E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gripi i derrave rrezikon të prekë 1/3 e popullsisë



Specialistët parashikojnë se gripi i derrave mund të prekë 1/3 e popullsisë së botës. Studiuesit bëjnë të ditur se gripi A ka potencialin e një pandemie, që përhapet mes njerëzve dhe që mund të marrë përmasa globale brenda 6-9 muajve.
Një në tre persona mund të infektohen, thuhet në studimin e publikuar në revistën “Science”. Sipas ekspertëve, është ende herët të thuhet nëse virusi do të shkaktojë vdekje në shkallë masive, ose nëse do të jetë pak më vdekjeprurës se gripi normal.
Profesori Neil Ferguson shprehet se duke analizuar përhapjen e sëmundjes në Meksikë, virusi H1N1 është po aq i rrezikshëm sa pandemia e vitit 1957, që shkaktoi 2 milionë të vdekur në botë, por jo sa gripi spanjoll i vitit 1918, që shkaktoi 50 milionë viktima. Deri tani, në të gjithë botën numërohen rreth 4500 persona të infektuar nga ky grip, i cili është përhapur në një pjesë të madhe të vendeve të botës.

Berisha:“Reformat në sistemin shëndetësor do të jenë prioritet”

Reformat që kanë nisur të kryhen në sistemin e shëndetësisë do të konkretizohen për një periudhë të shkurtër kohore. Ky është premtimi i Kryeministrit të vendit, Sali Berisha, të bërë gjatë
Konferencës Kombëtare të Infermierit, ku morën pjesë dhe specialistë të shëndetësisë. Ai theksoi se tashmë janë hedhur bazat e një reforme të thellë në këtë sektor. Kryeministri shprehu respektin për profesionin fisnik të infermierëve, duke theksuar se infermierët janë punëtorët e dhimbjes, vuajtjes dhe sakrificës njerëzore. Kryeministri theksoi se një sistem i ri arsimor, me të gjitha kriteret e një fakulteti mjekësie, është shtrirë në mbarë vendin dhe kjo përbën një arritje të madhe për vendin. Ai kërkoi që vlerësimit për standardet shëndetësore t’i nënshtrohen të gjithë njëlloj, si sektori publik, ashtu edhe sektori privat.

13 Maj 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›