E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ambasada Britanike: Ligji, me pasoja kushtetuese



Ligji i dosjeve, i propozuar nga Partia Demokratike për t’u votuar në Kuvendin e Shqipërisë, ka sjellë shqetësim dhe reagim negativ edhe nga Ambasada Britanike në Tiranë. Me anë të një deklarate për shtyp, Ambasada e Britanisë së Madhe ka theksuar se projektligji aktual ka pasoja kushtetuese dhe se për këtë nevojitet më tepër kohë për shqyrtim dhe diskutime të gjera me ekspertët kombëtarë dhe ndërkombëtarë. “Mbretëria e Bashkuar, së bashku me partnerët e tjerë ndërkombëtarë të Shqipërisë, shprehet e shqetësuar për votimin e afërt në Parlament të projektligjit "Për pastërtinë e figurës". Ka shumë rëndësi që një ligj me pasoja kushtetuese kaq serioze të shqyrtohet dhe të diskutohet gjerësisht në një kohë të mjaftueshme, duke përfshirë në këtë proces dhe ekspertët kombëtarë dhe ndërkombëtarë. Procesi i pastrimit të figurave duhet të jetë në përputhje me standardet ndërkombëtare. Ne mendojmë se shtyrja e procesit të votimit për të lejuar konsultime dhe debate publike më gjithëpërfshirëse do të ishte një hap pozitiv dhe i mirëpritur”. Ambasada e Britanisë ka qenë në të njëjtën linjë me deklaratën e disa ditëve më parë të bërë nga Ambasada Amerikane në Tiranë. “Qeveria e Shteteve të Bashkuara të Amerikës mirëpret vendimin e mbrëmshëm në Parlament për të shtyrë votimin mbi projektligjin për pastërtinë e figurave. Ne jemi të inkurajuar që ky hap i rëndësishëm do të japë kohë për reflektim të matur dhe debat të hapur publik, të nevojshëm për një projektligj që ngre shqetësime serioze kushtetuese dhe ligjore. Gjithashtu nxisim fuqimisht që shqyrtimi i mëtejshëm i këtij projektligji të përfshijë pikëpamjet e ekspertëve ligjorë ndërkombëtarë për të siguruar përputhjen e tij të plotë me standardet ndërkombëtare”, - thuhej në deklaratën e Ambasadës së SHBA-ve në Tiranë.

20 Dhjetor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›