Bashkia, qendër e re shërbimi për biznesin kryeqytetas
Emanuela Sako
Biznesmenët e Tiranës do të njihen me informacione dhe të dhëna për biznesin në kryeqytet. Gjithçka do të jepet nëpërmjet Qendrës së Shërbimit ndaj Biznesit, që tashmë do të jetë në ish - ambientet e Uzinës Mekanike, ku do të ngrihet një sistem modern funksionimi. Kështu, Bashkia e Tiranës, në muajt në vijim do të hapë Qendrën e Shërbimit ndaj Biznesit, ku biznesit kryeqytetas do t’i ofrohen të gjitha shërbimet, në një mjedis bashkëkohor dhe me një cilësi të lartë. Në këtë mënyrë, synohet arritja e një shërbimi cilësor, për të gjithë sipërmarrësit dhe qytetarët. Pranë kësaj Qendre, bizneset do të kenë mundësinë të kryejnë regjistrimet e biznesit të tyre (sportelet e QKR-së pranë Bashkisë së Tiranës). Njëkohësisht, do të marrin asistencë, lidhur me shërbimet fiskale vendore të Bashkisë së Tiranës, si dhe do të kryejnë të gjithë veprimet e licencimit, në lidhje me strukturat e tjera të Bashkisë. Qendra do të ofrojë asistencë, lidhur me shërbimet e tjera fiskale dhe mundësitë e zhvillimit të biznesit të tyre.
Biznesi
Biznesmenët e kanë të nevojshme njohjen e terrenit para se të hapin një biznes apo për llojin e biznesit që duhet të hapin. Njëkohësisht është e domosdoshme që të gjithë biznesmenët të njohin zonën, në të cilën kërkojnë të hapin një aktivitet. Specialistët në Qendrën e Shërbimit të Biznesit do të japin rekomandime, në bazë të informacioneve dhe studimeve të kryera në terren nga specialistët. Nga ana tjetër, biznesmenët duhet të jenë të rregullt me pagesën e detyrimeve mujore, sipas afateve dhe procedurave të përcaktuara nga Bashkia. Në disa raste, bizneset nuk i paguajnë taksat që i detyrohen Bashkisë. Kështu, sipas ligjit për procedurat tatimore, janë vendosur disa etapa për njoftimin e të gjithë debitorëve, ku u lihet një afat i shkurtër deri në marrjen e masave. Etapat janë këto: njoftimi i detyrimit (30 ditë afat për pagesë); urdhër bllokimi në bankë për llogaritë bankare që mund të kenë (30 ditë afat); bllokim me Policinë Bashkiake (30 ditë) dhe veprimi i fundit që mund të ndërmarrë Bashkia është sekuestrimi i pasurisë, si hap i fundit, ose kallëzim penal në prokurori. Shlyerja e detyrimeve për bizneset është parashikuar në disa afate kohore brenda një viti, ku shlyerja mund të bëhet deri në tri data të caktuara në bazë të rregullores.
Taksat
Drejtoria e Përgjithshme e Taksave dhe Tarifave Vendore, në përmbledhjen për 4- mujorin e parë të vitit 2009, bën të ditur se të ardhurat e realizuara, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2008, janë rritur me 500 milionë lekë ose 23% më shumë.
Kjo rritje, në nivelin e të ardhurave ka ardhur si shkak i ndërgjegjësimit të qytetarëve dhe subjekteve taksapaguese në qytetin e Tiranës. Sipas Bashkisë pagesa e taksave sjell shërbime më cilësore, më shumë investime në shkolla, kopshte, çerdhe, rrugë, hapësira të gjelbra, pra më shumë transformime në këtë shtëpi të përbashkët. Pak kohë më parë, Bashkia u bëri thirrje të gjithë bizneseve dhe qytetarëve që të paguajnë taksat.
Shërbimet që kryejnë bizneset pranë Qendrës së Shërbimit ndaj Biznesit:
Kryejnë regjistrimet e Biznesit të tyre (Sportelet e QKR-së pranë Bashkisë së Tiranës).
Marrin asistencë, lidhur me shërbimet fiskale vendore të Bashkisë së Tiranës.
Kryejnë të gjithë veprimet e licencimit, në lidhje me strukturat e tjera të Bashkisë së Tiranës.
Marrin asistencë, lidhur me shërbimet e tjera fiskale dhe mundësitë e zhvillimit të biznesit të tyre.
Bashkia, fushatë pastrimi brenda ambienteve private
Bashkia e Tiranës ka nisur një aksion masiv pastrimi në të gjithë qytetin e Tiranës, brenda gardheve të pronave private. Punonjësit e Bashkisë po ndërhyjnë në të gjitha territoret private, aty ku janë depozituar mbeturina të llojeve të ndryshme që paraqesin rrezik për shëndetin e qytetarëve apo cilësinë e jetesës në blloqet e banimit. Ky aksion, kërkon të kryejë ndërgjegjësimin e qytetarëve, kundër mendësisë së gardhimit të trojeve private po edhe përdorimit të tyre si vend-grumbullime mbeturinash, apo lënia pas dore, duke u bërë kështu burim infeksionesh. Situata mund të jetë problematike gjatë stinës së nxehtë që po afron.
Ligji për mjedisin dhe rregullorja e depozitimit të mbetjeve në Bashkinë e Tiranës e detyron pronarin e truallit, të mos lejojë kthimin e pronës së tij në një vend bartës të infeksioneve dhe papastërtive, por kjo nuk ka mjaftuar që pronarët ta zbatojnë këtë rregullore. Fushata është e shtrirë në të gjithë kryeqytetin e Tiranës dhe ka në qendër largimin e mbetjeve urbane, të depozituara në mënyrë abuzive në zonat e banuara, duke shkaktuar kështu ndotje të mjedisit dhe për pasojë dëmtimin e shëndetit të komunitetit. Nga ana tjetër aksioni vazhdon edhe për pastrimin e lagjeve nga inertetet, të cilat kanë mbetur nga prishja e ndërtimeve pa leje. Në këtë fushatë janë përfshirë Drejtoria e Menaxhimit të Mjedisit, Inspektorati Ndërtimor dhe Urbanistik, Policia Bashkiake, Drejtoria e Përgjithshme e Punëtorëve Nr. 1 si dhe operatorë të shërbimit të pastrimit të qytetit. Një problem i madh në këtë qytet mbeten ndërtimet pa leje dhe mbeturinat që ato lënë pas. Gjithashtu mbeturinat urbane dhe mënyrat e depozitimit të tyre janë pjesë e këtyre problemeve. Një nga problemet e mëdha është edhe mendësia qytetare për përdorimin e territoreve sipas interesave vetjake.
13 Maj 2009