Viti 2009, ALUIZNI premton legalizimin e të gjitha pallateve të reja
Zëvendësdrejtori i Agjencisë së Legalizimit dhe Urbanizimit të Zonave Informale (ALUIZNI), Ferdinand Shehu, ka deklaruar se ka marrë nga Bashkia e Tiranës një listë me rreth 400 objekte, që janë ndërtuar me leje të rregullt, por që nuk janë të regjistruara, pasi kanë mbetur pa marrë lejen e shfrytëzimit nga bashkia. Sipas tij, deri tani janë verifikuar në terren rreth 80 për qind e tyre dhe është përgatitur dokumentacioni dhe faturat për afro 30 për qind të tyre. “Në përgjithësi, ndërtuesit i janë përgjigjur procesit si në plotësimin e dokumentacionit, ashtu edhe në pagesat përkatëse të penaliteteve. Pasi të jenë bërë edhe pagesat përkatëse, dosja konsiderohet e mbyllur dhe shoqërohet për legalizim nga drejtoria jonë. Brenda muajit dhjetor ne shpresojmë ta kemi mbyllur procesin e legalizimit të pallateve të reja për qytetin e Tiranës. Për qytetet e tjera, ritmi i punës është disi më i ngadaltë, por procesi është në varësi edhe të përgjegjësisë që kanë investitorët për t’i ardhur në ndihmë administratës me dokumentacionin përkatës”, - thotë përfaqësuesi i ALUIZNI-t. Ai mendon se banorët që kanë blerë sipërfaqe në këto pallate duhet të ushtrojnë presion ndaj ndërtuesve për të marrë dokumentet e pronësisë mbi pasuritë që kanë blerë, në mënyrë që ata të bashkëpunojnë për një përfundim sa më të shpejtë të procesit. Sipas informacionit që disponon ALUIZNI, nuk ka raste të pallateve të reja, të paregjistruara, që kanë ngelur jashtë procesit të legalizimeve. Shehu thotë se shteti ka mekanizmat e veta për t’i detyruar shoqëritë përkatëse të përmbushin detyrimin e legalizimit të ndërtimeve të tyre.
20 Dhjetor 2008