Donaldo Demaj, një Safet Berisha i ri te Partizani
Ka të njëjtën grintë në lojë, të njëjtat karakteristika fizike. Të gjithë e konsiderojnë një “Marko Materaci” shqiptar, ndërsa ai vetë ka idhull në Shqipëri legjendën e mbrojtjes së Partizanit, Safet Berishën. Futbollisti 18-vjeçar i Partizanit U-19 (profesionistët), qendërmbrojtësi Donaldo Demaj (190 cm), është një nga ata që mund të konsiderohet “mbreti i ajrit” në zonën e rreptësisë së skuadrës së tij dhe një tmerr i vërtetë për kundërshtarët në goditjet standarde, sidomos në ato nga këndi.
“Është shumë i fortë në lojën në ajër, kjo edhe për shkak të lartësisë trupore”, - tha për “Albania”-n trajneri i Partizanit U-19, ish-futbollisti i njohur Marko Pelinxhi, i plejadës së Ilir Shulkut, Adnand Ocellit, Ylli Shehut e Eduard Zhupës. “Është duke u rritur vazhdimisht si lojtar dhe tashmë e njeh shumë më mirë zonën jo vetëm në rreshtimin taktik, ku rrallë kapet i papërgatitur, por dhe mbulimin një për një të kundërshtarit, ku thuajse i ka fituar të gjitha duelet. Po të punohet me të, fitohet si lojtar”, - shton ish-kampioni i Partizanit të sezonit 1992-1993, që përkon edhe me titullin e fundit të të kuqve (i 15-ti). Partizani ndër vite është dalluar për lojtarët me karakteristika të dukshme fizike, boll të kujtojmë legjendën e madhe Safet Berisha, tri herë kampion me të kuqtë, 1 herë nën drejtimin e mitikut Loro Boriçi (1970-1971) dhe dy herë me të “hekurtin” Bejkush Birçe (1978-1979, 1980-1981). “Kam filluar të stërvitem rregullisht qysh në moshën 11-vjeçare”, - thotë Demaj për “Albania””-n, - “dhe kam qenë gjithmonë serioz e i ndërgjegjshëm se më duhet shumë punë për të arritur diçka si futbollist. Besoj se jam në rrugë të mbarë. Kam nisur me ekipin ‘Dea 2000’ për të vazhduar më pas me Partizanin U-17”, -thotë talenti i ri, i cili shënoi edhe golin e fitores kundër Shkumbinit U-19, atë 2-1. “Të shtunën e kaluar mundëm Flamurtarin U-19 (1-0) që deri para përballjes me ne nuk kishte humbur asnjë takim. Kemi mundur edhe ekipet e tjera të kryeqytetit, Dinamon (2-1) dhe Tiranën (2-1)”, - shton Donaldo. Qendërmbrojtësi i ri, i cili ka qenë pjesë e disa grumbullimeve me kombëtaret e moshave, është një adhurues i Safet Berishës, lojtarit që është personifikuar me “Hotel Tiranën”, por dhe me Marko Materacin e Interit. “Kam dëgjuar shumë për Berishën. Me ato që kam lexuar për të, shërben si një shembull i madh për mua. Jam i bindur se duhen shumë sakrifica të bëhesh si ai. Nga lojtarët e huaj më pëlqen Marko Materaci i Interit. Është agresiv në lojë, por ka dhe personalitet të padiskutueshëm”, - përfundon qendërmbrojtësi i Partizanit U-19, Donaldo Demaj.
Donaldo Demaj
Datëlindja: 29.09.1990 (18 vjeç)
Lartësia: 190 cm
Pesha: 75 kg
Roli: Qendërmbrojtës
Ekipi aktual: Partizani U-19
Berisha, e ardhmja sërish te Bërnli
E ardhmja e Besart Berishës, sulmuesit të Kombëtares shqiptare, do të vazhdojë në Angli te Bërnli, skuadra që zotëron edhe kartonin e tij. Lajmi është bërë i ditur nga vetë trajneri Ouen Kojl për gazetën angleze “Burnley Express”. Besart Berisha, i cili më parë ka luajtur në Gjermani me Hamburgun, u bë pjesë e skuadrës së kategorisë së dytë angleze gjatë merkatos verore të vitit 2007, por një dëmtim i gjatë e la atë gati një vit jashtë fushave. Berisha u huazua në Norvegji te Rozenborgu për një periudhë gjashtëmujore e tashmë është i lirë të rikthehet te Bërnli. “Berisha kompletoi huazimin te Rozenborgu në Norvegji dhe e ardhmja e tij është te Bërnli”, - citohet Kojl nga gazeta “Burnley Express”. Besarti është i treti lojtar shqiptar që ka mundur të shënojë një gol në fazën e grupeve të Ligës së Kampioneve së bashku me Lorik Canën e Kliton Bozgon.
Tirana, e mbërthyer nga “ethet” e merkatos
Tirana është në kërkim të një zëvendësuesi të Daniel Xhafajt (vetëm 3 gola në 15 javë). Presidenti me rrotacion, Refik Halili, në mënyrë konfidenciale është shprehur se kërkon një futbollist cilësor në merkaton dimërore, që mund të jetë i huaj. Ky mund të jetë sulmuesi boshnjako-kroat Stanisha Nikolic. Gjithsesi, ende nuk ka një prononcim nga ana e trajnerit Agustin Kola, i cili thjesht ka përmendur faktin se skuadra e tij ka nevojë për përforcime për të fituar trofeun e 24-t në kampionat.
Madje është hartuar edhe një listë e lëvizjeve të lojtarëve të Tiranës. Mund të largohen Abraham Alechenu, Daniel Xhafaj, Toni Pezo e Pece Kuronovski, ndërsa në atë të afrimeve përmenden Nevil Dede, Saimir Patushi, Vilfor Hysa, Emiliano Vila e Erion Rizvanolli. Tirana shkatërroi Lushnjën në Kupën e Shqipërisë (4-1, 5-0) dhe në takimin e së mërkurës Migen Memelli - goleadori më i mirë i Tiranës në të dy kompeticionet, 15 gola në total - shënoi të pesë golat në fitoren e pritshme të 13 herë fituesve të Kupës. Të shtunën, Tirana do të përballet në Vlorë me Flamurtarin, dhe sulmuesi Memelli – shënoi tre gola në fitoren 3-1 në kryeqytet – deklaroi se bardheblutë do të shkojnë në Vlorë për të marrë trepikëshin, parë dhe faktin se me Vllazninë kryesuese vazhdon ta ndajë një diferencë prej 4 pikësh në favor të shkodranëve. Tirana e ka rritur agresivitetin në vijën e parë, kjo falë dhe skemës me dy sulmues që po aplikon trajneri Agustin Kola. Në dy ndeshjet zyrtare të drejtuara nga pasuesi i Blaz Slishkovicit, bardheblutë kanë shënuar 8 gola pa pësuar asnjë të tillë.
Ishka e Mancaku, provë te Ksamaks në Zvicër
Dy futbollistët e Besës së Kavajës, tiranasi Sokol Ishka dhe durrsaku Bledar Mancaku, do të provohen gjatë muajit janar te Nojshatëll Ksamaks në kampionatin zviceran. Më parë me këtë skuadër kanë luajtur edhe dy futbollistët aktualë të Tiranës, Daniel Xhafaj dhe Ansi Agolli. Mësohet se është pikërisht Daniel Xhafaj ai që ka bërë edhe rolin e ndërmjetësit.
Elbasani, sinjale nga Mengelski e Karcev
Toni Mengelski dhe Nikola Karcev mund të rikthehen në kampionatin shqiptar. Tratativat për dy maqedonasit, të cilët edhe më parë kanë luajtur me Elbasanin, kanë kohë që kanë filluar. Karcev luan aktualisht me Terek Groznin në kampionatin rus, ndërsa Mengleski me Vardarin e Shkupit. Në planet e merkatos verdheblu janë edhe dy lojtarë kroatë.
Apolonia kërkon sërish “1”-sh ndaj Partizanit
Apolonia pas humbjeve me Vllazninë dhe Tiranën në kampionat dhe atë me Shkumbinin në Kupën e Shqipërisë synon fitoren me Partizanin në javën e 16-të në Kategorinë Superiore. Ndaj të kuqve, Apolonia fitoi edhe në fazën e parë (1-0, gol i Klodian Asllanit), por tashmë fierakët e dinë se ndaj Partizanit të rikthyer bindshëm në cilësinë e lojës nuk do të jetë e lehtë në “Loni Papuçiu”. Dy skuadrat janë përafërsisht të barabarta, të dyjave u duhen pikët më shumë se kurrë. Elis Bakaj shënoi golin e parë të Partizanit në fitoren 5-0 ndaj Burrelit në Kupën e Shqipërisë, por mesfushori sulmues i të kuqve u detyrua të lërë fushën pas vetëm 28 minutash lojë për shkak të një dëmtimi, por dhe kartonit të kuq të dhënë nga gjyqtari Aranit Lulaj. Bakaj, i cili në janar do të luajë për Dinamon, pritet të mungojë në ndeshjen e Partizanit ndaj Apolonisë në Fier, në një ndeshje mbijetese në Kategorinë Superiore. Futbollisti i Kombëtares shqiptare mungoi edhe në barazimin 0-0 të Partizanit me Teutën në kampionat dhe pa dyshim trajnerit Shpëtim Duro do t’i mungojë një lojtar që bën diferencën te të kuqtë.
19 Dhjetor 2008