E Shtunë, 31 Tetor 2026

Centrali bërthamor, pse nuk duhet ndërtuar në Shqipëri

(Vendos referendumi popullor i banorëve të qyteteve Shkodër e Lezhë)

Nga Gëzim Shima*

U bënë disa dekada e në mënyrë të veçantë pas aksidentit dhe plasjes së reaktorit atomik të Çernobilit (Ukrainë), që prodhimi i energjisë atomike është bërë burim diskutimi popullor, i shoqëruar me atë tekniko-shkencor dhe të prodhimit e shfrytëzimit industrial. Avari të centraleve atomike kanë ndodhur në shumë vende të botës dhe në Europë. Shumë nga këto avari apo shpërthime nuk i janë bërë të ditura njerëzimit nga qeveritë e këtyre vendeve.
Ndërtimi i centraleve bërthamore nuk është çështje luksi ose dëshire, por e kërkon zhvillimi. Vendet që ndërtojnë objekte të tilla, me interes ekonomik, janë dhe duhet të jenë shtete me potencial të fuqishëm ekonomik, të zhvilluara në të gjitha fushat e shkencës, me tradita të hershme në fushën e studimit të fizikës, sidomos asaj bërthamore dhe, për rrjedhojë, kanë kontingjente specialistësh dhe punonjësish të niveleve të larta.
Incidentet ose aksidentet janë me pasoja të tmerrshme jo vetëm në vendin ku ndodhin, por përfshijnë rajone me dhjetëra kilometra katrorë, shumë shtete, deri kontinentin dhe me influenca botërore. Katastrofat sjellin dëmtime kolosale ekonomike, riparimi i të cilave kërkon kohë, punë dhe financa. Dëmet janë të shumta, sjellin ndryshime klimaterike, të ujërave dhe të burimeve të tjera jetësore. Le të mos harrojmë ndodhinë e centralit të Çernobilit, pasojat e të cilit ndihen edhe tani.

Potencialet bërthamore

Centrale bërthamore ndërtojnë vetëm shtetet e fuqishme. Centrali i parë bërthamor është ndërtuar në vitin 1954, me fuqi 5000 KW. Vendi i parë që ka prodhuar energji për qëllime civile ka qenë Franca, ku si në asnjë shtet tjetër, shfrytëzimi i energjisë atomike arrin në 77 për qind. Ky shtet i fuqishëm përpiqet intensivisht për eksportimin e teknologjisë atomike. Në Gjermani, energjia atomike jep gati 25 për qind të energjisë së prodhuar. Megjithatë, deri në vitin 2021 duhet të dalin nga funksioni të gjitha centralet. Pavarësisht nga kjo ka mendime që “centralet e sigurta” do të vazhdojnë të punojnë, por të reja nuk do të ndërtohen. Italia është i vetmi vend i G-8-s, që para 20 vjetësh hoqi dorë nga ndërtimi i centraleve atomike. Në këtë vend kanë ndodhur herë pas here avari. Kryeministri Berluskoni mendon që deri në vitin 2013 të vërë themelet për ndërtimin e katër a pesë reaktorëve, me një rendiment prej 1800 MW secili. Megjithatë, të çudit fakti që centrali bërthamor “mendohet” të ndërtohet në Shqipëri për të ndihmuar edhe plotësimin e nevojave energjetike italiane. Austria nuk i përkrah tendencat çeke për zgjerimin e centralit atomik “Temelin”, afro 100 km pranë Austrisë dhe Gjermanisë. Ish-Bashkimi Sovjetik energjinë bërthamore e ka përdorur gjerësisht në të gjitha fushat e industrisë dhe sidomos në atë ushtarake. Dihet që bota është shumë e pasur me burime energjetike, sidomos ato hidrike. Por nuk duhet mbetur pas me shfrytëzimin eficient të qymyreve, naftës dhe gazit apo dhe në kursimin e energjisë.

Historia e ndërtimit të centraleve bërthamore

Në vitet 1965-1967, në kohën kur Shqipëria nuk bënte pjesë në Traktatin e Varshavës, OKB-ja, duke dashur t’i japë shtysë zhvillimit të vendeve të Ballkanit, ofroi ndërtimin e centraleve bërthamore. Pranuan dhe u ndërtuan dy të tilla në Bullgari dhe në Slloveni. Momentalisht punon vetëm ai i Sllovenisë (Krsko), pronë slloveno–kroate, në të cilën kanë ndodhur edhe avari, e fundit vetëm para dy vjetësh. Janë bërë edhe riparime në të, pra mund të themi se ai central është si pantallonat e arnuara. Thonë që ky central bërthamor do të mbyllet në vitin 2023. Kroacia ka dhënë ide për ndërtimin e një centrali bërthamor në afërsi të liqenit të Shkodrës, me kapacitet 1500 KW dhe mund të kushtojë 4 miliardë euro. Thuhet se ky ndërtim do ta çlirojë Shqipërinë dhe Kroacinë nga varësia energjetike Serbisë. Marrëveshja e anëtarësimit të kroacisë në BE ka një klauzolë, që i jep Euro-atomit ekskluzivitetin e furnizimit të këtij vendi me materiale bërthamore, nëse Kroacia dëshiron të ndërtojë një impiant të tillë.

Kroacia do ta ndërtojë central bërthamor në Shqipëri deri në vitin 2020

Kroacia dhe Shqipëria janë anëtarësuar në NATO dhe do të aplikojnë së shpejti për në BE. Ashtu sikurse planëzimet në të gjitha fushat e zhvillimit në BE, një vend të rëndësishëm zë edhe ai i energjisë, pasi kjo do ta çlirojë Kroacinë nga varësia e Serbisë. Kjo është një arsye që ky vend mendon ta ndërtojë këtë central bërthamor në Shqipëri, por mendohet se varësia energjetike e të dy shteteve nga Serbia do të vazhdojë. Rregullat e Euro-atomit e ndalojnë ndërtimin e centralit nuklear në vend, pasi Shqipëria aplikon për në BE.
Ballkani njihet historikisht si vend i luftërave, konflikteve, por këtu kanë ndodhur tashmë ndryshime të rëndësishme gjeopolitike. NATO-ja frenoi dhe mundi gjenocidin sllav e në mënyrë të veçantë atë serb. U pavarësuan Bosnja, Maqedonia dhe Kosova. NATO-ja dhe BE-ja kanë si qëllim përfshirjen në këto organizma të të gjitha vendeve të Ballkanit, për të kultivuar miqësinë ndaj tyre. Shembulli më i mirë janë vendet demokratike të Europës Perëndimore si Anglia dhe Franca, të cilat edhe pse kanë luftuar me Gjermaninë në të kaluarën, e kanë hedhur pas shpine të shkuarën. Tani këto tre shtete janë bërë zemra e BE-së dhe së bashku me SHBA-të janë mbrojtësit më të mëdhenj të demokracisë në botë.
Rruga Rrëshen–Morinë, rruga e Kombit Shqiptar, nuk do t’u shërbejë vetëm shqiptarëve, por dhe më gjerë, pa përjashtim, të gjithë popujve të Ballkanit. Do të miqësojë popujt dhe do të rrisë marrëdhëniet ekonomike, natyrisht edhe kalimet e energjisë nga Lindja.

Pse nuk duhet ndërtuar një central bërthamor në Shqipëri

Ka shumë arsye për të argumentuar se pse nuk duhet ndërtuar një central nuklear në vendin tonë, por unë po mundohem të radhisë më kryesoret. Për mendimin tim, Shqipëria ka rezerva të shumta hidrike dhe deri tani janë në shfrytëzim vetëm 50 për qind e sasisë së këtyre rezervave. Po ashtu ne kemi edhe mundësi të tjera për prodhimin e energjisë si ajo diellore, eolike, qymyrit, naftës etj.
Kujdes duhet të kemi për faktin se Kroacia nuk është vend i dëgjuar në fushën që propozon, pra ndërtimin e centralit, dhe lidhur me këtë Shqipëria ka eksperienca jo të mira, është “djegur” disa herë. Ndihma e shteteve “mike” të Lindjes, si ish- Jugosllavia, ish-Bashkimi Sovjetik e Kina Popullore nuk ka qenë transparente. Ata kanë sjellë dhe instaluar në vendin tonë fabrika të vjetra, hekurishte, të cilat janë blerë me flori apo duke i shkëmbyer me minerale dhe produkte bujqësore. P.sh., Kombinati Metalurgjik ka ardhur nga Kina, është prodhuar para një shekulli në Kanada.
Mendoj se Kroacia dhe Sllovenia, nëpërmjet propozimit kroat, duan të transferojnë në Shqipëri centralin bërthamor “Krsko”, prodhim i një teknologjie të vjetër, së bashku me mbeturinat. Të njëjtin mendim ruaj edhe për propozimin italian.
Bazuar në rregullat e Euroatomit, sapo njëri apo dy shtetet, Kroacia dhe Shqipëria, ose vetëm njëri të bëhet pjesëtar në BE, marrëveshja Shqipëri-Kroaci shfuqizohet, pasi ndërtimi pezullohet. Të dyja shtetet pësojnë humbje financiare e më shumë Shqipëria e varfër.
Problem mbetet edhe çmimi i energjisë së prodhuar nga centralet bërthamore, pasi kostoja e kësaj energjie është e lartë.
Shoh si pengesë edhe një gjë tjetër, mungesën e specialistëve, mungesën e ambienteve speciale dhe ruajtjes së përhershme për funksionimin e centralit bërthamor. Ky fakt e rrit edhe më faturën financiare të prodhimit.
Megjithatë, më habit fakti se përse po synohet kaq shumë Shqipëria dhe dyshoj se rrezikohemi të shndërrohemi në një depo të mbeturinave radioaktive të të tjerëve dhe në një vend trafikimi të lëndëve radioaktive.

Ndërtimi në vendin e gabuar

Ndërtimi i centralit bërthamor është menduar të bëhet në afërsi të liqenit të Shkodrës, pasi ky rajon është baseni më ujëmbajtës i vendit. Këtu ndalojnë dhe derdhen në det lumenjtë Drin, Buna dhe të tjerë, me shumë ujë, shoqëruar me delta të gjera. Bien shumë shira. Përmbytjet janë të përvitshme dhe sjellin shumë dëme. Janë katastrofa që shkatërrojnë të mbjella, ara, kopshte dhe fshatra. Mbushen kënetat e vjetra dhe lindin të reja.
Ndërtimi gjeolog-tektonik është shumë më i komplikuar sesa duket në sipërfaqe. Pikërisht këtu merr zhvillim të theksuar drejtimi i dytë strukturor i vendit, ai me shtrirje VL-JP ose të tërthorët. Të tilla, të cilat janë emërtuar thyerje të thella, ka disa: Vlorë-Lushnjë-Librazhd-Peshkopi, pranë Pogradecit, Korçës si dhe të tjera që kanë ose jo dalje në sipërfaqe. Këto thyerje riaktivizohen gjithmonë nga tërmetet dhe jo larg tyre kemi katastrofa (tërmeti Librazhd–Peshkopi 1967, Shkodër 1979 etj.). Sigurisht, pranë këtyre ka edhe prishje të tjera që edhe dalin në sipërfaqe. Kështu, paleorelievi, sidomos nën depozitimet neogjen-kuaternare, gradualisht vazhdon të bëjë lëvizje diferenciale. Këtë e vërtetojnë më së miri rrëshqitjet dhe shtimi i tyre vitet e fundit. Rilevimet gjeologjike të bëra para viteve ‘90 kanë vërtetuar që në këto thyerje dhe pranë tyre, krahas drejtimit mbihipës VP-JL, është edhe ai jo më pak i rëndësishëm JL-VP, vërtetuar në brigjet lindore të lumit Drin. Për efekt erozioni jo të thellë nuk shihet kudo. Në trevën e Shkodrës ndërtimi gjeolog-tektonik është mjaft i ndërlikuar. Dallohet lehtë thyerja Shkodër–Pejë. Po ashtu devijimi i lumit Drin dhe derdhja e tij pranë Lezhës, është rrjedhojë e ndërlikimeve të thyerjes të Drinit. Këtu kthesa strukturore duhet të shoqërohet edhe me prishje të tjera, pa dalje në sipërfaqe. Tërmeti i vitit 1979 ishte shkatërrues. Pranë lumenjve Buna dhe Drin janë parë kratere me diametër 1-3 m, të “vullkaneve të baltës”.
Thyerja Shkodër–Pejë nuk është e vetme. Të tjera e shoqërojnë në sipërfaqe, por ndërtimi, gropa Shkodër-Tiranë, që në drejtim V-VL, e zhvilluar në anën lindore-verilindore, përhapet edhe në Malin e Zi. Pranë dhe rreth saj kanë ndodhur tërmete edhe të mëdha në qytetet Shkodër, Durrës e në Malin e Zi. Pra gropat kanë kufij tektonikë me anët si dhe mbulojnë prishje të tjera që ndërlikojnë bazamentin. Kjo thyerje ka bërë edhe spostime të konsiderueshme horizontale dhe nuk duhen shikuar të veçuara nga ato që ndodhen në thellësi. Pa e zgjatur arrijmë në përfundim që zona e Shkodrës është absolutisht e papërshtatshme për ndërtimin e centralit bërthamor, pasi rreziku sizmik është mjaft i madh, tërmetet janë të pritshme. Zoti na ruajt! Sikur të ndodhin edhe shpërthime të centralit bërthamor, atëherë zona industriale dhe bujqësore Shkodër – Lezhë shndërrohet në shkretinë. Përmbytjet do të jenë të tmerrshme, do të jetë kiameti që përshkruhet në Bibël dhe Kuran, do të shpërthejë edhe liqeni i Shkodrës.

*Specialist i gjeolog

Turizmi i rrezikuar
Zona bregdetare Shkodër-Lezhë paraqet dhe ka një plazh të përshtatshëm ranor, që është vazhdimisht në zhvillim dhe përmirësim. Hotelet dhe vilat e përshtatshme kanë komoditetin e duhur dhe kanë filluar të tërheqin jo vetëm shqiptarët e Kosovës dhe të krahinave të tjera me popullsi shqiptare, por edhe të turistëve të huaj nga Europa dhe më tej. Perspektivë ka edhe turizmi gjithëvjetor malor në Alpet e Shkodrës.
Pa e ekzagjeruar, ndërtimi i centralit bërthamor është i papërshtatshëm në rajonin Shkodër-Lezhë dhe nëse kjo do të ndodhë, krahina do të shndërrohet në një shkretëtirë.
Shkodra është kryeqendra e Veriut të Shqipërisë, aeroporti i parë ku ka zbritur gjithçka perëndimore, djepi i kulturës, shkencës, antikomunizmit, patriotizmit dhe meriton një trajtim më të mirë për kontributin e madh të dhënë në përpjekjet për liri dhe demokraci.

TEC-et pa votë popullore

Në Vlorë, në qytetin e bukur bregdetar me perspektivë të jashtëzakonshme ekonomike, perlë turistike, po ndërtohet parku energjetik në kundërshtim me dëshirën e vlonjatëve. E njëjta gjë po ndodh edhe në Porto-Romano, ku do të fillojnë punimet për ndërtimin e një TEC-i. Është koha kur qeveria e zgjedhur nga populli duhet ta pyesë atë, pasi është ende i freskët rasti i shpërthimit të municioneve në Gërdec. Vetvetiu lind pyetja se pse uzina e demontimit u ndërtua mes dy qyteteve më kryesore të vendit, me dendësinë më të madhe të popullsisë, në një kohë që demontimi mund të realizohej në dy uzinat ushtarake, Gramsh dhe Poliçan.

Rreziku
Kujtojnë se para shpërthimit të Gërdecit, gazeta “The New York Times” njoftoi për rrezikun dhe porositi se NATO-ja dhe BE-ja duhet të kishin kujdes nga spiunazhi rus në Shqipëri dhe Kroaci. Të parët që duhet ta vënë vath në vesh këtë paralajmërim duhet të jenë qeveritarët tanë, të cilëve populli iu ka dhënë votën dhe i paguan. Detyra parësore e tyre është që qytetarët të jenë të sigurt. Nuk dihet se kujt i intereson ndërtimi i centralit bërthamor dhe i TEC-eve në Shqipëri. Mendoj se dikush ka interes që në Shqipëri të mos ketë qetësi. Këmbëngulja për të ndërtuar centralin bërthamor në Shqipëri nuk është rastësi. “Marrëveshja” me Kroacinë për të ndërtuar centralin bërthamor në vendin tonë është vepër e zotit Berisha dhe ai e ka shumë për zemër ndërtimin e tij, por për këtë i sugjerojmë ndërtimin e centralit në gropa, midis maleve të larta dhe të papopulluara. Të tilla zona mund të përmendim Vranë e Madhe-Curraj i Epërm (Lekbibaj), Cerm–Gash (Tropojë), Gryka e Çaje-Martanesh (Kukës), Sinë, Mustafaj, Prat (Peshkopi), Shakotë, Lotaj (Dukagjin), Gollobordë, (Fushë Studen-Gjinovec), Macukull, Guri i Shqipes, Lurth (Burrel), Celza, Kaçinar, Berishë, Kokëdodë (Pukë), Mali me gropa, Çermenikë, Guri i Topit (Pogradec) si dhe në shumë fshatra malore të Shqipërisë së Jugut.

Pse nuk interesohen për central janë

Kryeministri Berisha ka vizituar mjaft vende të Europës Perëndimore dhe Lindore. Vendet tradicionale të Europës Perëndimore si Anglia, Franca, Gjermania etj., shkallët e marrëdhënieve me Shqipërinë i ngjisin një e nga një. Nga këto vende me tradita në zhvillimin e industrisë bërthamore, ende asnjë nuk është interesuar për këtë fushë në Shqipëri. Me sa shihet ka një farë këmbëngulje nga Italia për të ndërtuar në Shqipëri një central bërthamor. Italianët dështuan me projektin e tyre për të sjellë në vendin tonë mbetjet urbane dhe bashkë me to mund të sillnin edhe të tjera mbeturina. Mendoj se edhe pse dështuan herën e parë ata nuk kanë hequr dorë nga plani, interesi i tyre.
Në ambientet e BE-së nuk harrohet shpejt e kaluara komuniste e vendeve sllave. Të mos harrojmë se disa nga këto vende, edhe pse në BE, nuk e kanë mbështetur ende pavarësinë e Kosovës, natyrisht kjo për shkak të lidhjeve të vjetra, apo për të ngrënë me dy lugë. P.sh., Çekia ka kohë që e “sulmon” Shqipërinë. Ajo po mundohet nëpërmjet firmave të saj të rrisë prezencën në vendin tonë dhe njihet si një nga vendet më të pasura në minerale radioaktive. Ky vend ka eksperiencë në trajtimin e mineraleve radioaktive dhe përdorimin e tyre në përftimin e energjisë.

Shpërthimi i Çernobilit

Vite më parë ndodhi shpërthimi i Çernobilit (Ukrainë). Pasojat e tij edhe tani, pas tre dekadave, akoma nuk janë eliminuar. Kthimi i këtyre zonave në normalitet kërkon kohë dhe faturë të lartë. Qytetarët shqiptarë kanë njohuri të pakta mbi Çernobilin dhe pasojat e këtyre tragjedive në veçanti. Shpërthimi i Çernobilit ishte gati mijëra kilometra larg. P.sh., në kohën e Çernobilit vlerat e radioaktivitetit u rritën mbi 5 herë. Dy dekada më parë profesorët T. Muso (Karolina e Jugut) dhe A. Meler (Paris) filluan studimet në zonën e infektuar të Çernobilit, në zonat më pak të prekura e të paprekura. Konstatimi i tyre ishte interesant pasi shumë popullsi të merimangave dhe buburrecave ishin zhdukur. Rrezatimi kishte shkaktuar edhe një impakt negativ te zogjtë. Studimet për këtë vazhdojnë edhe sot e kësaj dite.

13 Maj 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›