E Diel, 1 Nëntor 2026

Shpenzimet e deputetëve, fondet nuk auditohen nga askush

Në prag të fushatës deputetët po lëvizin me mjetet e Kuvendit. Asnjë njësi publike për verifikimin e faturave të deputetëve të Kuvendit

Tiranë - Na kushtojnë miliarda lekë çdo vit, sidomos me dietat dhe rimbursimet e karburantit dhe të telefonave, megjithatë nuk ka ende sikur një zyrë shtetërore që mund të verifikojë mënyrën e shpenzimit të deputetëve tanë. Sidomos tani, në prag fushate, shihet qartë se pjesa dërrmuese e deputetëve shkojnë në çdo cep të Shqipërisë me makinën shtetërore të Kuvendit, ndërsa harxhet, si gjithnjë, i faturohen “detyrës”. Po sa janë harxhet e një deputeti? Karburanti është zëri më i madh në harxhet e deputetëve dhe faturat nuk verifikohen asnjëherë. E njëjta gjë ndodh dhe me kontratat e qiramarrjes së deputetëve që nuk janë të pasaportizuar në Tiranë. Nuk shkojnë më pak edhe telefonat apo dietat jashtë vendit. Vetëm stafi i ngushtë i kryetares së Kuvendit na dhuroi një faturë prej rreth 200 mijë eurosh në udhëtimet e vitit 2007, megjithatë lekët vazhdojnë të derdhen lumë.
Harxhet
Aktualisht, Parlamenti shqiptar renditet i pari në Europë për trajtimin e veçantë që u ofron deputetëve, duke i pajisur të gjithë me makinë personale. Gjithashtu, ai kap rekordin për shpenzimet për automjetet në dispozicion të deputetëve, me 20 për qind të buxhetit të përgjithshëm të Kuvendit, ose 50 për qind e shpenzimeve operative të këtij buxheti. Këto shpenzime, ku përfshihen automjeti, paga e shoferit, karburanti dhe mirëmbajtja, arrijnë mesatarisht në shumën prej 1 mijë eurosh në muaj për deputet. Gjithsesi, në katërvjeçarin e qeverisë “Berisha” ka pasur disa kufizime në këtë drejtim. Qeveria “Berisha” ka shkurtuar shumë shpenzime. Shkurtimi i shpenzimeve të administratës së lartë ka ulur edhe sigurinë e tyre. Një sërë vendimesh të qeverisë “Berisha” kanë sjellë shkurtimin e shpenzimeve të një pjese të mirë të ministrave dhe administratës së tyre. Ndryshe nga ish-qeveria “Nano”, kryeministri Berisha ka ulur numrin e truprojave, duke marrë shembull fillimisht nga vetja.
Të mbrojturit
Nga 24 truproja që mbronin ish-kryeministrin Fatos Nano, me ardhjen e PD-së në pushtet, më 3 korrik, ligji për Gardën e Republikës ndryshoi, duke e çuar numrin e personave që mbrojnë shefin e qeverisë 13 veta. Zëvendëskryeministri ka në dispozicion 4 truproja të paguar nga buxheti i shtetit, ndërsa ministrat nga 1 të tillë. Më të privuarit janë ministri i Brendshëm, i cili ka po aq truproja sa zëvendëskryeministri dhe ministri i Jashtëm me 2 të tillë. Shumica e shpenzimeve shkon për transportin e deputetëve shqiptarë. Çdo deputet i Kuvendit është i pajisur me automjet, ndërkohë që në disa nga vendet më të zhvilluara të Europës, si Franca, Gjermania apo Norvegjia, deputetëve nuk u sigurohet automjet, por kanë në dispozicion një numër të kufizuar automjetesh në një park, ku duhet të planifikojnë udhëtimet, të cilat mund të kryhen vetëm brenda kryeqyteteve dhe vetëm për çështje legjislative. Nëse nuk ka automjete në dispozicion, deputetët në këto vende duhet të përdorin taksi. Kjo metodë funksionon edhe për Norvegjinë, që është vendi me mirëqenien më të lartë në botë dhe parku i automjeteve të Parlamentit të saj përbëhet vetëm nga tri vetura të mira, të cilat përdoren vetëm në raste takimesh të veçanta.

Shpenzimet e deputetëve

- 1000 euro në muaj për transport
(një automjet, një shofer dhe shërbim teknik);
- 150 euro për bisedat telefonike;
- përdorimi i telefonave fiks pa limit brenda Tiranës;
- rroga rreth 1200 euro;
- dieta për udhëtime jashtë Tiranës dhe Shqipërisë.

Shpenzimet e ministrave

- Rroga rreth 1700 euro;
- dy shoferë, dy makina dhe shërbim teknik
(1000 euro për transportin dhe karburantin);
- telefonata pa limit brenda Shqipërisë;
- 750 euro shpenzime për telefonat celularë;
- dieta për udhëtime jashtë Tiranës dhe Shqipërisë;
- shpenzime për truprojat.

Franca

Rroga mesatare e një deputeti: 5000 euro
Nuk ka makinë dhe shofer në dispozicion
(por Kuvendi u siguron 7500 euro shtesë për shërbimet publike, bisedat në telefon dhe dietat jashtë vendit)

Kosova

Rroga e deputetëve: 800-900 euro
Automjete zyrtare kanë vetëm kryetari dhe 6 anëtarët e Kryesisë
Deputetët nuk kanë zyrë personale, me përjashtim të kryetarit dhe anëtarëve të Kryesisë

Maqedonia

Rroga e deputetëve: 800 euro (bashkë me mëditje, udhëtime e kalon 1000 euro)
Nuk pajisen me vetura
Celular zyrtar 60 euro/muaj

Italia

Rroga e deputetëve 10 000 euro (5941 euro rrogë fikse + 4000 euro/muaj për pjesëmarrje në Parlament, hiqen 200 euro për çdo mungesë)
5190 euro/muaj për të takuar zgjedhësit
258 euro/muaj për telefonata
3100 euro/vit për udhëtime jashtë vendit
Shkurtimi i shpenzimeve ul sigurinë e zyrtarëve

13 Maj 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›