Corsaro: “Unë, kryebashkiaku i shqiptarëve dhe italianëve të Vercellit”
Jeta, puna por dhe të mirat e të këqijat e shqiptarëve që jetojnë e punojnë në Itali, tani janë pjesë edhe e vetë italianëve që bashkëjetojnë me ta kudo. Kryebashkiaku i qytetit të Vercellit në Piemonte, Andrea Corsaro, tregon për gazetën “Albania” elemente të jetës dhe aktiviteteve të tjera të komunitetit shqiptar në këtë zonë të Italisë. Ai flet në veçanti për raportet personale që ka me emigrantë shqiptarë dhe me familjet e tyre në këtë qytet. Në veçanti flet edhe për familjen e emigrantit të varë në punë, Edmond Lluka, për të cilën kryebashkiaku Corsaro tani duhet të përkujdeset më tepër se kurë.
Sa të sigurt janë sot emigrantët shqiptarë që punojnë në Itali, duke pasur parasysh incidentet e shumta që ndodhin nëpër vendet e punës?
Emigrantët e ndryshëm, por edhe vetë italianët, janë të ekspozuar në mjaft raste nga incidentet e ndryshme që mund të ndodhin në punë ose gjatë rrugës për të shkuar në të. Detyrë e të gjitha autoriteteve është pikërisht që ta parandalojnë një gjë të tillë, duke siguruar jetën e çdo personi dhe në veçanti të të huajve që punojnë këtu si emigrantë. Por fatkeqësisht kanë ndodhur edhe nga ato incidente të rënda që askush nuk do të donte që të ndodhnin. Përballë një tragjedie të tillë të gjithë do të tronditeshin dhe të gjithë do të përpiqeshin të ndihmonin sado pak familjarët e viktimës. Mendoj se si njerëz, si familjarë dhe si përfaqësues të institucioneve, kemi për detyrë që të mos qëndrojmë indiferentë përballë fakteve të tilla tronditëse. Kështu, duke vënë maksimumin e forcave dhe impenjimit, mendoj se të gjithë duhet të ndihmojmë në një lloj mënyre. Fenomeni i aksidenteve në punë është një prej më të përhapurve nga incidentet që ndodhin këtu në Itali, prandaj mendoj se duhet të përpiqemi të gjithë për t’i parandaluar ato ose për të bërë të mundur që të mos ngjasin më. Në këtë periudhë në Itali këtij fenomeni po i kushtohet mjaft rëndësi nga të gjithë, pasi puna është një element mjaft i rëndësishëm në jetën e njeriut dhe ajo duhet të jetë e sigurt. Ajo duhet të bëhet me dinjitet, por dhe në siguri të plotë, për të evituar që të përsëriten tragjedi të tjera si ajo që i ndodhi emigrantit shqiptar, Edmond Lluka.
Cilat janë raportet që mbani sot me familjen e emigrantit të vrarë në punë, Edmond Lluka, dhe si i keni ndihmuar familjarët e tij?
Rasti i incidentit që i ndodhi emigrantit shqiptar Edmond Lluka, që punonte këtu në Vercelli e që u shtyp nga një frezë në vendin e punës, për mua është një rast personal. Unë kam qenë avokati i familjes Lluka në këtë ngjarje para se të isha kryebashkiaku i Vercellit. Kjo tragjedi na goditi të gjithëve, pasi ishte vërtet e rëndë. Për këtë i kemi ndenjur pranë kësaj familjeje shqiptarësh, që kishte ardhur këtu në Itali dhe në qytetin tonë për të rregulluar jetën e tyre. Për këtë gjë, unë së bashku dhe me konsullin e Shqipërisë në Piemonte, Dr. Firera, jemi munduar që të përkujdesemi tani për këtë familje duke bërë gjithçka që jeta e familjarëve të Edmond Llukës të jetë sa më e lehtë pas humbjes së të dashurit të tyre. Falë ndihmës së madhe të konsullit Firera, kësaj familjeje iu lidh një pension prej 1500 eurosh në muaj, me qëllim që gruaja e të ndjerit të mund të mbajë dy fëmijët e vegjël, njëri prej të cilëve pritet nga momenti në moment të vijë në jetë. Është logjike dhe e domosdoshme që të mendohet për nevojat që kjo familje ka tashmë. Edhe për mua dhe për të gjitha autoritetet këtu kjo gjë është detyrë.
Çfarë raportesh keni në qytetin tuaj me komunitetin e emigrantëve shqiptarë?
Vercelli është një qytet pa dyshim i hapur, ku komunitetet e ndryshme kanë kontribuar duke sjellë kulturat, traditat, por edhe kapacitetet dhe të mirat e tyre. Administrata jonë këtu ofron një mori shërbimesh, të cilat janë shumë të rëndësishme. Kjo sepse ne llogarisim që të huajt rezidentë këtu janë shumë më tepër se ata që vijnë e ikin dhe gjithmonë peshorja po anon në anën e atyre që qëndrojnë. Për këtë kemi edhe një emërues të përbashkët, ku së bashku dhe dëshirën e emigrantëve për t’u integruar, kjo kthehet në një raport të shkëlqyer bashkëjetese. Kjo gjë konfirmohet edhe nga vetë emigrantët që jetojnë këtu në Vercelli, i cili është një qytet vërtet mikpritës, por dhe që ka nevojë për forca pune që kanë kapacitete profesionale. Për këtë them se integrimi i emigrantëve shqiptarë këtu, bashkë me mikpritjen tonë, ka qenë një lidhje mjaft e fortë, duke krijuar kështu një lloj integrimi.
7 Prill 2008