E Shtunë, 31 Tetor 2026

Përplasen mjetet, vdesin gjyshja me nipin 3-vjeçar

20/12/2008  Të plagosur rëndë 6 persona

SHKODER- Aksidentet e rënda vazhdojnë të jenë problematike në qarkun e Shkodrës. Burimet policore shprehen se pasditen e djeshme një aksident i ndodhur në rrethin Malësi e Madhe ka shkaktuar vdekjen e një fëmije 3 vjeç, Elsar Bajrakurti dhe të një gruaje të moshuar Mri Shabi 75 vjeç. Të njëjtat burime sqarojnë se aksidenti i rëndë ka ndodhur rreth orës 17 e 15 minuta në rrugën nacionale Shkodër – Hani i Hotit, në vendin e quajtur Pjetërshan. Aksidenti ka ndodhur nga përplasja e dy makinave, vetura tip Benz, makina me targë MA 2137 B e drejtuar nga Luigj Shabi 45 vjeç dhe makina e ndodhur me targa Sh 2170D e drejtuar nga Fahri Bajrakurti. Si pasojë e aksidentit janë plagosur rëndë të gjithë personat e ndodhur në dy makinat, 6 persona. Në makinën e familjes Bajrakurti udhëtonte Fahriu me gruan e tij Brunildën, nënë e tij Xhyhrijen dhe djalin Elsarin 3 vjeç, ndërsa në makinën tjetër po udhëtonte Luigj Shabi me të ëmën. Ndërsa janë transportuar për në spital të 6 të plagosurit në gjendje të rëndë, nuk kanë mundur të shpëtojnë 2 prej tyre, fëmija dhe gruaja më e moshuar. Forca të shumta policie kanë shkuar menjëherë në vendngjarje duke ju dhënë ndihmën e parë të dëmtuarve. Është bërë menjëherë dërgimi i tyre në spitalin rajonal të Shkodrës. Të plagosurit e tjerë janë në gjendje të rëndë, por jashtë rrezikut për jetën, thonë burimet policore.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›