Ambasada Gjermane, kushtet paraprake dhe ofertat konkerte për të studiuar
Jonida Tashi
Të rinjtë që duan të ndjekin studimet e larta në Gjermani do të kenë mundësi që nëpërmjet një aktiviteti informues të Ambasadës Gjermane në Tiranë, të njihen kushtet paraprake dhe ofertat konkrete për të studiuar dhe përfituar bursa në këtë vend.
Ambasada Gjermane në Tiranë dhe Shërbimi i Shkëmbimit Akademik Gjerman(DAAD), do të organizojnë në datat 7–11 prill 2008, një sërë aktivitetesh informuese në universitetet e disa prej qyteteve më të rëndësishme të vendit për të informuar mbi mundësitë e studimit, hulumtimit, dhe bursave në Gjermani. Në këtë udhëtim do të jetë i pranishëm edhe ambasadori i Republikës Federale të Gjermanisë Bernd Borchardt, i cili do të referojë dhe do të diskutojë me studentët dhe të pranishmit e tjerë mbi temën: “Ballkani Perëndimor i parë në këndvështrimin gjerman”. Në kuadër të këtij udhëtimi ambasadori Borchardt do të takohet edhe me drejtues të universiteteve, përfaqësues të pushtetit lokal dhe deputetë të zonave. Dy lektorët gjermanë të DAAD-it si dhe përfaqësuesja shqiptare e ambasadës Gjermane në Tiranë do të jenë dispozicion për t’ju përgjigjur pyetjeve të të interesuarve lidhur me kushtet paraprake dhe ofertat konkrete për të studiuar dhe përfituar bursa në Gjermani. Të pranishmit gjithashtu, do të kenë mundësi të informohen përmes konsulencës individuale mbi kushtet e jetesës, financimin e studimeve apo kriteret e marrjes së një vize për qëllime studimi pranë Ambasadës Gjermane në Tiranë. Ambasada Gjermane ka ftuar të marrin pjesë në këto aktivitete të gjithë nxënësit dhe studentët që kanë interes të studiojnë në Gjermani, dhe prindërit e tyre, por edhe të interesuarit për programe pasuniversitare dhe kërkime shkencore në këtë vend. Gjermania është një ndër vendet më tërheqëse për të studiuar, kjo sidomos për faktin se në këtë vend po ofrohen gjithmonë e më shumë degë ndërkombëtare studimi në gjuhën angleze për studentët e huaj.
Programi i aktiviteteve
Korçë, data 7 prill, ora 15.30–18.00, vendi fakulteti Ekonomik, salla e bibliotekës
Gjirokastër, data 9 prill, ora 10.00–14.30, vendi salla e multimedias, Universiteti i Gjirokastrës
Sarandë, data 10 prill, ora 10.00–14.30, vendi salla e madhe e leskioneve
Vlora, data 11 pril, ora 10.00–14.30, vendi fakulteti Ekonomik
7 Prill 2008