E Diel, 1 Nëntor 2026

Qendra të reja shëndetësore në zonat rurale me mungesa

Qendra të reja shëndetësore do të ngrihen në zonat rurale. Ky është projekti kryesor që pritet të financojë Banka Islamike për Zhvillim. Bëhet fjalë për qendra shëndetësore në të gjithë vendin, të cilat do t‘u shërbejnë pacientëve edhe në zonat periferike. Ministria e Shëndetësisë e ka gati projektin, vetëm pret për aprovim fondin nga Banka Islamike për ngritjen e këtyre qendrave, pajisjen e tyre me infrastrukturë spitalore. Ministrja e Shëndetësisë, Anila Godo, zhvilloi një takim me misionin e Bankës Islamike për Zhvillim në Shqipëri. Ky mision ka investuar në projekte të rëndësishme si: faza e parë e spitalit të përgjithshëm Durrës, financuar me 5 milionë USD, faza e dytë e spitalit të përgjithshëm Durrës, financuar me 7 milionë USD, spitali i përgjithshëm Kavajë me afërsisht 6 milionë USD.

Qëllimi i këtij takimi ishte diskutimi dhe programimi i projekt-propozimeve për tre vitet e ardhshme 2010-1013. Në këtë takim, Ministria e Shëndetësisë parashtroi projekte të rëndësishme investimi, si rindërtimi i spitalit të Fierit. Gjithashtu, në sistemin parësor, si një nga prioritetet e investimeve të misionit islamik, Ministria e Shëndetësisë i paraqiti projektet e saj për ndërtimin e qendrave të reja shëndetësore në zona rurale të vendit tonë. Një prioritet i Ministrisë së Shëndetësisë për bashkëpunim me misionin islamik, ishte edhe investimi në aparatura mjekësore e laboratorike, në të gjitha spitalet rajonale në vend. Misioni i Bankës Islamike për Zhvillim shprehu gatishmëri të plotë për investime në fushën e shëndetësisë, veçanërisht në ndërtime të godinave të reja dhe pajisjeve të nevojshme spitalore. Problemi i qendrave shëndetësore në vendet rurale nuk mbetet vetëm infrastruktura, por edhe kapacitetet mjekësore, mjekë, infermierë. Kryesisht në këto zona nuk punojnë mjekë, jo vetëm për largësinë, por edhe për shfrytëzimin e pakët të kapacitetit të qendrës.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›