Por, në rastin e ambasadës amerikane në Tiranë, nuk duhet që të jesh ekspert i sigurisë, të të mos habitesh nga diskrepanca mes masave të sigurisë dhe vendndodhjes së ambasadës, në një gropë të rrethuar nga pallate të larta, ku mund të banojë çdokush. Terroristëve do tu mjaftonte që të merrnin një apartament me qira në një nga pallatet e lartë përreth ambasadës, që të urinonin drejt e në oborrin e ambasadës. Kur shikon vendndodhjen e ambasadës amerikane në Tiranë, nuk mund të mos krijohet bindja se dikush në Washington e ka dashur shumë që të bëhet një atentat ndaj ambasadës amerikane në Tiranë. Në rast se kërcënimi terrorist ka ndenjur mbi ambasadën amerikane në Tiranë si Shpata e Damoklesit, atëherë kjo shpatë rri varur mbi një qyp, brenda të cilit gjenden të rrezikuarit.
Është për t u habitur që SHBA, kur u rihap ambasada pas rënies së komunizmit, nuk ngritën një ndërtesë të re për ambasadën e tyre, aq më tepër kur e dinin që marrëdhëniet me Shqipërinë do të qenë kaq intensive. Edhe në Maqedoni amerikanët ndërtuan një ambasadë të re, të madhe dhe të sigurt, në një vend të përshtatshëm, në një kodër. Ndërtesa ku është sot ambasada amerikane në Tiranë është ndërtuar në fillim të viteve njëzet të shekullit të kaluar, dhe vendi ku është ndërtuar, si dhe natyra e vetë ndërtesës, reflektojnë natyrën dhe shkallën e angazhimit të SHBA në atë kohë në Shqipëri dhe Ballkan, që ishin mjaft modeste, si dhe në Europë në përgjithësi. Ndërtesa dhe vendndodhja e saj reflektojnë modestinë dhe shpengimin e diplomacisë amerikane të kohës së izolacionizmit të pas Luftës së Parë Botërore. Asnjë rrezik serioz nuk priste Washingtoni për ambasadën e vet në kohën kur u ndërtua. Por, në vitet nëntëdhjetë, kur ambasada u rihap, gjërat kishin ndryshuar shumë.
Kur u ndërtua ambasada e re amerikane në Bagdad , para pak kohësh, u tha se ndërtimi i saj është shprehje e angazhimit serioz amerikan në këtë vend. Në rast se është kështu, atëherë fakti që amerikanët nuk kanë ndërtuar një seli të re për ambasadën e tyre në Tiranë, është shenjë e joseriozitetit të angazhimit të tyre në Shqipëri. Në Shqipëri është bërë zakon të thuhet nga media dhe politika se SHBA janë aleati jonë strategjik. Por nuk është analizuar kurrë ky term. Është mjaftuar duke u përmendur angazhimi amerikan për çlirimin e Kosovës. Termi aleat strategjik është një term gjeopolitik, saktësisht i politikës së forcës. Aleatë strategjikë të deklaruar SHBA kanë Izraelin, Korenë e Jugut, Taiwanin, të cilët i mbështesin për të influencuar në raportet e forcës në Lindjen e Mesme dhe në Lindjen e Largme. Aleatët strategjikë SHBA i kanë mbështetur me të gjitha mënyrat, deri edhe duke i asistuar me ndihmë ekonomike, në mënyrë që të arrijnë një nivel të prosperimit ekonomik. Në rastin e Shqipërisë, ndihma financiare që SHBA i kanë dhënë vendit tonë në këto 19 vjet, është më tepër se tre herë më e vogël se ndihma që i kanë dhënë Armenisë, e cila ka më pak banorë sa Shqipëria, dhe që për më tepër është aleat strategjik i Rusisë. Në rast se do të shikoni faqen on-line të Departamentit të Shtetit për Armeninë, do të vëreni se atje thuhet me mburrje se SHBA, që nga viti 1992 i kanë dhënë Armenisë ndihma financiare që kapin shumën mbi 2 miliard USD. Në rast se do të hapni faqen për Shqipërinë, do të shikoni se shuma e ndihmës amerikane as që përmendet. Kjo për arsyen se kjo ndihmë është tre herë më e vogël, dhe për më tepër gjurmët e saj janë të padukshme. Në rast se SHBA do ta shihnin Shqipërinë si aleat strategjik, atëherë shifrat duhet të qenë të përmbysura dhe ndihma e SHBA për Shqipërinë të ishte tre herë më e madhe se për Armeninë, pra 6 miliard USD.
Dikush mund të thotë se këtu është influenca e lobit armeno-amerikan, por kjo i bën SHBA një aleat joserioz. Me lobe funksiononte dhe Perandoria Osmane në kohën e dekadencës së saj, kur qeverisja funksiononte si një dyqan që ishte hapur në oborrin e Sulltanit, ku lobistët grekë, armenë, çifutë, arabë etj., blinin influencën në favor të komuniteteve të tyre. Le të mos na e shesin lobingun që bëhet në Washington për politikën e jashtme si një aspekt të demokracisë amerikane, se atë e njohim nga historia në Perandorinë Osmane, si një dukuri të dekadencës së saj.
A mos ndoshta, pavarësisht pretendimit tonë se SHBA janë aleati jonë strategjik, SHBA e shohin SHBA, dhe shqiptarët në përgjithësi, në Kosovë, Maqedoni etj., thjesht si një aleat taktik. Aleati taktik është në traditën e gjeopolitikës anglo-saksone. Aleat taktik do të thotë se SHBA e shohin Shqipërinë, Kosovën, Maqedoninë, me popullsi konsistente shqiptare, Malin e Zi, me popullsi shqiptare, si protektorate amerikane, të cilat duhet mbajtur një gjendje destruktiviteti të kontrolluar, në mënyrë që të përbëjnë probleme potenciale për Europën, si mina në oborrin europian, butonin për shpërthimin e të cilave e kanë amerikanët. Në të njëjtën gjendje ndodhet dhe Bosnjë-Herzegovina, dhe amerikanët do të donin që në të njëjtën gjendje të shihnin dhe Serbinë, Rumaninë, Bullgarinë, deri edhe Greqinë.
Në rast se amerikanët do ta shihnin Shqipërinë dhe shqiptarët në rajon në përgjithësi si aleat strategjik, atëherë do të duhej që të punonin për bashkimin e shqiptarëve në një shtet të vetëm, të cilin pastaj do ta asistonin ekonomikisht që të prosperonte. E vërteta është që amerikanët, ndërsa e lenë të hapur këtë perspektivë, duke ia mbajtur Europës si një kërcënim ndryshimin e kufijve, në fakt punojnë fort kundër kësaj linje. Ambasada e SHBA në Shqipëri financon dhe kultivon një elitë thellësisht antinacionaliste në Shqipëri. Natyrisht që kjo është linja e përgjithshme politike amerikane në rajon, por nuk mund të zbatohet e njëjta politikë në Serbi, Bullgari, Kroaci, ku ka një nacionalizëm shumë të fuqishëm, dhe në Shqipëri, ku elita nacionaliste është shumë e dobët, edhe për shkak të mungesës së mjeteve financiare. Politika amerikane në Shqipëri arrin efekte të shpërpjesëtuara me vendet fqinje, në dobi të nacionalizmave fqinj.
Tashmë kemi hyrë në vitin e tetëmbëdhjetë të partneritetit me SHBA pas Luftës së Ftohtë. 18 vjet, dreqi i marrtë proamerikanët hipokritë, janë vërtet shumë. 18 vjet janë thuajse një brez njerëzor. 18 vjet vazhdoi partneriteti i Shqipërisë me Italinë e Musolinit, nga viti 1925 në vitin 1943. Por shenjat e këtij partneriteti janë shumë të prekshme në Shqipëri. Italia e Musolinit financoi ndërtimin e infrastrukturës në Shqipëri. Ende dhe sot në Tiranë rrugët më të mira dhe ndërtesat kryesore shtetërore janë ato të ndërtuara në atë kohë nga italianët dhe me financim Italian, duke përfshirë këtu Bulevardin Dëshmorët e Kombit, Rrugën e Kavajës, Rrugën e Durrësit, Rrugën e Elbasanit. E njëjta gjë ka ndodhur dhe në qytetet e tjera të Shqipërisë. Imagjinoni për një moment sikur në vitin 2009 i ashtuquajturi partneritet strategjik Shqipëri-SHBA të marrë fund dhe amerikanët të largohen nga Shqipëria, si dikur italianët. Çfarë gjurme do të kenë lënë amerikanët? Asgjë! Thjesht asgjë! Ne e dimë shumë mirë se SHBA kanë bërë mrekullira në vende që i kanë konsideruar aleat strategjik, dhe për këtë dëshmitar është fqinji jonë, edhe pse mosmirënjohës, Greqia.
E sa kohë duhet të presim që të shohim të mirat e aleancës strategjike me SHBA? Edhe 18 vjet të tjera? Nuk ka shenja se do të ndryshojë ndonjë gjë për mirë, madje mu

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›