Ambasada Britanike: Projektligji, me pasoja kushtetuese
Tiranë- Ambasada Britanike në Tiranë i është bashkuar sot shqetësimit ndërkombëtar për projektligjin “Për pastërtinë e figurës së zyrtarëve të lartë”, duke shprehur shqetësim për votimin së afërmi të tij në parlamentin e Shqipërisë. Përmes një deklarate për shtyp, ambasada britanike ka sugjeruar që ligji duhet të diskutohet gjerësisht në një kohë të mjaftueshme.
Sipas deklaratës, Mbretëria e Bashkuar, së bashku me partnerët e tjerë ndërkombëtarë të Shqipërisë, shprehet e shqetësuar për votimin e afërt në Parlament të projekt-ligjit "për Pastërtinë e Figurës.
“Ka shumë rëndësi që një ligj me pasoja kushtetuese kaq serioze të shqyrtohet dhe diskutohet gjerësisht në një kohë të mjaftueshme, duke përfshirë në këtë proces dhe ekspertët kombëtarë dhe ndërkombëtar”, - theksohet në deklaratë.
Ambasada ka saktësuar se procesi i pastrimit të figurave duhet të jetë në përputhje me standardet ndërkombëtare.
”Ne mendojmë se shtyrja e procesit të votimit për të lejuar konsultime dhe debate publike më gjithëpërfshirëse do ishte një hap pozitiv dhe i mirëpritur”, - përfundon deklarata zyrtare e ambasadës britanike në Tiranë.