E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tatimet, PS: Situata alarmante

Tiranë- Partia Socialiste ka akuzuar sot qeverinë për mosmbledhjen e të ardhurave tatimore. Nënsekretari për programin në PS, Ilir Beqja ka deklaruar sot se qeverisë së Sali Berishës i mungojnë 110 milionë USD të hyra tatimore, si dhe ka shtuar se ajo nuk ka përmbushur një sërë detyrimesh ligjore për kompensimin e energjisë, pronarëve dhe karshi ish ushtarakëve e të përndjekurve.

Situata, sipas Beqajt është alarmante nëse analizohen veçmas rezultatet e muajit nëntor, pasi ky muaj shënoi rekordin më të keq në administrimin fiskal në 8 vitet e fundit.

“Janë të dhënat zyrtare që dëshmojnë se mbledhja e të ardhurave tatimore në muajin nëntor 08' është në nivelin 82 % dhe defiçiti i krijuar vetëm në këtë muaj është 52 milionë USD”- tha ai, duke shtuar se në muajin nëntor defiçit ka në të gjitha taksat, ku rekordin e mban akciza plani i së cilës është realizuar vetëm 64 %.

Deficit sipas tij ka krijuar edhe administrata tatimore, edhe administrata doganore. Sipas të dhënave zyrtare administrata doganore ka realizuar 87 % të planit të muajit, ndërsa administrata tatimore vetëm 85 % të planit të muajit.

“Nivel i ulët e mbledhjes së të ardhurave në 11 muaj, përkeqësimi i performancës së administratës tatimore në dy muajt e fundit konfirmojnë shqetësimet e ngritura nga Partia Socialiste që në muajin korrik gjatë miratimit të buxhetit suplementar 2008”- tha Beqja.

Ai ka shprehur shqetësim se në të tilla kushte do të rrezikohet seriozisht buxheti i vitit 2009. Në kushtet e realizimit të të ardhurave kontributeve 94 % për 11 muaj dhe 85 % për muajin nëntor, PS-ja i ka kërkuar Berishës të rishohë vendimin e tij për të ulur ngarkesën kontributive në 1 maj 2009.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›