E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ambasada Amerikane, ndryshon rregullat për t’u pajisur me viza

Tarifat e reja për marrjen e vizës dhe procedurat e aplikimit. Nga data 15 qershor 2009, aplikimi për vizë do të bëhet vetëm nëpërmjet internetit

Jonida Tashi

Ambasada Amerikane bën të ditur se duke filluar nga data 15 qershor 2009, do të funksionojnë rregulla të reja, për t’u pajisur me viza Jo-Emigruese. Kështu, duke nisur nga 15 qershori, të gjithë të interesuarit, do të mund të caktojnë takim për vizë Jo-Emigrimi (biznes, turist, vizitor, student, punë, etj.) sipas udhëzimeve të paraqitura në faqen e internetit: http://tirana.usembassy.gov/how_to_apply.html. Caktimi i takimeve në internet në dhe mbas kësaj date, është i detyrueshëm. “Ne nuk do të pranojmë më kërkesa të dërguara me e-mail, faks, apo postë, ndaj ju lutemi lexoni udhëzimet me vëmendje në mënyrë që të shmangni ngatërrimet”, - sqaron ambasada. Vetëm aplikantët me takime të caktuara do të lejohen të hyjnë në Seksionin Konsullor. “Pasi të keni caktuar një takim interviste, ju lutemi mos dërgoni pasaportat, pagesat e vizave ose dokumentacionin mbështetës me postë, faks, ose e-mail”, - njofton ambasada. Ajo sqaron se dokumentacioni mbështetës, duhet të paraqitet në kohën e intervistimit për vizë dhe po ashtu, pagesat e vizave do të mblidhen ditën e intervistës.
Pagesa
Pagesa aktuale e aplikimit për vizë jo-emigrimi është 131 dollarë amerikanë ose e barasvlershme në lekë sipas kursit të shkëmbimit të Ambasadës Amerikane në Tiranë, e paguar me para në dorë. Kjo është një pagesë e pakthyeshme pavarësisht nëse e fiton ose jo vizën. Pasi caktohet takimi, aplikantët duhet të mbërrijnë në seksionin konsullor të Ambasadës Amerikane në Tiranë në orën 8:00 paradite. Orari i intervistave fillon në orën 9:00 paradite dhe vazhdon deri në drekë. Aplikantët që banojnë jashtë Shqipërisë, duhet të kenë parasysh që shërbimi brenda ditës nuk është i disponueshëm. Aplikantët duhet të përgatiten të lënë pasaportën në zyrën e Ambasadës Amerikane në Tiranë më shumë se një ditë, për të përfunduar procesin e vizës. Zakonisht, procesi mbaron ditën tjetër të punës, por të gjithë aplikantët duhet të kenë parasysh që ky proces mund të zgjasë në disa raste. Ambasada Amerikane në Tiranë nuk mund të garantojë kohën se sa mund të zgjasë ky proces. Personeli i Ambasadës Amerikane në Tiranë shërben vetëm në dy gjuhë, anglisht dhe shqip. Për këtë arsye, dokumentacioni që prezantohet, duhet të jetë në njërën prej këtyre gjuhëve.
Aplikimi
Për të aplikuar për një vizë të përkohshme (jo-emigrimi), duhet të dërgoni informacionin në adresën e postës elektronike (e-mail): evisatirana@state.gov me subjekt: Kërkesë për vizë. Në qoftë se aplikoni edhe për pjesëtarë të tjerë të familjes, ju mund t’i përfshini ata/ato në të njëjtën kërkesë. Nuk lejohet që të dërgoni kërkesa të ndryshme për secilin, pasi kjo mund të shkaktojë që familjarët tuaj të kenë data të ndryshme takimi për intervistë. Gjithashtu, mos dërgoni formularët e aplikimit për vizë me e-mail, fax apo postë. Formularët e aplikimit duhet të paraqiten të printuar, plotësuar dhe të firmosur në datën e caktuar për intervistë. Mbasi të dërgoni këtë informacion, aplikantit do t’i caktohet një datë interviste dhe do të njoftohet po me anë të postës elektronike (e-mail) për datën dhe orën e intervistës si dhe udhëzimet për dokumentet që duhen sjellë në ditën e intervistës. Në qoftë se, nuk merrni përgjigje brenda 10 dhjetë ditëve, ju duhet të dërgoni një kërkesë tjetër. Në qoftë se ju nuk keni një adresë të postës elektronike (e-mail), ju duhet ta dërgoni formularin e kërkesës për vizë me faks në numrin: +355-4-374-957; ose postë në adresën: Zyra Konsullore, Ambasada Amerikane, Rr. Elbasanit, Nr. 103, Tiranë, Shqipëri.
Takimi
Në seksionin konsullor do të pranohen vetëm individët që kanë një datë takimi. Kur kërkohet një intervistë, aplikantët nuk duhet të dërgojnë pasaportat, pagesat për vizat, apo dokumentet mbështetës bashkë me formularin kërkesë. Dokumentet mbështetës do të hidhen.
Pagesat për vizat do të merren në ditën e takimit. Pagesa e tanishme për të aplikuar për një vizë Jo-Emigrimi është 131 dollarë (ose lek sipas kursit të këmbimit të Ambasadës) e cila nuk kthehet mbrapsht. Preferohet që paratë të jenë fiks. Pagesat me çek apo kartë krediti nuk pranohen. Orari i pranimit të aplikantëve është ora 8:00 ose 9:00 e mëngjesit, nga e hëna në të premte, përveç ditëve pushim. Orari i intervistave fillon nga ora 8:30 deri në orën 11:30 paradite. Dokumentet që sillen përpara datës së intervistës do të hidhen. Aplikantët duhet të sjellin të gjithë dokumentet me të cilat duhet të tregojnë që ata kanë lidhje të forta sociale, ekonomike dhe familjare me Shqipërinë në ditën e intervistës. Për më shumë informacion konsultoni faqen e internetit: http://albanian.tirana.usembassy.gov/consular.html.

Përshkrimi i shërbimit dhe tarifa e vizës
Aplikimi për viza të përkohshme taksa për person:
Aplikimi për vizë të përkohshme kushton 131 dollarë.
Tarifa e paguar nuk kthehet më.
Letër për kalim kufiri për moshat nga 10-15 vjeç 131 dollarë. Tarifa e paguar nuk kthehet më.
Nuk paguajnë tarifë për vizë të përkohshme aplikantët për A, G, C-3, NATO dhe personat e trupit diplomatik.
Përfaqësuesit zyrtarë të qeverive të huaja ose përfaqësuesit e organizatave ndërkombëtare në të cilat SHBA është anëtare: anëtarët dhe stafi i misioneve vëzhguese në OKB etj., pa tarifë.
Aplikimi për vizë emigrantësh, tarifa e pakthyeshme është 355 dollarë.
Tarifa e vizës për personat që aplikojnë për vizë si rezultat i lotarisë amerikane është 375 dollarë.
Taksa për siguracionin për viza për emigrantët për të gjithë aplikuesit është 450 dollarë.

Kërkesa për vizë
Emri (si në pasaportë)
Mbiemri (si në pasaportë)
Data e lindjes
Adresa e plotë e banimit në Shqipëri
Tel/Cel
Faks (jo e domosdoshme)
Adresa e postës elektronike (e-mail)
Qëllimi i udhëtimit (vizitë, punë, studime, etj.)
Data kur mund të keni planifikuar udhëtimin (afërsisht)
Komente

Llojet e Vizave Të Përkohshme (Jo-Emigruese)
Biznes, Turizëm, Vizitor dhe Mjekim (Vizat B1/B2)
Viza Studentore (Vizat F dhe M)
Vizitorët e Programit të Shkëmbit (Vizat J)
Punonjësit e Përkohshëm (Vizat H, L, O, P dhe Q)
Punonjësit e Përkohshëm Fetarë (Vizat R)
Tregtarët dhe Investitorët me bazë Traktati midis dy Vendeve (Vizat E-2)
Media e Huaj (Vizat I)

13 Maj 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›